Email-i i Hahn: Të votohet sipas asaj që ramë dakord bashkarisht

Komisioneri i Bashkimit Europian, Johannes Hahn u ka dërguar një email mëngjesin e  djeshëm tre liderëve të politikës shqiptare, Kryeministrit Edi Rama, kryedemokratit Lulzim Basha dhe kryeparlamentarit Ilir Meta, duke iu referuar burimeve, shkruan se eurokomisioneri Hahn kishte mbetur i habitur nga prishja e konsensusit që kishte ndodhur mbrëmjen e djeshme. “U surprizova nga lajmet e natës. Është koha të votohet sipas asaj që ramë dakord bashkarisht. Thjesht mirëpresim votën konsensuale sipas marrëveshjes politike të arritur”, mësohet të jetë shkruar në email. Konsensusi i djeshëm mes palëve politike u arrit me ndërmjetësimin e komisionerit Hahn, por u prish në mbrëmje nga PS. Komisioneri Hahn i dërgoi një letër të mërkurën Kryetarit të Kuvendit Meta, Kryeministrit Rama dhe Kryetarit të opozitës Basha, në të cilën shprehte qëndrimin zyrtar të Brukselit në lidhje me rolin e vëzhguesve në procesin e vetingut: Roli i Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM) duhet të bazohet në Kushtetutën aktuale. Rikonfirmoj se sikurse është bërë e ditur në diskutimet e mëparshme, ONM do të ofrojë vetëm rekomandime, të cilat do të jenë të shoqëruar me arsyetimin përkatës, i cili duhet të bazohet në ligjet e vendit. Letra e Zotit Hahn ishte e shkurtër dhe nuk linte dyshime për një nga çështjet më të debatuara të reformës. Qëndrimi zyrtar i BE-së do të thotë: Vëzhguesit e huaj do të bëjnë vetëm rekomandime; Vëzhguesit e huaj duhet t’i mbështesin rekomandimet e tyre në fakte; Vëzhguesit duhet të konsiderojnë si shkak për rekomandime negative vetëm ato që bien ndesh me ligjet e vendit. Siç u konfirmua pak pas publikimit të kësaj letre, pikat e kontestuara nga opozita janë pranuar nga Bashkimi Europian dhe SHBA, duke i hapur kështu dritën jeshile miratimit të Reformës në Drejtësi, në seancën plenare të së enjtes. “Në vijimësi të telefonatave respektive me të tre ju, dje dhe sot, dua të theksoj pikat e të ashtuquajturit “propozim hibrid” që është në tavolinë. Këto pika janë vija e kuqe e komunitetit ndërkombëtar, siç kemi theksuar në mënyrë të vazhdueshme gjatë procesit. E para, roli i Operacionit Ndërkombëtar Monitorues (ONM) duhet të ketë një bazë solide brenda në Kushtetutë. Së dyti, e rikonfirmoj, ashtu siç jemi shprehur edhe gjatë diskutimeve se, ONM do të japë vetëm rekomandime, të cilat nuk janë të detyrueshme ligjërisht. Megjithatë, këto rekomandime do të përfshijnë një arsyetim në të cilin pozita e mbajtur do të shpjegohet në bazë të kritereve të përcaktuar në legjislacion. Kam besim se mund të vijojmë me këto terma. Siç diskutuam, ju lutem konfirmojeni këtë sa më shpejt, duke i kthyer përgjigje këtij mesazhi, që vota në Parlament të mbahet të enjten”, shkruan Hahn në letrën drejtuar liderëve politikë në Shqipëri.

Artikulli paraprakFleckenstein: Zgjedhje të reja nëse qeveria nuk është e aftë të funksionojë
Artikulli tjetërVrasësi Prenga në Kuvend për të votuar Reformën