Portieri kualifikon Partizanin

Kualifikimi i Partizanit e mbi të gjitha paraqitja e Alban Hoxhës në Budapest bën xhiron e botës, falë imazheve të shpërndara në YouTube apo dailymotion, por dhe nga jehona në disa media ndërkombëtare për panenkën e realizuar nga portieri i të kuqve, që është postuar dhe nga faqja e njohur në Facebook troll football,  që evidentoi goditjen e Hoxhës, por dhe 3 pritjet e tij nga penalltitë, ndërkohë që UEFA në faqen e saj shkruante se portieri i Partizanit, pjesë dhe e kombëtares shqiptare i priti një 11-metërsh autorit të golit më të bukur në Europian. Gjithashtu prestigjiozja, “Gazzetta dello Sport” i ka dedikuar një shkrim të posaçëm portierit të Partizanit duke evidentuar goditjen me stil panenka, por dhe 3 pritjet e tij, ndërsa dhe zvicerania “Blick” i ka kushtuar gjithashtu vëmendje paraqitjes së Hoxhës duke ngritur madje pyetjen, a është Alban Hoxha portieri më “cool” në botë?
Ndeshja e Partizanit ka gjetur pasqyrim natyrshëm dhe në mediat hungareze, ku eliminimi i Ferencvaroshit ka lënë një shije të hidhur, ndërsa në mediat sociale gjatë mbrëmjes së të mërkurës kryefjala ka qenë e gjitha për Partizanin. Nuk kanë munguar përgëzimet dhe të presidentit të FSHF, Armand Duka që ka theksuar se është emocionuar pa masë për këtë transfertë të të kuqve, duke i uruar suksese Partizanit, por dhe të gjitha klubeve shqiptare në përfaqësimet në arenën ndërkombëtare.

Artikulli paraprakFaqja e parë
Artikulli tjetërPartizani në Champions, nga financat te talentet në vitrinë