Në origjinën e reformave ekonomike kineze

Një intervistë me Isabella Weber

Cili është roli i kujtesës së historisë së gjatë kineze, ashtu si edhe ai i influencës perëndimore, në ndërtimin dhe në narrativën e reformës kineze?

Për hir të së vërtetës, jo vetëm nga fundi i fundi i viteve ‘70, por akoma sot, historia e gjatë kineze është një temë e përsëritur në diskutimet e liderëve të partisë dhe të intelektualëve, sidomos në një vit si 2019 që përkon me përvjetorin e 70-të të themelimit të Republikës Popullore Kineze. Por edhe përtej përvjetorëve të rëndësishëm politikë, historia është pjesë përbërëse e arsyetimit politik kinez. Për shembull, gjatë diskutimit që Xi Jinping ka mbajtur në selinë e UNESCO-s në vitin 2014, Presidenti ka pohuar: “Për çdo vend të botës, e kaluara bart me vete çelësat e së tashmes dhe e tashmja i ka rrënjët e saj tek e kaluara. Vetëm duke ditur nga vjen një vend është e mundur që të kuptohet ajo që përfaqëson sot dhe vetëm atëhere mund ta nuhasësh se nga cili drejtim po shkon”.

Deri më sot ka pasur një referim të qartë e constant ndaj aspekteve dhe periudhave të ndryshme të historisë së Kinës, edhe për sa u përket çështjeve të politikës ekonomike. Vitet ‘70 qenë një moment ku intelektualët dhe liderët politikë ua hapën mendjet e tyre “botës së jashtme” – siç i pëlqente Ten Hsiao Pinit të theksonte. Ky nuk ishte vetëm një slogan: delegacionet kineze nisët që të udhëtojnë nëpër botë dhe intelektualët patën mundësinë që të fitojnë dije të drejtpërdrejta lidhur me atë që po ndodhte jashtë Kinës. Zbulimi më tronditës për të gjithë që të zbuluarit sesa e “prapambetur” ekonomikisht dhe teknologjikisht ishte Kina karshi botës kapitaliste. Kështu, nëse revolucioni nuk duhej të hidhte bazat vetëm për krijimin e një shoqërie, por duhetj edhe ta çlironte Kinën nga imperializmi dhe nga feudalizmi, faza e re e reformave ekonomike duhet të ngrinte si parime drejtuese zhvillimin material dhe daljen nga varfëria absolute.

Sa qe e rëndësishme trashëgimia e Revolucionit Kulturor në krijimin e premisave për fazën e mëtejshme të reformës ekonomike në Kinë?

Midis shumë gjërave, Revolucioni Kulturor përfaqësoi një sulm të dhunshëm ndaj strukturave burokratike (një prej sloganeve që pati jehonë të madhe midis gjeneratës së 68-ës të Perëndimit qe “bombardoni komitetin e partisë”). Ideja e një ekonomie hierarkike dhe të planifikuar në nivel qendror u vë nën sulm. Në të njëjtën mënyrë u dënuan tregjet si rrugë për kapitalizmin. Në shumë aspekte, ekonomia nga e cila u nisën reformat qe shumë afër me një ekonomi të planifikuar kaotike, ku betejat specifike politike kishin një rol përcaktuese, më shumë se me një sistem të planifikuar e të koordinuar nga autoritetet qendrore. Hua Kuo Feni, pasuesi i caktuar nga Mao Ce Duni, nisi nga tentativë për të rivendosur strukturën e planifikuar të ekonomike nëpërmjet promovimit të një hopi të ri drejt industrializimit të tipit sovjetik, që megjithatë dështoi në mënyrë dramatike.

