Gjykata e Apelit në Tiranë, nuk ka pranuar t’i ndryshojë masat e sigurisë ndaj 4 të arrestuarve, punonjës të Aeroportit të Rinasit për akuzën e “shpërdorimit të detyrës”. Gjykata nuk pranoi të lirojë nga burgu shtetasit Arben Karafili, Bledar Blloshmi, Fadil Jonuzaj dhe Kujtim Piciri me arsyetimin se nuk ka ndryshuar asnjë rrethanë lehtësuese ndaj të dyshuarve që nga momenti i arrestimit. Të katër të dyshuarit ankimuan vendimin e Gjykatës së Krujës që i caktoi masat e sigurisë “arrest me burg”. Por dosja tashmë është transferuar pranë Prokurorisë për Krime të Rënda ku edhe janë caktuar masat e reja të sigurisë, atë të arrestit me burg’.
Të dyshuarit edhe para Apelit kanë mohuar akuzat, duke u shprehur se nuk janë ata personat përgjegjës për ruajtjen e pistës së aeroportit ku u grabitën paratë e bankës së nivelit të dytë. Sipas akuzës, të 4 të dyshuarit në bashkëpunim me njëri-tjetrin e role të ndryshme nuk kanë marrë masa për të rritur sigurinë në Aeroportin e Rinasit, duke i lehtësuar indirekt punën grabitësve që vodhën më shumë se 10 milionë euro.
Prokuroria e Krimeve të Rënda po përqendron hetimet tek mungesa e masave të sigurisë në Aeroportin e Rinasit, pas grabitjes në pistën e Aeroportit. Burime nga grupi i hetimit bëjnë të ditur se do të ketë hetime të plota edhe për veprimet e mosveprimet e policisë. Prokuroria ka sekuestruar një sërë dokumentesh të policisë që mund të çojnë në zbardhjen e grabitjes spektakolare në Aeroportin “Nënë Tereza”.
Në kuadër të hetimit për masat e sigurisë, Prokuroria ka sekuestruar të gjitha kontratat që shteti shqiptar ka me autoritetin e aeroportit dhe më tej, ky autoritet me kompaninë private, që ruan pistën e avionëve. Krahas zyrtarëve të policisë, Prokuroria pritet të përfshijë në hetime edhe përfaqësues të Autoritetit të Aviacionit Civil apo Ministrisë së Transporteve. Sipas organit të akuzës, ata edhe pse kanë konstatuar problematikë me sigurinë në aeroport, nuk kanë marrë asnjë masë për zgjidhjen e tyre.
Bëhet e ditur se, Prokuroria ka sekuestruar edhe dokumentacionin për kontratën e koncesionarit TIA që menaxhon Aeroportin e Rinasit, kontrata e nënkontraktorit të sigurisë private ICTS, rregulloret e funksionimit të brendshëm të sigurisë në aeroport si dhe roli i çdo punonjësi që ka lidhje direkte me pistën e avionëve dhe sallat e komandimit.
Po ashtu, Prokuroria ka sekuestruar tashmë të gjithë letër këmbimin e Komisariatit të Policisë së Rinasit, koncesionarit TIA dhe Autoritetit të Aviacionit Civil në lidhje me shqetësimet e ngritura prej më shumë se dy vitesh për mungesë të kamerave të sigurisë.
Një tjetër dokument, i cili është kërkuar nga hetuesit është dhe raporti i realizuar më 20 prill 2016 nga Aviacioni Civil dhe Policia e Shtetit për testet e sigurisë në Rinas, ku rezulton se në aeroport është futur tritol, armë e ftohtë dhe është hapur porta e karburanteve pa u vënë re nga askush e njëjta portë në të cilën u futën dhe grabitësit.