Haradinaj: Nëse zvarriten zgjedhjet, shpërbëjmë Parlamentin me votën tonë

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj, në një intervistë për Zërin e Amerikës, tërhoqi vërejtjen në siç tha, problemet në drejtpeshimin e trysnisë së bashkësisë ndërkombëtare ndaj Kosovës. Zoti Haradinaj i cili një ditë më parë u kthye nga Haga ku ishte thirrur nga Prokuroria e Posaçme për krime lufte në Kosovë, kishte treguar se ai është detyruar të jap dy herë dorëheqje për t’u përballur me drejtësinë ndërkombëtare, shqetësime të tilla nuk kanë udhëheqësit aktual serb, që ishin pjesë e regjimit të Slobodan Millosheviçit.

Zëri i Amerikës: Zoti Haradinaj, sot është bërë një javë që nga dorëheqja juaj nga posti i kryeministrit dhe po sot keni mbledhur qeverinë mes debatesh nëse mundeni apo nuk mund ta bëni këtë? Si i shihni ju këto debate?

Ramush Haradinaj: Mendoj që është mirë që ka diskutime për tema, edhe për temën e qeverisjes. Pas dorëheqjes së një qeverie, në këtë rast dorëheqjes sime, tash nuk guxojmë të lejojmë bashllëk, krejtësisht boshllëk qeverisës, sepse mund të rrezikohet funksionimi i jetës, shëndetësia, komunikacioni dhe tema tjera të jetës edhe është precedent i krijuar jo veç te ne, por edhe te vendet tjera pas dorëheqjes së qeverisë duhet të vazhdoj me punë dhe nuk guxojmë të lejojmë boshllëk qeverisës deri në zgjedhjen e qeverisë së re. Edhe unë e marr përsipër këtë sepse e kam cekur edhe te shkresat e dorëheqjes, nëse ka vendim tjetër nga Gjykata Kushtetuese e respektojmë.

Zëri i Amerikës: Disa organizata të shoqërisë civile kanë dalë me një deklaratë me të cilën kundërshtojnë mbajtjen e mbledhjes ose caktimit të anëtarëve të bordeve. Si ju përgjigjeni?

Ramush Haradinaj: Përgjigja është kjo; nuk guxoj të lejoj boshllëk qeverisës, një vendim të tillë se a guxoj me vazhdu me qeveris mund ta merr vetëm Gjykata Kushtetuese. Precedentët e mëhershme kanë ekzistuar te vazhdimi i qeverisjes në çdo vend të botës nuk ka boshllëk, pra nuk mbetet pa qeverisje deri në zgjedhjen e qeverisë së re edhe unë do të vazhdoj kështu. Nëse këto organizata e vlerësojnë me rëndësi së bashku edhe me partitë parlamentare sepse kam dëgjuar edhe deputet edhe parti parlamentare. është mirë t’i drejtohen me urgjencë Gjykatës Kushtetuese.

Zëri i Amerikës: Ju u kthyet dje nga Haga ku zgjodhët të mos përgjigjeni në pyetjet e prokurorëve. Përse zgjodhët heshtjen zoti Haradinaj?

​Ramush Haradinaj: Unë kam qenë i mbështetur nga një ekspert ligjor i cili pas diskutimit për arsyen pse jam i thirrur, vlerësoi se ky është pozicioni i duhur.

Zëri i Amerikës: Që nga dorëheqja juaj është diskutuar për mundësinë e një lidhjeje ndërmjet thirrjes për t’u paraqitur në Hagë dhe qëndrimeve tuaja politike rreth tarifave ndaj mallrave serbe. A shihni ju ndonjë lidhje të tillë?

