Pas negociatash maratonë, të nisur mëngjesin e ditës së djeshme e deri në orët e vona të pasdites mbi ngërçin e ri të krijuar nga socialistët mbi Reformën në Drejtësi, të cilët refuzonin marrëveshjen e bazuar mbi propozimin e komisionerit Hahn dhe Zv/Sekretares Nuland, Rama u tërhoq sërish duke pranuar variantin e propozuar qysh në fillim nga PD, duke pranuar miratimin me konsensus të anëtarëve të KLGJ dhe KLP. Por çfarë përmban në vetvete drafti i ri, që arriti të marrë konsensusin mes palëve? Formula për zgjedhjen e anëtarëve të KLGj dhe KLP, parashikon vetingun përmes Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, të gjithë anëtarëve të KLGj dhe KLP. OMN do të jetë një organ rekomandues dhe jo vendimmarrës. Gjithashtu formula e re parashikon edhe hedhjen e shortit në rast se gjatë dy raundeve të para të votimit, Parlamenti nuk i zgjedh dot anëtarët e këtyre dy trupave. Kështu, 5 nga 11 anëtarët e Këshillit të Lartë të Gjyqësorit dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë do të përzgjidhen nga një komision prej 5 anëtarësh në Parlament, 3 nga mazhoranca dhe dy nga opozita. Kandidati duhet të marrë 4 vota. Në qoftë se krijohet ngërç, atëherë përzgjedhja bëhet me short. Si arritën palët drejt një kompromisi të dytë? Konferenca e Kryetarëve e mbledhur në orët e para të mëngjesit të djeshëm nisi me tone të ashpra mes palëve e kryesisht mes Kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta dhe Kryetarit të Komisionit për Reformën në Drejtësi, Fatmir Xhafa. Në nisje të mbledhjes, kreu i Grupit parlamentar të PD, Edi Paloka u shpreh në Konferencën e Kryetarëve se, “pas një nate të gjatë jemi këtu në një situatë absurde”. “Ju bëtë pak kronologjinë e u ra dakord të kemi një seancë solemne për të mos u futur në këto përplasje, kush do kush nuk e do. Kur po negociohej një telefonatë e çoi deri këtu. Ka një marrëveshje të sjellë nga zoti Hahn që u përshëndet nga të gjithë dhe zoti Xhafa nuk pranoi të vijë në komision për të realizuar një rresht në draft. Ne kërkojmë që ajo marrëveshje të implementohet. Ne dje arritëm në konsensus dhe na sollën sot në këtë ditë, më saktë në këtë natë. Dy rastësi mesnate nuk mund të ketë. Të hënën u arrit marrëveshja dhe kur negociatorët po festonin, një telefonatë e çoi ku e çoi. Ai i djeshmi ngjante një puç, edhe pse nuk dua ta përdor”, tha Paloka. Pas fjalës së kryetarit të grupit parlamentar demokrat, fjalën e mori Kryetari i Kuvendit, i cili i kërkoi Kryetarit të Komisionit për Reformën në Drejtësi të jepte arsyet se përse një ditë më parë bllokoi mbledhjen e komisionit e për rrjedhojë shkeljen e procedurave për vijimin normal të rendit të ditës me miratimin e reformës ashtu siç ishte parashikuar. Ka qenë ky moment që ka ndezur debatet me spalëve. Meta e quajti një situatë debatesh idiote politike atë që po ndodh me Reformën në Drejtësi. I nervozuar për mosmbledhjen e Komisionit të Posaçëm parlamentar për Reformën në Drejtësi, Meta kërkoi që Fatmir Xhafa të jepte sqarime në Konferencën e kryetarëve. “Lojë idiote politike” e quajti Meta atë që ndodhi një natë më parë. Sipas tij, Fatmir Xhafa bëri insinutata të papranueshme një natë më parë dhe nuk e mblodhi Komisionin me pretendime absurde. Përgjigjen e mori pak minuta më pas, kur Fatmir Xhafa mbërriti në Konferencën e kryetarëve. “Ule zërin me mua! Nuk marr urdhra nga ty! Kemi kaq kohë që dëgjojmë një shprehje nga ty “Me qetësi dhe dashuri”. Dashuria iku, tani