Odise Roshi drejt Premier League-s ruse. Mesfushori kuqezi do të vazhdojë karrierën në radhët e Terek Groznit. Menaxheri nga Dibra e Madhe, Shkumbin Qormemeti realizon një tjetër goditje të madhe në merkato. Roshi po zhvillon kontrollet mjekësore në klubin e ri, një procedurë që zgjat më tepër se zakonisht te skuadrat ruse.
25-vjeçari largohet në këtë mënyrë nga Rijeka, për t’u bashkuar edhe një herë me sulmuesin Bekim Balaj, i cili iu bashkua Terek Groznit, ndërsa ishte i angazhuar me Kombëtaren në Kampionatin Europian. Menjëherë sapo kontrollet mjekësore të përfundojnë, do të realizohet edhe firmosja e kontratës, që pritet të bëhet zyrtare deri në mbrëmje.
Terek Grozni do të jetë skuadra e gjashtë në karrierë për Odise Roshin. Pas aktivizimit me Apoloninë dhe Flamurtarin në kampionatin shqiptar, mesfushori kaloi katër sezone në futbollin gjerman, të ndara mes Koln-it dhe FSV Frankfurt. Gjatë verës së vitit 2015, ai u transferua si lojtar i lirë te kroatët e Rijeka-s, ndërsa tashmë do të vazhdojë karrierën në Rusi. Përveç Roshit dhe Balaj-t, që sezonin e ardhshëm do të mbrojnë ngjyrat e çeçenëve të Terek Groznit, në elitën e futbollit rus luan edhe Bernard Berisha te Anzhi Makhachkala.