Fuqia e një ëndrre

Red VARAKU

Ata patën kurajën të ëndërrojnë që mund t’ia dilnin të vetëm. Ata patën forcën të besojnë që nuk ka forcë që mund t’i ndalë nëse kauza e tyre është e drejtë.

Ata rezistuan me shumë përkushtim pa u dorëzuar, as atëherë kur dukej sikur ëndrra ishte një marrëzi. Ata luftuan deri në fund. E fituan betejën e tyre duke bërë që ëndrra e tyre të bëhej realitet.

Kjo është forca e idealizmit të një grushti të vogël njerëzish, tē cilët në kohëra jashtëzakonisht të vështira kur të gjithë i kishin kundër, morën në sy një rrezik shumë të madh.

Vunë ‘bast’ gjithshka! Jetën e tyre, pasurinë e tyre, familjen e tyre, për një ëndërr. Për një ëndërr që dukej shumë e madhe për supet e një grushti të vogël njerëzish.

E, kur mendon sa e madhe është fuqia e një ëndrre të një grushti njerezish të zakonshëm, por me kurajo të jashtëzakonshme për ta ndjekur ëndrrën e tyre!

Një grusht njerëzish që në këtë kaos shoqëror, morën guximin të sfidojnë një pushtet shumë të dhunshëm.

Ata po na japin një mësim sa të madh, aq edhe të thjeshtë: kur njerëzit besojnë dhe kanë guximin që për atë që besojnë të sakrifikojnë, gjithçka që kanë, pa as më të voglin dyshim shkruajnë dhe e ndryshojnë historinë.

Kur guxojnë dhe kur e ushqejnë besimin e tyre bëhen padyshim jo vetëm zëdhënës as vetëm bartës, por edhe realizues të ndryshimit të mirë.

Nisma e tyre që përfshiu kaq shumë njerëz, pikërisht, që t’i bashkonte njerëzit në një hapësirë ku pa frikë, dhe madje me krenari, të hidhnin farën e ëndrrës së tyre.

Ndoshta, mbase është ajo pjesa e ëndërrtarit brenda tyre që i thotë që një jetë pa ëndrra është një jetë pa shpresë.

Por as njeriu më i pasur në botë, as njeriu më i plotfuqishëm në botë , as njeriu më i talentuar në botë nuk mund të ndalojë dot së ëndërruari, sepse nëse ndalon, duhet të pranojë se ka ndaluar së jetuari.

 

Artikulli paraprakEdi Rama, Hashim Thaçi dhe Batoni punojnë për lidershipin rajonal të Serbisë?!
Artikulli tjetërPushtohet nga trupat speciale Bashkia e Devollit, qytetarët në protestë