Eksperiencë dhe stërvitje, sekretet e heroit Alban Hoxha

Në futboll asgjë nuk është e rastësishme. Shembulli konkret është Alban Hoxha. Heroi i Partizanit, që me penalltinë e ekzekutuar ndaj Ferencvarosit dhe tre pritjet e realizuara fitoi admirimin e shqiptarëve, por edhe vlerësime në mbarë Europën. 11-metërshi i goditur me stilin “Panenka” i la të gjithë tifozët në ankth. Guximi në ekzekutim i dha Partizanit avantazhin psikologjik ndaj rivalëve më lart të vlerësuar.
Moment që i la të gjithë pa fjalë, por që nuk ishte e rastësishme. Të tilla goditje Alban Hoxha i ka realizuar në Bad Valtersdorf, gjatë grumbullimit të Kombëtares përpara pjesëmarrjes në Kampionatin Europian. Ishte 26 maji i kaluar, skuadra sapo kishte nisur përgatitjet në Austri, ndërsa sipas planit të punës së trajnerit të portierëve, Ilir Bozhiqi, Alban Hoxha dhe gardianët Berisha e Shehim ushtroheshin me ekzekutimet e “Panenkas”. Edhe në stërvitje, kapiteni i Partizanit nuk gaboi.
Edhe pse vetëm 28 vjeç, Alban Hoxha luan prej 12 vjetësh si profesionist. Me llogari të thjeshta i aktivizuar prej moshës 16-vjeçare, me një karrierë të nisur prej vitit 2004 te Dinamo. Ishte pikërisht me blutë që ka pritur penalltinë e parë. I aktivizuar si zëvendësues i Kotorrit, në nëntor të vitit 2009 neutralizoi goditjen e Bledar Mancakut, duke i dhënë Dinamos fitoren 1-0 në fushën e Besës së Kavajës. Cilësi të padiskutueshme dhe shumë eksperiencë. Alban Hoxha është pikërisht heroi që të gjithë e prisnin te Partizani.

Artikulli paraprakAgjenti i Hysajt: Rinovimi me Napolin, formalitet
Artikulli tjetërOdise Roshi te Terek Grozni, zyrtarizimi deri në mbrëmje