Presidenti francez, Emmanuel Macron, tha të hënën në Beograd se vizita e tij dyditëshe në Serbi synon hapjen e një faqeje të re në marrëdhëniet dypalëshe, ndërsa paralajmëroi nisma të reja në përpjekje për të gjetur një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Presidenti Macron arriti të hënën pasdite në Beograd, duke shënuar kësisoj vizitën e parë të një presidenti francez në Serbi pas vitit 2001, kur atje kishte qëndruar ish presidenti, Jacque Chirac.
Vizita e presidentit Macron ishte planifikuar që në dhjetor por qe shtyrë për shkak të përballjes së tij me protestat e “jelekëve të verdhë” që kundërshtonin politikat e tij ekonomike.
Normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe procesi tashmë i bllokuar i bisedimeve, ishte pjesë e bisedimeve kokë me kokë ndërmjet presidenti Macron dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç.
Një nismë e presidentit Macron dhe kancelares gjermane Angela Merkel, për një takim të palëve në Paris më 1 korrik dështoi, meqë Prishtina nuk hoqi dorë nga tarifat prej 100 për qind ndaj mallrave serbe, ndërsa Beogradi kushtëzon vazhdimin e bisedimeve me heqjen e tyre.
Presidenti Macron paralajmëroi përpjekjet për një takim te posaçëm ndërmjet udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë bashkë me kancelarin gjermane, Angela Merkel, në përpjekje për të arritur një marrëveshje, ndërsa theksoi se Franca kundërshton veprimet e njëanshme nga të dyja palët.
“Po shohim rritje të tensionit dhe nganjëherë këto tensione janë ushqyer aty-këtu nga fuqitë e jashtme që kanë një interes për të garantuar se asnjë marrëveshje nuk do të arrihet,” tha zoti Macron.
“Arritja e një marrëveshjeje nënkupton që secila palë të heqë dorë nga gjeste të njëanshme dhe jo-konstruktive dhe, në këtë drejtim, zhvillimet e javëve të fundit kanë qenë një shqetësim, dhe vendimet kundër angazhimeve të kaluara duhet të shfuqizohen,” tha presidenti i Francës.
Nga ana e tij presidenti serb Vuçiç tha se ai kishte kërkuar nga zoti Macron të ndihmonte Serbinë në përpjekjen e saj për të hyrë në Bashkimin Evropian, por zoti Macron nuk bëri premtime.
Ai përsëriti pikëpamjen e tij të mëparshme që BE-ja duhej ta bëjë vendimmarrjen më efikase para se Serbia dhe vende të tjera të mund të anëtarësohen.
Evropa, tha zoti Macron do të jetë e fortë nëse u ndihmon palëve që të arrijnë një marrëveshje dhe është përgjegjësi e saj që të mundësojë një gjë të tillë në mënyrë që të ruhet qëndrueshmëria në rajon.
Ai tha se nuk ka një zgjidhje magjike për këtë cështje dhe se atë nuk e kanë as Franca, as Gjermania, as Shtetet e Bashkuara, as Rusia apo dikush tjetër.
Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës që është njohur nga mbi 100 vende të botës, përfshirë edhe Francën, por, synimet e saj për integrim në Bashkimin Evropian janë të kushtëzuara me normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.
Beogradi i kishte parë për të madhe Francës që e njohu pavarësinë e Kosovës, ndërsa në nëntor të vitit të kaluar marrëdhëniet me Parisin u dukën të ftohura për shkak të reagimit të Serbisë ndaj trajtimit të Kosovës në manifestimet me rastin e përvjetorit të përfundimit të Luftës së Parë Botërore.
Atëbotë presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ishte i ulur pranë udhëheqësve më të rëndësishëm botëror, madje afër edhe presidentit rus, Vladimir Putin, ndërsa presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, ishte ulur në anën e kundërt.
Serbia, Kosova, Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Bosnja e Hercegovina, po kërkojnë garanci se rruga e anëtarësimit të tyre në Bashkimin Evropian është e hapur, pasi që disa udhëheqës evropianë ngritën mëdyshjet për gatishmërinë e Bashkimit Evropian për t’u zgjeruar.
Në fillim të këtij muaji, presidenti francez, Emmanuel Macron, tha se “do të refuzoj çfarëdo zgjerimi para se të kryhen reforma të thella në funksionimin institucional të Bashkimit Evropian”. Zgjerimi kërkon mbështetje të njëzëshme të vendeve anëtare.