Pas reformës administrativo-territoriale, plani i zhvillimit vendor shihet si dokumenti themelor që do të projektojë të ardhmen e 15 viteve në vazhdim të Bashkisë Shkodër. Me këtë përkufizim e kanë përshkruar punën që po bëhet në këtë drejtim, ekspertët që janë angazhuar në hartimin e këtij dokumenti strategjik në Bashkinë e Shkodrës. Gjatë takimit të tretë konsultativ u theksua se në analizë janë marrë edhe planet ekzistuese, ndërsa parashikohet që deri në 2030 Shkodra të jetë një portë e rëndësishme kombëtare.
“Bujqësia në Bashkinë Shkodër luan një rol tejet të rëndësishëm përsa i përket zhvillimit ekonomik. Krijimi i markave të produkteve karakteristike bujqësore, promovimi i bujqësisë organike, zgjerimi i zonave të mbrojtura në lumin Bunë, e cila tashmë parashikohet si një Park Kombëtar dhe zgjerimi i Parkut Alpet”, tha Ledian Bregasi, koordinator i planit.
“Turizmi gjithëvjetor do të jetë një vlerë e shtuar në ekonominë vendore kombëtare, duke garantuar larmishmërinë në zhvillim me anë të ekoturizmit, agroturizmit, turizmit kulturor, malor dhe ujor. Një bashki, e cila promovon dhe mbështet sipërmarrjet e reja duke tërhequr talentin vendas dhe rajonal”, tha Ledio Allkja, ekspert.
Shkodra do të ketë disa përkufizime në këtë plan, që sipas ekspertëve e bëjnë më të qartë objektivin që është menduar për vitet në vijim. “Shkodra po përjeton vështirësi të mëdhaja dhe natyrisht do që një nga tre instrumentat që zgjidhin probleme që janë burime financiare, njerëzore dhe planifikimi është shumë serioz”, tha ai.
Ky plan e projekton Shkodrën si një qytet të jetueshëm, të qëndrueshëm, i përshtatshëm dhe i zgjuar. E jetueshmja lidhet me formën urbane, lëvizshmërinë dhe gjithëpërfshirjen. E qëndrueshme: përdor asetet mjedisore me zgjuarsi, investime të koordinuara dhe efiçente, si dhe mbështet bizneset lokale dhe rininë.