Provokimi i një humbësi

Bledi KASMI

I dëshpëruar për shkak se nuk arriti që t’i imponohet Bashkimit Europian dhe SHBA me projektin e miratimit të draftit të Reformës në Drejtësi në shkelje të hapur me të Drejtat e Njeriut, Rama është hakmarrë mbrëmë duke bllokuar konkretizimin e reformës.
Fatmir Xhafa deklaroi mbrëmë se Rama nuk ka ndër mend që ndërkombëtarëve t’u japë rolin që u përcakton Bashkimi Europian për reformën në Drejtësi.
Kjo hakmarrje e Ramës erdhi pas deklaratave të prera dhe të qarta të Komisionerit Europian për Zgjerimin, Hahn, i cili u shpreh se Misioni i Vëzhguesve Ndërkombëtarë (ONM-së) duhet të përfshihet në Kushtetutë; Vëzhguesit e huaj do të bëjnë vetëm rekomandime; Vëzhguesit e huaj duhet t’i mbështesin rekomandimet e tyre në fakte dhe se vëzhguesit duhet të konsiderojnë si shkak për rekomandime negative vetëm ato që bien ndesh me ligjet e vendit.
Pas kësaj deklarate është kërkuar mbledhja e Komisionit të Reformës për të sanksionuar këtë që është kërkuar nga Bashkimi Europian, ku vëzhguesit të kenë rol monitorues në të gjithë procesin e reformës. Kur ka ardhur momenti i konkretizimit të rekomandimit të Brukselit, Rama ka urdhëruar deputetët e tij në Komisionin e Reformës që të bojkotojë Komisionin.
Xhafa deklaroi mbrëmë se roli i ndërkombëtarëve nuk do të jetë ai që duan ata, por ajo që u kërkon Rama. Kjo është një cmenduri e padëgjuar më parë. Rama po kërkon ti detyrojë ndërkombëtarët të bëjnë atë që ata nuk e kërkojnë.
Sipas Xhafës, ndërkombëtarët do të kenë të drejtë të marrin vendime për të përjashtuar nga procesi prokurorë dhe gjyqtarë, gjë të cilën Komisioneri Hahn e hodhi në mënyrë kategorike poshtë.
Në të njëjtën kohë Rama nuk ka pranuar që formula e propozuar nga Ndihmës-Sekretarja Nuland të zbatohet e plotë, por vetëm për dy nga katër institucionet në drejtësi. Refuzimi i mbrëmshëm i Ramës si për BE edhe për SHBA e vendos atë në pozitat e qarta të bllokuesit. Përse Rama po bën bllokuesin kur drafti duhet të votohet në Parlament është e qartë. Meqënëse ai nuk arriti qëlllimin që të miratonte draftin e tij, që i lejonte të shtrinte kthetrat në gjykata dhe prokurori, tani ai nuk është më i interesuar për këtë projekt. Ndaj ai po bën bllokuesin dhe provokon jo vetëm opozitën duke futur në Parlament një draft të rrëzuar nga Hahn dhe Nuland.

Artikulli paraprakDaul: Roli i Bashës, qendror në Reformën në Drejtësi
Artikulli tjetërFaqja e parë