Meta i shkruan Ramës dhe Lleshit, çfarë pritet të ndodhë?

Presidenti Ilir Meta ngre alarmin për një tërmet “apokaliptik” që sipas sizmiologëve pritet të godasë Ballkanin.

Përmes një letre drejtuar kryeministrit Edi Rama, ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj dhe ministres së Mbrojtjes Olta Xhaçka, Meta thotë se bazuar në deklaratat e sizmiologut grek Akis Tselentis, Ballkani do të goditet nga një tërmet 30 herë më i fuqishëm se ai që ra pak ditë më parë në Athinë.

Meta kërkon të dijë nëse qeveria është e informuar për deklaratat e Tselentis, dhe nëse autoritetet shqiptare janë të përgatitura për një goditje të tillë sizmike. Kreu i shtetit shprehet i gatshëm të mbledhë Këshillin e Sigurisë Kombëtare lidhur me këtë çështje.

LETRA E PLOTË

Të nderuar,

Nëpërmjet medias ndërkombëtare dhe kombëtare jam informuar mbi paralajmërimin për një tërmet apokaliptik që pritet të godasë Ballkanin. Paralajmërimi ka ardhur nga sizmiologu i njohur, zoti Akis Tselentis, drejtor i Institutit Gjeodinamik Obsarvatori Kombëtar i Athinës.

Sizmiologu Tselentis ka paralajmëruar për një tërmet apokaliptik që pritet të godasë Ballaknin, që mund të jetë 30 herë më i fuqishëm se ai që goditi para disa ditësh rajonin e Athinës.

Për shkak të karakteristikave të veta sizmike vendi ynë është një nga vendet me sizmicitetin më të lartë në Europë. Prandaj Shqipëria është një vend i kërcënuar nga kjo dukuri natyrore

Për sa më sipër, kërkoj nga ana juaj të informohem mbi:

Institucionet përgjegjëse, a kanë kontaktuar me sizmiologun Tselentis dhe institucionet homologe të rajonit lidhur me të dhënat e tyre për paralajmërime të tilla?

Cilat janë kapacitetet tona për përballimin dhe masat e marra nga ana juaj , nëse vendi ynë do të goditet nga një tërmet i përmasave të tilla.

Çfarë masash janë marrë apo do të merren për të reaguar në kohë dhe për të minimizuar pasojat e mundshme në nivel qëndron dhe vendor?
Nëse e gjykoni të domosdoshme, jam i gatshëm të mbledh Këshillin e Sigurisë Kombëtare menjëherë qoftë dhe vetëm për këtë çështje, pasi çdo nënvlerësim i situatës mund të jetë me pasoja tragjike për jetën e qytetarëve në radhë të parë.

Presidenti i Republikës

Artikulli paraprakPër çfarë flet Ambasadori i BE, Soreca?!
Artikulli tjetërBerisha denoncon skandalin: Pas Akademisë së Shkencave, Edvin Mafia merr dhe Dhomën e Tregtisë!