Në një shembull të ironisë së historisë, Revolucioni Kulturor përfundoi duke rezultuar themelor për periudhën e mëpasme të reformave. Ai shkatërroi në mënyrë të dhunshme rendin shoqëror diminues. Shumë prej njerëzve që qenë në një pozicion pushtet më parë, si edhe shumë intelektualë, u spastruan dhe u dërguan në kampet e riedukimit nëpër fshatra. Edhe rinia urbane u dërgua në zonat rurale për shumë vite. Kur këta njerëz u kthyen nëpërm qytete dhe nëpër qendrat e pushtetit, ju desh që të përballeshin me problemin sesi ta rindërtonin Kinën. Në kërkimin e tyre për rrugë të reja që duheshin ndjekur qenë thelbësore si përvojat traumatike, ashtu edhe rrjeti i marrëdhënieve që qenë formuar gjatë revolucionit. Në një farë kuptimi, kaosi i revolucionit krijoi hapësirën komunikuese për të diskutuar lidhur me problemin e reformës. Unë nuk jam historian ruse, por mendoj se mund të thuhet që në Rusi, e cila pati një vijueshmëri strukturash tejet të burokratizuara, nuk u krijua kurrë një hapësirë e ngjashme përpara se të fillonin tentativat e reformave.

Në çfarë kuadri ka ndodhur tranzicioni i politikave ekonomike të Revolucionit Kulturor në reformat e mëpasme? Si ia ka arritur Kina ta hapë tregun e saj, duke ruajtur njëkohësisht një strukturë fuqimisht të centralizuar?

Në fundin e viteve ‘70 Kina ishte ende një ekonomi në pjesën më të madhe bujqësore dhe komunat, institucione kyçe e ekonomisë politike maoiste, qenë shumë të forta në zonat rurale. Hapi i parë drejt reformimit të sistemit ekonomik qe reforma bujqësore. Ajo nisi nga rajonet më të varfëra që prodhonin me teknika të thjeshta dhe mezi arrinin që të siguronin nevojat e tyre të brendshme. Duke parë rolin marxhinal e këtyre zonave për bujqësinë kombëtare, qe e mundur të fillonin eksperimentime pa kurrfarë pasoje për furnizimin kombëtar me grurë. I famshmi Grup për Zhvillimin Rural luajti një rol themelor në përhapjen e eksperimentimeve të para. Reforma bazohej mbi spostimin e përgjegjësisë së prodhimit nga komuna në familjet e veçanta, duke filluar nga këto lokalitete më të varfëra, për t’u përhapur më pas në të ashtuquajturit “hambarë” të Kinës.

Grupi për Zhvillim Rural ishte një grup që doli nga një lëvizje rinore në universitete pas vitesh të kaluara në zonat rurale në fundin e viteve ‘70. Këta të rinj identifikoheshin me çështjen fshatare dhe qenë jashtëzakonisht të vetëdijshëm për gjendjen e fshatrave. Në të njëjtën kohë ishin pjesë e organizatave kërkimore tashmë të krijuara. Me mbështetjen e liderëve të gjeneratës së parë si Ten Li Kun dhe Du Run Shen, Grupi organizoi studimet në fusha të ndryshme të eksperimentimit bujqësor ne qëllim monitorimin e procesit. Raportet e tyre qenë thelbësorë në zhvillimin e politikave të reja bujqësore të sistemit të përgjegjësisë familjare që u përhap në mënyrë graduake nga periferitë e sistemit deri në qendrën e tij, domethënë tek komunat dhe “hambaret” e Kinës. Kjo logjikë për të filluar nga zonat e ekonomisë politike kombëtare që nuk qenë thelbësorë të tij, është sistematikisht në bazën e rreformave të Kinës.

