Bylykbashi: PS po rrezikon votimin e Reformës në Drejtësi

Pak orë para votimit të Reformës në Drejtësi në Parlament, Rama bllokoi komisionin e reformës aty ku palët do të mbyllnin detajet e fundit të arritjes së marrëveshjes. Në momentin e fundit, anëtarët e PS, të cilët bojkotuan mbledhjen e komisionit kanë refuzuar vijimin e diskutimeve duke shprehur kundërshtinë mbi një pikë për të cilën më parë, në negociatat e ditës së hënë kishin dhënë dakordësinë e tyre për aplikimin e rolit të ndërkombëtarëve për të gjitha instituconet e drejtësisë.
Nënkryetari demokrat i Komisionit për Reformën në Drejtësi, Oerd Bylykbashi deklaroi mbrëmë se PS kishte rënë dakord me propozimin e Ndihmës Sekretares Amerikane të Shtetit, e cila solli me propozimin e saj hibrid pikërisht formulën e propozuar nga PD, që është formula e njëjtë për të katër institucionet.
“Është propozuar ditën e hënë në negociatën që u mbyll në orët e vona të mëngjesit. Është rënë dakord që do të jetë pjesë e zgjidhjes për të katër institucionet.  Në konferencën e datës 13 qershor kryeministri Rama hoqi një vizë të kuqe. Vija e kuqe e tij është që, “Po, kemi rënë dakord për Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë  që do të jetë në raportet 3 me 2 por është një vizë e kuqe që e njëjta gjë të aplikohet për komisionet e vettingut.  Pra, kjo marrëveshje që i korrespodon asaj që unë thashë më parë, më pas kjo vijë e kuqe u prish nga zonja Nuland e cila solli me propozimin e saj hibrid pikërisht formulën e propozuar nga ne, që është formula e njëjtë për të katër institucionet. Është zoti Rama që është në konflikt besimi, është zoti Rama që përpiqet që të dizinformojë. Këtu ka patur vetëm një formulë gjithmonë, për fat të mirë është mbështetur plotësisht nga propozimi hibrid i zonjës Nuland” bëri të ditur Bylykbashi.
Nënkryetari i Komisionit, Bylykbashi deklaroi se “Jemi mbledhur këtu që në orën 20:30 dhe për fat të keq ka më shumë se dy orë që përfaqësuesit socialistë refuzojnë të mblidhen në komisionin e reformës në drejtësi për të bërë këto ndryshime që janë absolutisht të domosdoshme. Mbledhja e këtij komisioni dhe miratimi i ndryshimeve që u ranë sot dakord dhe u përshëndetën nga palët, është esencial dhe e domosdoshme që ato ndryshime, pra propozimi i zonjës Nuland të shkojë në Parlament nesër (sot) për miratimi. Mos kryerja e kësaj seance, e këtij komisioni sot e bën të pamundur që nesër, Parlamenti të ketë mundësi të votojë propozimin e dakordësuar dhe të mbështetur nga zonja Nuland dhe komisioneri Hahn. Pra, mungesa e anëtarëve socialistë vë në rrezik mbledhjen e komisionit nesër (sot)” tha Bylykbashi.
Në lidhje me votimin në Kuvend për institucionet e reja Bylykbashi tha se: “I vetmi element themelor që është i padiskutueshëm është që zgjidhja për formulën e zgjedhjes së katër organeve të parashikuara nga neni 88, pra Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë, dhe Komisionit të Vetingut, do të jetë një e vetme. Një zgjidhje kërkon Komisioni i Venecias dhe për rrjedhojë ky ka qenë nga fillimi deri në fund elementi përçues në këtë negociatë. Ju informoj, përtej çdo lloj keqinformimi të bërë sot nga qeveria se në mbledhjen negociuese të ditës së hënë mes ekspertëve të PD-së, PS-së, LSI-së dhe ekspertëve të OPDAT dhe EURALIUS, me kërkesë të ministrit Manjani në lidhje me formulën që do të zbatohet për Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë, unë kam deklaruar përpara të gjithë anëtarëve që formula do të jetë e njëjtë si ajo për Vettingut. Përfaqësuesi i Partisë Socialiste është shprehur se është rënë dakord që 5 anëtarët jo gjyqtarë dhe 5 anëtarët jo prokurorë do të jetë në raportin 3 me 2. Pra në mbledhjen e ditës së hënë është ngritur si çështje dhe është dhënë kjo përgjigje. Formula që do të përdoret për vetingun do të jetë e njëjta për KLGj-në dhe KLP-në. Për fat të mirë, ajo mbledhje ka dëshmitarë. Kjo mund të jetë e vetmja zgjidhje.
Formula 3 plus 2 për votimet në KLGJ dhe KLP- Bylykbashi: Gjithashtu, mund të përdoret edhe formula e propozuar nga Partia Demokratike në negociatë për KLGj-në dhe KLP-në një komision me 5 anëtarë, ku tre janë nga mazhoranca dhe dy nga opozita, do të përzgjedhë pesë anëtarët e KLP-së dhe KLGj-së. Është kjo formula e cila u zhvillua dhe u përshtat për organet e Vettingut. Është kjo formula që u përshtat në propozimin Hibdrit dhe u mbështet nga zonja Nuland” .
Nga ana tjetër, ai sqaroi se “Formula për Këshillin e Lartë gjyqësor dhe të Këshillit të Lartë të Prokurorisë do jetë e njëjtë si për vetingun, e konfirmoj se kjo ka qenë një marrëveshje në diskutim. Në mbledhjen e ditës së hënë është ngritur si çështje formula për vetingun e njëjta si në Këshillin e Lartë të Prokurorisë dhe Këshillin e Lartë Gjyqësor. Kjo u mbështet edhe nga zonja Nuland, çdo gjë tjetër e futur në draftin kushtetues nga komisioni i zotit Xhafaj ka sjellë në këtë draft diçka të pa rënë dakord. E theksoj se mungesa e PS sot vë në rrezik seancën nesër (sot)”.

Artikulli paraprakManjani: Ekspertët e PS ishin dakord me formulën e dakordësuar
Artikulli tjetërDaul: Roli i Bashës, qendror në Reformën në Drejtësi