Merkel-Basha:Treguat lidership, tani garanci për zgjedhje të lira

Komisioneri për zgjerimin në Bashkimin Europian, Johanes Hahn, Kancelarja gjermane Merkel, Presidenti i Partive Popullore Europiane, PPE të cilat kanë shumicën në Parlamentin Europian  dhe liderë të tjerë të Europës janë shprehur dje prerë dhe qartë se suksesi i reformës  në drejtësi është produkt i lidershipit Basha.
Pas negociatave të moderuara mes Bashës dhe partnerëve ndërkombëtarë, arritja e marrëveshjes midis palëve është vlerësuar nga liderët europianë si kontribut i kreut të PD. Mesazhet e qarta të BE drejtuar Bashës dëshmojnë se tashmë kreu i PD po konsiderohet nga krerët më të lartë europianë si lidership i ri në vend.
Po ndërsa udhëheqësit më të lartë të BE i janë drejtuar Bashës dje me mesazhe urimi, e kundërta ka ndodhur në drejtim të Kryeministrit Rama, në drejtim të të cilit kishte vetëm heshtje.
I pari ka qenë Komisioneri Hahn, i cili i është drejtuar Bashës me një mesazh duke u shprehur se: “Kjo marrëveshje tregon lidership dhe përgjegjësi për Shqipërinë në rrugën e saj drejt BE” është shprehur Hahn. Përmes  një telefonate Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel vlerësoi kontributin e Bashës në arritjen e kompromisit për Reformën në Drejtësi
Në fillim të bisedës, Basha e informoi Kancelaren Merkel për arritjen e konsensusit për draftin kushtetues të reformës.
Merkel e përgëzoi Bashën për kontributin e tij dhe lidershipin e treguar në procesin e arritjes së konsensusit, si një kontribut madhor për Shqipërinë dhe shqiptarët. Kancelarja gjermane shprehu bindjen se zbatimi me sukses i Reformës në Drejtësi do të jetë një ogur i mbarë për integrimin dhe të ardhmen europiane të Shqipërisë dhe e siguroi zotin Basha për mbështetjen e saj të plotë dhe të gjithanshme.
Basha shprehu mirënjohjen e thellë për mbështetjen e jashtëzakonshme të Kancelares Merkel dhe Gjermanisë ndaj Shqipërisë, në sfidat e rrugëtimit të saj Europian, dhe në procesin e Reformës në Drejtësi dhe e garantoi atë se Partia Demokratike do të vazhdojë të jetë promotore e të gjitha proceseve reformuese, duke u udhëhequr nga parimet dhe vlerat europiane. Beteja e Partisë Demokratike në procesin e Reformës në Drejtesi ka qenë prej fillimit e deri në kurorëzimin e saj me sukses, një betejë për standardet dhe parimet europiane dhe perëndimore të demokracisë, shtetit ligjor dhe për të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, theksoi Basha.
Në këtë kuadër, sfida më e madhe që Shqipëria ka përpara, janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme, theksoi Basha. Kancelarja Merkel e siguroi kreun e opozitës shqiptare për angazhimin dhe ndihmën e saj dhe të Gjermanisë për zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Një vlerësim përmes një deklarate për shtyp, qendrimi i Partisë Demokratike dhe kreut të PD, Basha është vlerësuar edhe nga Presidenti i Partive Popullore Europiane, Joseph Daul.
Pas arritjes së marrëveshjes, Basha pati një bisedë telefonike me Kryetarin e Komisionit të Punëve të Jashtme në Parlamentin Europian, Elmar Brok, ku mori përgëzime për arritjen e marrëveshjes për Reformën në Drejtësi. Brok e cilësoi sukses të jashtëzakonshëm të Partisë Demokratike dhe të Bashës mbylljen me sukses të negociatave. Edhe dy raportuesit për Shqipërinë në PE, Eduard Kukan dhe Knut Fleckeinstein shprehën përgëzimet e tyre për marrëveshjen e arritur dhe rolin kryesor të PD dhe Bashës në arritjen e kompromisit.

Arben Shahini

Artikulli paraprakBeteja për standardet e drejtësisë u fitua për çdo shqiptar
Artikulli tjetërRama refuzon BE dhe rekomandimin e Nuland