Një shembull tjetër është se sistemi i çmimeve me “binar të dyfishtë”, që u shfaq në vitet ‘80 si kontroll politik mbi aktivitetet jothelbësore të prodhimit, u lirua gradualisht. Raporti midis komandimit dhe urdhërit që janë në zemrën e ekonomisë së planifikuar i qe nënshtruar çmimeve të planifikuara. Megjithatë, në margjinat e sistemit, prodhimi për kërkesësn e tregut me çmim tregu fillimisht u tolerua dhe më pas u autorizua zyrtarisht. Dispozitat e rej institucionale dhe dinamikat ekonomike që u krijuan në vijim të kësaj hapësire përfunduan për ta transformuar vetë zemrën e sistemit. Në këtë process kërkimi ekonomik qe themelor si formë inspektimi empiric dhe analize konceptuale që transmetoi praktika eksperimentale suksesi nga hapësirat periferike në institucionet kyçe. Qasja eksperimentaliste hyri në konkurrencë në vitet ’80 me një qasje tjetër më merkantiliste, domethënë me tentativën për të përcaktuar një sistem objektivash që do të kishte tregun si mekanizëm qendror koordinimi, për t t’u implementuar me shkallë apo me një lëvizje të vetme. Në fund, qasja eksperimentaliste mbizotëroi dhe vazhdon akoma sot të influencojë politikëbërjen ekonomike të Kinës.

A kishte një dialektikë midis mbështetësve të reformave politike dhe mbështetësve të reformave ekonomike?

Pa hyrë shumë në detajet e kësaj historie, mund të thuhet se në Kinë, të paktën nga viti 1979, kishte një diskutim në zhvillim që hetonte nëse reforma politike ishte apo jo një kusht paraprak për atë atë ekonomike dhe disa – siç kishte ndodhur në Europën Lindore – theksonin se vetëm nëpërmjet një hapjeje të plotë të instuticioneve do të mund të realizohej një reformë e suksesshme e sistemit ekonomik. Por siç e dimë, një ndryshim kaq radikal i sistemit politik nuk ndodhi kurrë, ndërsa sistemi ekonomik megjithatë është transformuar thellësisht. Një shpjegim për këtë raport të veçantë midis reformës ekonomike dhe politike mund të qëndrojë në përvojën e Revolucionit Kulturor. Atëhere qasja revolucionare u përqëndrua mbi vënien e politikës në pozicion komandimi, duke tentuar të sigurohej zhvillimi ekonomik nëpërmjet mjeteve politike.

Lloji i transformimit politik i konceptuar prej atyre që niseshin për reformën e bazuar mbi tregun ishte rrënjësisht ndryshe nga ideja e revolucionit të vazhdueshëm të adoptuar gjatë Revolucionit Kulturor. Pavarësisht kësaj, përgjigja ndaj tij që adoptimi i një logjike dominuese që vinte në vend të parë ekonominë dhe zhvillimin ekonomik. Kjo nuk pajtohej plotësisht me idenë që ndryshimi politik duhej t’i paraprinte reformës ekonomike. Një tjetër arsye e rëndësishme për të cilën reforma ekonomike mbizotëroi ndaj reformës politike qe suksesi i papritur ekonomik i viteve të para të reformës bujqësore. Veç kësaj, duhet të kujtojmë se gjenerata e parë e revolucionare ishte akoma në pushtet gjatë viteve vendimtare ‘80. Por në vend që të përqëndroheshin mbi predominimin e reformës ekonomike, duhej të pranohet në fakt se kjo e fundit solli ndryshime thelbësore politike. Nëpër fshatra, sistemi i përgjegjësisë familjare u dha fund komunave, shtyllës kurrizore politike të maoizmit. Nëse fillimisht kishte një ekonomi industriale të menaxhuar në nivel qendror e bazuar mbi ndërmarrje shtetërore dhe ndërmarrje kolektive, numri në rritje i ndërmarrjeve private dhe privatizimi gradual i shumë ndërmarrjeve qeveritare, ashtu si edhe proletarizimi i punëtorëve, e ndryshoi thellësisht strukturën politike të shoqërisë.

Cili ishte bekgraundi i njerëzve që projektuan reformat ekonomike në fundin e viteve ‘70?