më i qetë!” i tha Fatmir Xhafa Ilir Metës ndërsa nisi shpjegimet për atë që ndodhi një natë më parë. Pas mbylljes së Konferencës së Kryetarëve, nisi seanca plenare, gjatë së cilës mungonin deputetët e opozitës. Opozita kishte shpallur qendrimin e saj ku kërkonte rinisjen e bisedimeve mbi finalizimin e marrëveshjes së dakordësuar sipas propozimitt Nuland dhe komisionerit Hahn. Në një konferencë të posaçme për shtyp, Basha i bëri një thirrje të qartë Ramës, ndërsa deklaroi se, “Ka një marrëveshje mbi tavolinë dhe Edi Rama duhet ta zbatojë këtë marrëveshje dhe t’i japim shqiptarëve sot Reformën e shumëpritur në Drejtësi sipas draftit të rakorduar nga të gjitha palët. Partia Demokratike do të jetë sot në Parlament me votat e saj për këtë marrëveshje. I bëj thirrje Edi Ramës të heqë dorë nga lojërat dhe të heqë pengesën e fundit, duke votuar marrëveshjen e arritur për Reformën në Drejtësi”, tha Basha në fjalën e tij. Gjatë seancës plenare, e cila zgjati pak minuta, Meta foli ashpër në lidhje me prishjen e marrëveshjes si dhe dënoi përpjekjet dhe tentativat për të miratuar një reformë jo konsensuale e me vota të trafikuara. Ai paralajmëroi dorëheqjen e tij nëse një gjë e tillë do të ndodhte, pra, nëse reforma do të miratohej pas konsensusit e me vota të blera apo të trafikuara. Pas mbylljes së seancës plenare, një seri takimesh e negociatash nisi mes palëve, negociata që vijuan deri në orët e pasdites. Partia Demokratike ishte e qartë në qendrimin e saj, duke mos shtuar asnjë kusht e duke kërkuar vetëm draftimin e marrëveshjes së konkluduar sipas propozimit hibrid të Nuland dhe komisionerit Hahn. Ndërsa socialistët nga ana tyre vijonin bllokimin e marrëveshjes, duke qendruar kundër propozimit Nuland dhe Hahn. E kur ende nuk dihej me siguri çfarë do të ndodhte me miratimin e Reformës në Drejtësi, në një tjetër reagim nga europarlamentari Knut Fleckenstein. Përmes një mesazhi në Twitter, ai thotë se tani është koha për të votuar. “Shqipëri: Propozimi i fundit është në tavolinë. Këshilla ime: Fund diskutimeve, votoni!”, shkruante Fleckenstein. Bëhej fjalë për një propozim, i cili në thelb respektonte kërkesën e Partisë Demokratike, propozim i cili vinte në përputhje me rekomandimin e Komisionit të Venecias dhe që garantonte mos kapjen e drejtësisë.
Çfarë parashikon procesi i vettingut
Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani shjegoi domethënien e Vetingut, një procedurë e cila ka ngatërruar jo pak opinionin publik në lidhje me reformën në drejtësi. Manjani tha se do shqyrtohet e gjithë pasuria e tyre, si dhe sjellja në raport me detyrën në tre vitet e fundit. “Shqyrtimi i këtyre të dhënave do realizohet nga ky komisione të caktuara, bazë, është një komision bazik që do kryejë procesin e rivlerësimit, që do funksionojë si gjykatë, me trup gjykues, i cili përbëhet nga 12 persona, janë të gjithë shqiptar, mbi këtë strukturë do të jetë një mekanizëm apeli i cili funksionon pranë Gjykatës Kushtetuese, nuk është Gjykatë Kushtetuese, por është pjesë e saj. Për të kontrolluar sistemin do të jenë dy komisionerë publik të cilët janë syri dhe veshi i opinionit publik në gjithë këtë sistem, që janë po shqiptar”, tha ai. Manjani theksoi se e gjithë kjo kakofoni ka ardhur si pasojë e mënyrës se si do zgjidhen këto komisionerët në këtë strukturë edhe tek komisioni i nevelit të parë, edhe tek apeli dhe deri tek komisionerët publik, këtu ndodhi i gjithë ngërçi.
Arben Shahini