Ramush Haradinaj: Do të thotë unë e kam kryer obligimin ligjor si rezultat i një ftese për t’u paraqitur si i dyshuar në bisedë hetuese. Kam dhënë dorëheqje prej kryetarit të qeverisë dhe vetvetiu kjo ka ndikime politike ftesa, duke pasur parasysh faktin se unë kam qenë dy herë në procese gjyqësore dhe ja kam dhënë mundësinë drejtësisë ndërkombëtare që ta shqyrtoj atë periudhë, periudhën e luftës në tërësi. Jam mjaft i habitur me këtë ftesë. Ka plot dyshime në Kosovë se mund të jetë një konspiracion, por ajo që mund të konfirmoj është që besoj në ato qëndrime politike që i kam shprehur në mënyrën më të sinqertë ndaj partnerëve ndërkombëtarë e që është pra; kufijtë e Kosovës nuk janë të diskutueshëm dhe nuk bën të diskutohet për territorin dhe kufijtë, marrëveshja me Serbinë duhet të arrihet për njohje reciproke në kufijtë ekzistues sepse për Kosovën është e papërballueshme një krijesë si Dodik Republikë sepse na e bjen Rusinë në Kosovë dhe njëkohësisht tregtia e lirë pra duhet të jetë e arritur me njohje edhe tarifa hiqet me njohje. Këto qëndrime janë reale dhe vazhdoj t’i paraqes si këtilla dhe kërkoj prej bashkësisë ndërkombëtare, aleatëve tanë, që ta ndalin presionin e padrejtë mbi Kosovën sikur për tarifat po ashtu edhe tema tjera për shkak se nuk është në rregull të pranohen kushtet e Serbisë për dialog për shkak se ofendohet pala, në këtë rast që jemi ne viktimë. Imagjinoni unë jam kryetar qeverie. Thirrem për të dytën herë për të dëshmuar para një gjykate ndërkombëtare. E kam dhënë dorëheqjen njëherë e kam dhënë dytën herë, ndërsa në anën tjetër është zoti (Aleksandër) Vuçiç që ishte ministër i zotit (Slobodan) Millosheviç dhe dihet që regjimi i Millosheviçit çfarë krime ka kryer në Ballkan jo veç në Kosovë por edhe në vende tjera edhe ai nuk ka shqetësime të asnjë natyre. Pra kjo dëshmon një disbalanc të logjikave të presionit të bashkësisë ndërkombëtare e që duhet të korrigjohen sa më shpejt.

Zëri i Amerikës: Kur flisni për aleatët, cilët po bëjnë trysni?

Ramush Haradinaj: Mendoj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian.

Zëri i Amerikës: Zoti Haradinaj, presidenti i Kosovës paralajmëroi për javën e ardhshme fillimin e këshillimeve me partitë politike për të gjetur një zgjidhje pas dorëheqjes suaj. Cili besoni se do të jetë përfundimi i këshillimeve: zgjedhjet apo një zgjidhje e ndërmjetme?

Ramush Haradinaj: Në situatën e krijuar pas dorëheqjes, unë i kam propozuar presidentit fillimin e e procedurave për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme dhe ky ka qenë vullnet i gjithë spektrit politik. Pra të gjitha partitë politike janë deklaruar për dëshirën dhe domosdoshmërinë me shku në zgjedhje dhe kësisoj mendoj se shpërbërja e parlamentit dhe shkuarja në zgjedhje është mundësia e duhur.

​Zëri i Amerikës: A është vonuar me këtë vendim?

Ramush Haradinaj: Po nëse ka bërë përgatitje në të njëjtën kohë edhe shfrytëzon këtë kohë për ndonjë vendim që do të përshpejtonte mbajtjen e zgjedhjeve, atëherë nuk mund të quhet vonesë ende. Mirëpo nuk është mirë të vonohet Kosova edhe vendimi duhet t’i kthehet sovranit, në mënyrë që sa më shpejt sovrani të vendosë se si do të udhëhiqet në të ardhmen Kosova.

Zëri i Amerikës: Kur do të ishte koha e përshtatshme, për mbajtjen e zgjedhjeve?

Ramush Haradinaj: Ne nuk kemi datë të preferuar. Ne mendojmë se duhet të respektohen afatet kushtetuese e ligjore dhe në këto afate të shpallen zgjedhjet. Data duhet të jetë konsensus i përbashkët i gjithë spektrit politik edhe i komuniteteve etnike, të gjithëve që jetojmë në Kosovë. Unë jam deklaruar disa herë që Kosova e ruan paprekshmërinë e vet edhe paprekshmërinë në shumë etni edhe mendoj se zgjedhjet janë një mundësi e mirë e të gjithëve që jetojnë në Kosovë edhe e shqiptarëve edhe e komuniteteve, pra të gjithëve që të ripërtërijmë besimin ose të zgjedhin ata që i besojnë për më tutje.