Siç e tregoj në librin tim të ardhshëm, ishte një grup heterogjen intelektualësh që luajtën një rol themelor në projektimin e reformave ekonomike kineze. Por siç e demonstron shembulli i Grupit për Zhvillimin Rural dhe roli i tij në reformën bujqësore, kontributi kryesor në reformën ekonomike nuk qe ai i “ekonomistëve të zyrave” që gjithsesi kishin pasur ide të mëdha sesi do të duhej të ishte e ardhmja e ekonomisë politike të Kinës. Në fakt, ekonomistët luajtën një rol themelor në projektimin, mbikëqyrjen dhe interpretimin e iniciativave politike që po zhvilloheshin në nivele të ndryshme, ndërsa lidershipi qendror haptë hapësira për eksperimentime që shpesh përfshinin mekanizma tregu.

Në këtë kontekst, intelektualët e rinj që kishin hyrë në universitete pasi kishin kaluar vite nëpër fshatra dhe që shpesh përfitonin nga lidhjet me të urtët e moshuar të partisë apo me intelektualët më të mëdhenj në moshë, sollën contribute të rëndësishme. Për shembull, një institucion që u zhvillua nga grupi i reformës qe Instituti për Reformat e Sistemit Ekonomik me në krye Çen Ji Zhi dhe Van Hsiao Zhiang, i krijuar ngë Kryeministri Zhao Zi Jang. Në një farë mënyre, ata i zbatuan qasjen e reformës bujqësore çështjes së reformës industriale dhe të sistemit industrial urban, një qasje nga këndvështrime të ndryshme shumë më induktuese dhe më empirike se ajo reformiste e Europës Lindore – ose të paktën kështu thonin në Kinë ekonomistët emigrantë si Ota Sik, Wlodimierz Brus apo Janos Kornai.

Europianolindorët filluan me ideimin e një modeli teorik referimi me një seri objektivash dhe duke tentuar të zhvillojnë një paketë reformash që do t’i realizonin objektiva të tilla. Ndërsa shumë ekonomistë kërkonin modelin e duhur të referimit dhe paketën e duhur të reformave, qasja eksperimentale doli nga reformat bujqësore në Kinë. Kjo qasje synonte që të zbuste kontrollin e drejtpërdrejtë në zonat periferike, të anaizlohej se çfarë kishte ndodhur si pasojë e lehtësimit të kontrollit dhe të analizohej se në çfarë mënyre ishte e mundur të nxirrej një logjikë sistematike ndaj eksperimenteve të tilla. Kjo logjikë më pas i ioshte zbatuar dora dorës sektorëve më të rëndësishme për t’u reformuar dhe institucioneve të sistemit pa kërcënuar vetë stabilitetin e tij. Sistemi i çmimeve me “binar të dyfishtë” është një shembull i shkëlqyer sepse ecën kjo logjikë. Ka një debat të madh në Kinë për sa i përket faktit se kush e ka shpikur sistemin e çmimeve me “binar të dyfishtë”.

Mendoj se bëhet fjalë për një sistem që u shpik, por që doli nga hapësira e dhënë burokratëve lokalë dhe drejtuesve të ndërmarrjeve qeveritare. Roli i kërkimit ekonomik ishte ai që të jepte sa një panoramikë se cilat zona do të mund të decentralizoheshin, aq edhe atë të sistematizimit të praktikave eksperimentale në mënyrë që të mund të konvertoheshin në policy. Nuk qe diçka që ndodhi jashtë konceptualizimit të një lloji ideal. Veç kësaj, kjo ndodhi në dialog konstant me gjeneratën e mëpasme revolucionare, që në kundërshtim me liderët sovjetikë e 1980, kishte akoma një përvojë të drejtëpërdrejtë të tregut dhe të sistemit capitalist. Kjo gjeneratë më e vjetër e kishte përdorur tregun si instrument të betejës ekonomike gjatë luftës civile dhe si instrument të reformës ekonomike gjatë viteve ‘40 dhe fillimviteve ‘50.

