Një nga gazetat më të rëndësishme në Gjermani, Frankfurter Allgemeiner Zeitung ka publikuar një shkrim për situatën e krijuar në Tiranë pas protestës për Teatrin Kombëtar.
Gazeta thekson se Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit ka pushtuar godinën
Pas protestave të studentëve dhe pas muajsh të tërë me demonstrata kundër qeverisë socialiste, në kryeqytetin shqiptar, Tiranë, ka pasur sërish përplasje mes policisë dhe civilëve. Bëhet fjalë për shkatërrimin e Teatrit Kombëtar, të ndërtuar në vitin 1939, pas sheshit kombëtar me emrin Skënderbej. Lëvizja ‘Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit’ ka pushtuar teatrin që nga e mërkura.
Godina historike do të shembet për t’u zëvendësuar nga gjashtë rrokaqiej. Marrëveshja detyron një kompani private, e cila merr përsipër projektin, edhe për ndërtimin e një Teatri të ri Kombëtar në shesh. Shitja e pronës prej 8500 metrash katrorë është shumë kontroverse. Qeveria shqiptare dhe Erion Veliaj, kryebashkiaku i Tiranës, thonë se gjithçka bëhet në shërbim të popullit.
Lëvizja për teatrin e akuzon qeverinë për veprimtari kriminale dhe ka lëshuar një manifest që bën thirrje për mbështetje ndërkombëtare.
Gazeta bisedoi me aktivistin Besjan Pesha për gjendjen aktuale dhe arsyet e protestës.
Zoti Pesha, aktorët, shkrimtarë dhe qytetarët janë bashkuar duke protestuar çdo ditë për një vit kundër prishjes së ndërtesës. Tani për tani, lëvizja juaj e mban teatrin të zënë. Si erdhëm deri këtu?
Ne pushtuam ndërtesën e teatrit sepse Ministria e Kulturës kishte nisur me pastrimin e inventarit, për të bërë gati prishjen. Për disa ditë, ne ishim vazhdimisht këtu, disa aktivistë qëndronin edhe gjatë natës. Të mërkurën pati një përleshje përpara godinës së teatrit me policinë, të cilët kishin mbërritur edhe me njësitë speciale. Pjesërisht kjo përplasje ishte e dhunshme. Ne vendosëm të zaptojmë ndërtesën për ta mbrojtur. Policia nuk u tërhoq deri pasdite, pas bllokimit të hyrjeve të teatrit, duke ndaluar furnizimin me ushqim dhe ujë, pavarësisht nga nxehtësia ekstreme dhe mungesa e ujit dhe dritave. Ndërkohë nuk pati asnjë komunikim zyrtar- sikur të ishte një aksion shumë sekret.
Teatri Kombëtar është me të vërtetë në një gjendje shumë të keqe. A nuk do kishte kuptim investimi për një godinë të re?
Po, ndërtesa e teatrit është në një gjendje shumë të keqe, pasi asgjë nuk është bërë për 18 vjet. Por këtu bëhet fjalë për një vjedhje të publikes. Teatri dhe trualli janë një pronë publike. Këto 8500 metra katrorë do i jepen një kompanie- me arsyetimin se nuk ka lekë për ndërtim apo restaurim. Sipas përllogaritjeve tona, projekti i planifikuar kap një vlerë prej 240 milionë euro. Një ndërtim i ri i teatrit do të kushtonte dhjetë milionë euro, një rinovim i ndërtesës rreth 2 milionë euro. Por qeveria nuk është e interesuar në ruajtjen e ndërtesës së teatrit. Ata duan të ndërtojë kulla të larta dhe kështu të ndjekin interesat e pastra ekonomike. Ndërsa sipërmarrësit privatë dhe elita politike fitojnë miliona, qytetarët humbasin hapësirën e tyre publike dhe një pjesë të trashëgimisë së tyre kulturore.
A nuk ishte kjo një godinë e mbrojtur si monument?
Po, deri tre vjet më parë ishte kështu, si shumë ndërtesa të tjera në sheshin Skënderbej. Mbrojtja si monument u shfuqizua me arsyetimin se nuk kishte ndonjë vlerë të veçantë kulturore për Shqipërinë. Por shumë arkitektë dhe OJQ, përfshi këtu edhe Europa Nostra, kanë folur dhe kanë kërkuar mbrojtjen dhe ruajtjen e godinës.
Komisioni Europian gjithashtu është angazhuar gjatë vitit të shkuar. A mundet të bëjë diçka ai?
Megjithëse Komisioni Europian reagoi në atë kohë, kryesisht u ankua për mospërputhje në rregullat e konkurrencës. Sepse kur u miratua ligji i posaçëm për shitjen e tokës, projekti iu dha një kompanie shqiptare pa garë. Pas ankesave të Komisionit, u hap një garë, por në kushte të diskutueshme. Konkursi përfundon në një muaj e gjysmë, por tashmë është e qartë se çfarë do të ndodhë.
Çfarë shpresoni tani nga vazhdimi i pushtimit?
Me pushtimin ne duam që të arrijmë që vendimi për teatrin të shtyhet derisa Gjykata Kushtetuese të shqyrtojë ligjin e miratuar. Për momentin, gjykatat shqiptare nuk mund të veprojnë sepse janë duke u shqyrtuar gjerësisht në kuadër të reformës në drejtësi. Ne gjithashtu bëjmë thirrje për një referendum lokal, duke u dhënë qytetarëve kohën e mjaftueshme për t’u informuar. Qytetarët më pas të vendosin se çfarë do të ndodhë me Teatrin e tyre Kombëtar dhe me hapësirën publike mbi të cilën qëndron ai.
Lajmi në gazetën gjermane: