Përpara një jave, Juventusi kishte vënë në dije Paulo Dybala se është në shitje dhe se do të pranohen ofertat e duhura, ndërsa në anën tjetër argjentinasi e ka kuptuar se me Sarrin do të ketë shumë pak hapësira, duke qenë se Cristiano Ronaldo do të luajë në krah dhe do të duhet një qendër sulmues.
Kështu, pasi është konsultuar edhe me agjentin e tij, ka vendosur që të pranojë të largohet, por me një kusht bazë: do ta zgjedhë ai skuadrën dhe sidomos pasi kjo e fundit të ketë kënaqur pretendimet ekonomike. Kështu, tratativa me Manchester United për shkëmbimin me Lukakun po procedon dhe shpresa është që të mbyllet brenda datës 2-3 gusht, duke qenë se Premier nis në datën 8 gusht.
Agjenti i Dybala ka udhëtuar në Angli, ku në Mançester është takuar me drejtuesit e United, duke prezantuar kërkesën e lojtarit: 10 mln euro rrogë në sezon për katër vitet e ardhshme. Nëse “Djajtë e Kuq” do të bien dakord, atëherë Lukaku do të udhëtojë drejt Italisë, nga e cila mund të largohet edhe Mario Mandzukic.
Solskjaer po bën vlerësimet e duhura për kroatin, pasi mosha e tij pengon disi në zgjedhje.