Në fakt, ekonomia socialiste u krijua si një process daljeje nga tregu apo hyrjeje në ekonominë e planifikuar, ku mekanizmat dhe dinamikat e ekonomisë së tregut u shfrytëzuar për të shkuar drejt planifikimit. Në vitet ‘80 Kina ka përjetuar një tranzicion drejt ekonomisë së tregut duke përdorur praktika qeverisjeje ekonomike të ngjashme me vitet e luftës revolucionare dhe vitet e para e Republikës Popullore të Kinës, por kësaj radhe me qëllimin e lëvizjes drejt tregut. Këto praktika qenë thellësisht të rrënjosura në konceptimin kinez e rregullit të çmimeve dhe të krijimit të treguat nga ana e shtetit.

A mendoni se kujtesa e gjatë historike dhe kultura e konsoliduar kineze kanë luajtur një rol në suksesin e reformës ekonomike? A mund ta thonit, siç sugjerojnë shumë, se konfucizmi pati një funksion në procesin e reformës?

Mendoj se praktikat e reformës ekonomike që u shfaqën nëpërmjet ndërveprimit midis eksperimentimeve në margjinat dhe kërkimet emipirike që janë të bazuara pjesërisht mbi ripropozimin e praktikave pararevolucionare. Në këtë kuptim institucionet qeveritare dhe konceptimet tradicionale qenë të rëndësishme. Për sa i përket debatit më të gjerë lidhur me ringjalljen e konfucizmit në Kinë, unë mendoj se është e rëndësishme të pyetet se pse një debat i tillë është në zhvillim pikërisht tani. Dhe unë mendoj se ka arsye të thella, në kuptimin se ndodhemi në një një moment ku më shumë se 200 vjet dominimi ekonomik, politik dhe kulturor perëndimor që pasuan Revolucionin Industrial po arrijnë në fund, dhe efektet vërehen në shumë fusha. Në Kinë ka krijuar një ndjenjë të ri krenarie që i detyrohet faktit se Kina nuk është një një vend i nënshtruar i kolonizuar dhe i prapambetur.

Kjo ngre pyetjen se çfarë është ky qytetërim, cila është origjina e tij dhe si të menaxhohen marrëdhëniet midis këtij qytetërimi dhe Perëndimit. Unë mendoj se ky është konteksti i gjerë historik nga ku buron diskutimi lidhur me rolin e konfucizmit. Këto diskutime janë përdorur më pas në mënyrë politike dhe shpesh marrin formën e propagandës, por ka edhe një interes të vërtetë midis studiuesve që tentojnë t’i gjejnë një kuptim trashëgimisë konfuciane. Një çështje tjetër është të kuptohet në se është e mundur apo jo të analizohet rrugëtimi i Kinës, të themi në shekullin e XX, si rezultat i traditës konfuciane. Ka shumë debate rreth kësaj çështjeje, por unë personalisht preferoj të mendoj se do të ishte absurd të mos pranohej tradita mijëvjeçare kineze e organizimit shtetëror, burokracisë, filozofisë së matematikës, punimeve enciklopedikë e kështu me radhe, dhe që do të ishte njëlloj e gabuar të shikohej shekulli i  XX si një reagim ndaj traditës.

A mund të na jepni një shembull të procesit të ndërmjetësimit midis ideve ekonomike perëndimore dhe socializmit kinez? Si artikulohej ideja e një ndërmjetësimi të mundshëm midis socializmit dhe hapjes së madhe të tregut? Si u përkthye kjo në politika konkrete?