Zëri i Amerikës: Deri tani si kanë shkuar gjërat, a prisni që gjatë verës të ketë zgjedhje apo në vjeshtë?

Ramush Haradinaj: Gjatë verës është pamundshme sepse vetvetiu kërkohet një afat kohor i paraparë, pra nuk mund të ketë zgjedhje para 45 ditëve ndërsa sipas kalkulimeve kohore që i kam menduar unë, zgjedhjet mund të vijnë për rreth 70 ditë, pra ashtu është koha, tridhjetë janë të afatit të caktimit të datës, pastaj 45 janë vet periudha në mes të caktimit deri në zgjedhje, janë zgjedhje të parakohshme pra kjo mund të jetë fundi i shtatorit ose fillimi i tetorit mendohet se mund të jetë koha e mbajtjes së zgjedhjeve, duhet të jetë ditë e diel për shkak se votohet të dielën.

Zëri i Amerikës: Zoti Haradinaj ka shumë opinione se tashmë procesi po zvarritet. Çfarë do të bëni ju në rast se ky proces vazhdon të zvarritet më tej?

Ramush Haradinaj: Ne jemi shprehur të gatshëm të shpërbëjmë parlamentin me votën tonë, pra çdo veprim që përshpejton shkuarjen në zgjedhje do ta japim si Aleancë për Ardhmërinë e Kosovës.

Zëri i Amerikës: Zoti Haradinaj, jeni kritikuar nga një pjesë e kolegëve tuaj në qeveri për mos informim për vendimin e dorëheqjes tuaj nga pozita e kryeministrit. Përse nuk i keni informuar?

Ramush Haradinaj: Dorëheqjen e kam paraqitur në qeveri aty ku janë kolegët e qeverisë, pra ai është vendi ku i informoj dhe aty i kam informuar.

​Zëri i Amerikës: Zoti Haradinaj, një çështje që mbetet e paqartë është vazhdimi i bisedimeve me Serbinë. A do të mund të vazhdojë një proces i tillë edhe pa qeverinë tuaj, do të thotë në pozitën që aktualisht gjendeni?

Ramush Haradinaj: Mendoj se dialogu duhet të vazhdojë në çdo kohë. Mirëpo një dialog pa kushte dhe një dialog i kornizuar. Pra duhet të dimë për çka po bisedojmë. Unë kam kërkuar që të ketë një kornizë marrëveshje për njohje reciproke në kufijtë ekzistues e për të cilin atëherë të dialogojmë ose negociojmë. Nuk është mirë të vazhdohet një dialog i padefinuar edhe që pastaj mund të na sjellë befasi si rasti i dialogut nën zonjën (Federica) Mogherini dhe befasitë që na i solli.

Zëri i Amerikës: A ishin këto që çuan edhe në përplasje me partnerët e koalicionit?

Ramush Haradinaj: Po ne kemi pasur disa thyerje në proces, të vazhdueshme. Megjithatë, dorëheqja është bërë për shkak të ftesës të gjykatës. Sikur ajo ftesë mos të kishte ardhur, unë nuk do të jepja dorëheqje dhe sot do të isha kryetar qeverie dhe nuk do të ishim duke folur për zgjedhje. Ftesa është bërë dhe nuk kam mundur, te nocioni i sovranitetit kryetari i qeverisë paraqet një vlerë të madhe të sovranitetit të shtetit sepse ne jemi republikë parlamentare dhe pushteti është i koncentruar në ekzekutiv tek kryetari i qeverisë, pra nuk kam mundur ta çojë kryetarin e qeverisë para hetuesve pra jam detyruar të mbroj shtetin, me mbrojt nocionin tonë dhe të drejtën tonë në sovranitet dhe nderin tonë si institucione por edhe nderin e luftëtarit shqiptar, nuk shkoj atje i veshur me pushtet por kam shkuar si qytetar dhe në këtë rast unë kam shkuar si Ramush Haradinaj.

 

Artikulli paraprakKLSH: Vetëm 550 milionë lekë nga bashkitë për banesat sociale
Artikulli tjetërBasha nga Saranda: 30 qershori jokushtetues, çdo produkt i tij është nul