Mendoj se këtu kemi dy pyetje. E para ka të bëjë me mënyrën sesi ekonomitë perëndimore u bënë të rendësishme në Kinë në fundvitet ’70, ndërsa e dyta ka të bëjë me atë sesi idetë perëndimore u integruan në diskutimin reformist. Në kontekstin e Kinës socialiste, pse të preokupohej me ekonomitë kapitaliste dhe borgjeze? Në këtë kontekst qe vendimtare ideja e përdorjes së zhvillimit capitalist si burim i mundshëm mësimesh. Ky vendim buronte nga nocioni ortodoks marksist i zhvillimit ekonomik nëpërmjet fazave. Fakti që Kina kishte qenë në gjendje ta tejkalonte fazën e zhvillimit kapitalist, duke u spostuar nga një shoqëri feudale e dominuar nga fuqitë imperialiste të huaja drejtpërsëdrejti në socializëm, nënkuptonte se Kina e kishte aftësinë për të mësuar nga teknikat e menaxhimit kapitalist, duke i përdorur për të avancuar në histori. Kjo ide për të marrë mësime nga Perëndimi paraqet problematika të ndryshme, por qe sigurisht një element diskutimi i rëndësishëm në fundin e viteve ‘70 dhe në fillimin e viteve ‘80. Si rezultat, Kina nisi të eksplorojë çdo lloj doktrine ekonomike të huaj, nga Milton Friedman tek marksizmi perëndimor.

Çështja e dytë ka të bëjë me mënyrat e ndryshme me të cilat u përdorën ekonomitë perëndimore nga Kina. Kishte një grup studiuesish që qenë frymëzxuar prej emigrantëve të Europës Lindore, që i kam përmendur më parë, të cilët u dërguan në Kinë nga Banka Botërore. Njerëz që në Kinë qenë fuqimisht të influencuar nga ky lloj teorishë ekonomike e e konsideronin ekonominë e tregut si model referimi. Kështu që ngritën pyetje të tilla si: sim und të përcaktojmë çmime ekuilibri në mënyrë që duke thjeshtëzuar, me ta identifikuar një ekuilibër të tillë, të mund ta lëmë tregun të bëjë punën e tij? kjo nënkuptonte të adoptohej në mënyrë jokritike dhe deridiku naive ekonomia neokolasike perëndimore. Nga ana tjetër, ekonomistët që kërkuan të kontribuojnë në reformën ekonomike duke ndihmuar të projektohen, analizohen dhe interpretohen zgjidhje eksperimentale qenë njëherazi jashtëzakonisht të interesuar për të gjitha format e ekonomive perëndimore dhe teknikat kërkimore e shkencave sociale.

Por ata i shikonin këto më shumë si instrumenta në përballimin e problemeve konkrete dhe për të zgjidhur sfidat e paraqitura nga eksperimentimet ekonomike sesa si një paradigm që do të jepte modelet referuese të bazuar mbi një teori abstrakte. Këto dy grupe ekonomistësh hynë në një debat të zjarrtë në vitet ’80 jo rreth mundësisë ose jo të lançimit të një reforme ekonomike të Kinës, por rreth mënyrës sesi të lançohej ajo. Grupi i parë propozoi një paketë reformash që do të ishte e ngjashme me një terapi shoku (“shock therapy”). Grupi i dytë ju kundërvu fuqimisht një reforme të tillë jograduale duke theksuar se do të ishte një lëvizje e rrezikshme që do të minonte vetë suksesin e programit të reformës.

Kjo është një histori e viteve ‘80, por besoj se ka akoma rëndësi sot. Kur thuhet se reformat kineze nuk janë kompletuar, prezumohet se këto janë të paplota respektivisht një modeli referimi, që në mënyrë tipike bazohet me tipin ideal e kapitalizmit perëndimor. Në të vërtetë, nëqoftëse marrim në konsideratë reformat si një proces dinamik, i hapur dhe i vazhdueshëm, mund të kuptojmë se bëhet fjalë për një proces të pajisur me një drejtim, por që nuk mund të quhet asnjëherë vërtet komplet. Për shembull, për sa u përket çështjeve si reformimi i sektorit financiar, do të thoja se ku konfrontim është akoma në zhvillim dhe e njëjta gjë mund të thuhet për çështjen e reformimit të ndërmarrjeve shtetërore, ku debate është nëse ndërmarrjet shtetërore duhet të modelohen sipas modelit të shoqërive kapitaliste të kuotuara në tregjet private të bursës apo duhet të mendohet për një lloj të ri biznesi që frymëzohet nga disa karakteristika të modelit kapitalist të shumëkombësheve të kuotuara, por që evoluon në mënyrë eksperimentale drejt një modeli të ri biznesi.

Do të thonit se ndërmjetësimi midis axhendës neoliberale dhe socializmit kinez ka rezultuar një sukses? Si dhe pse?

Siç e kam theksuar tashmë në përgjigjen e mëparshme, lufta për reformat neoliberale nuk ka përfunduar akoma. Një aspekt i rëndësishëm i luftës tregtare midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës është që të detyrohet kjo e fundit që të hapë sektorë të ekonomisë së saj që deri më tani janë mbrojtur nga aksesi i huaj. Debati i vazhdueshëm mbi atë nëse Kina është apo jo një ekonomi tregu, e bazuar mbi standardet e OBT-së dhe të BE-së – që mund të quhen neoliberale – demonstron qartazi se qeverisja ekonomike kineze nuk është neoliberalizuar krejtësisht. Nga ky këndvështrim, Kina përfaqëson një sfidë ndaj sistemit neoliberal mbizotërues të qeverisjes globale. Nga ana tjetër, të pyesësh nëse Kina përfaqëson apo jo një alternativë socialiste ndaj modelit mbizotërues është një çështje krejtësisht e ndryshme. Më godet fakti se megjithëse termi socializëm po përjeton një rikthim të caktuar në Perëndim, ka pak konsensus lidhur me atë se çfarë nënkupton socializëm në shekullin e XXI dhe kam frikë se sistemi aktual kinez nuk e mbush këtë boshllëk.

Nga ana tjetër, nuk ka dyshim për faktin që Kina ka qenë e aftë të krijojë një tërësi institucionesh të ndryshme nga ato të Washington Consensus që kanë rezultuar superior në krijimin e rritjes ekonomike. Nga ky këndvështrim, krahasimi me Rusinë është befasues. Rusia ka adoptuar urdhërimet neoliberale e terapisë së shokut. Sipas databazës së Piketty, në vitin 2015 99% e të ardhurave të ulëta për frymë ruse qenë më të ulëta krahasuar me 1990 në dollar realë. Krahasimisht, 99% e të ardhurave të ulëta për frymë kineze është rritur me më shumë se katërfishi me të njëjtën periudhë. Siç e kam pohuar në kapitullin tim e SAGE Handbook of Neoliberalism (2018), Kina e ka përqafuar krejtësisht konkurrencën e tregut me të gjitha problemet sociale që sjell, përfshi nivelet e larta e pabarazisë, por e ka larguar terapinë e shokut siç do ta donte forma e pastër e neoliberalizmit. Arritja e shmangies së terapisë së shokut ka qenë vendimtare për arritjen e niveleve të rritjes që kemi parë në dekadat e fundit.

(Isabella Weber është Lektore e Ekonomiksit në University of London, ku është edhe hulumtuesja kryesore e projektit të titulluar “What drives specialisation? A century of global export patterns”. Merret në mënyrë të veçantë me politikën e ekonominë kineze, si edhe me historine e mendimit ekonomik. Temat e përmendura në këtë intervistë paraqiten në mënyrë të thelluar në librin e parë të saj, në pritje të botimit nga Routledge.)

Përgatiti

ARMIN TIRANA

Artikulli paraprak“DW”: Shqipëria në krizë shtetërore dhe kushtetuese
Artikulli tjetërShtetet e Bashkuara dhe Europa Lindore