Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Këshilltari i Komisionit Amerikan të Helsinkit, Robert Hand, thotë se kriza e shumëfishtë në Shqipëri ndodh në një moment kritik për vendin, ndërsa Bashkimi Evropian pritet të marrë vendimin për hapjen ose jo të negociatave të anëtarësimit dhe në një kohë që Shqipëria pritet të marrë kryesinë e radhës të OSBE-së vitin e ardhshëm.
Vendi në këtë moment ka nevojë për një udhëheqje të përgjegjshme politike, shton ai. Me zyrtarin e lartë të Komisionit amerikan për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë bisedoi shefi i Shërbimit Shqip të Zërit të Amerikës, Arben Xhixho.
Zëri i Amerikës: Zoti Hand, Shqipëria e gjen sot veten në një krizë të thellë politike dhe institucionale. Dy gjykatat më të larta të vendit nuk funksionojnë, partitë kryesore të opozitës janë jashtë parlamentit dhe ndaj presidentit ka filluar procesi i shkarkimit. Si i shikoni ju këto zhvillime në Shqipëri?
Robert Hand: Mendoj se situata e tanishme është përmbledhur më së miri nga kryetarja e misionit vëzhgues të OSBE-së, Audrey Glover në përfundim të zgjedhjeve, kur theksoi se “zgjedhjet u zhvilluan pa e marrë shumë në konsideratë interesin e elektoratit” .
Ky vlerësim vlen edhe për problemet e tjera të sotme. Lufta politike mes partive, ose mes udhëheqësve të partive, zhvillohet pa marrë parasysh nevojën për përparimin e vendit. Dhe e gjithë kjo ndodh në një moment tepër kritik, kur Bashkimi Evropian pritet të marrë në tetor vendimin për të hapur ose jo negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Ky është një hap i rëndësishëm dhe ne e dimë se brenda BE.-së ka vende që nuk janë pro zgjerimit dhe situata e sotme në Shqipëri ua bën më të lehtë këtyre vendeve të thonë le të mos i hapim dyert. Mendimi im është se Këshilli i Evropës duhet të rekomandojë hapjen e negociatave.
Ka ardhur koha dhe Shqipëria e meriton këtë. Një moment tjetër po aq kritik është fakti se Shqipëria po bëhet gati të kryesojë OSBE-në vitin e ardhshëm. Ky është një post i rëndësishëm, nuk është diçka simbolike, ku thjesht vë emrin në krye të listës së 57 vendeve anëtare.
OSBE-ja merret me konfliktin në Ukrainë, me agresionin rus, merret me konfliktet që egzistojnë në mbarë rajonin, merret me nxitjen e demokracisë në vende si Rusia por edhe në vendet e tjera të Azisë Qendrore. Arritja e suksesit në 2020 do të ishte shumë e vështirë në se vendi që ka kryesinë do ta ketë mendjen tek mosmarrëveshjet e veta të brendshme, në vend që të përfaqësonte Evropën për të ofruar zgjidhje për problemet me të cilat ndeshet rajoni në tërësi.
Zëri i Amerikës: Ju përmendët rolin e Shqipërisë kur të marrë kryesinë e radhës të OSBE-së, vitin e ardhshëm. Cilat pritet të jenë sfidat me të cilat do të ndeshet Shqipëria.
Robert Hand: Komisioni i Helsinkit, ku unë punoj, e ndjek nga shumë afër OSBE-në. Ne bashkëpunojmë me Departamentin e Shtetit dhe ndihmojmë për t’i dhënë formë politikës amerikane ndaj OSBE-së. Mund t’ju them se vitin e kaluar, kur dëgjuam për herë të parë që Shqipëria propozoi të kryesonte OSBE-në në vitin 2020, unë u tregova jashtëzakonisht mbështetës.
Është një mundësi e mire për Shqipërinë që të mos jetë një importuese e sigurisë dhe stabilitetit nga jashtë, por të kontribuojë në fakt për sigurinë në të gjithë rajonin e OSBE-së. Dhe unë mendoj se ajo mund ta bënte këtë shumë mirë. Ajo ka një trup diplomatik shumë profesional, ministri i Jashtëm që po e mbështeste këtë ide, ishte kompetent, ai kishte shumë vite përvojë.
Por ishte shumë zhgënjyes fakti që brenda një muaji pasi OSBE-ja u pajtua me idenë, në ministrinë e jashtme pati ndryshime. Ju e dini: tani ka një pikëpyetje nëse kjo përvojë është ende aty për të arritur ta shtyjë përpara OSBE-në.
Siç e përmenda më lart për shkak të agresionit rus në Ukrainë, por edhe të ndërhyrjeve diku tjetër në Evropë, situatën në Kaukaz, etj., OSBE-ja ka nevojë për udhëheqje të fortë, dhe unë vërtet shpresoj se Shqipëria do të jetë akoma në gjendje ta sigurojë atë udhëheqje, por sot jam pak më shumë i shqetësuar sesa isha vitin e kaluar kur u bë oferta e parë. Gjëja tjetër që do të thosha është se OSBE-ja, ose procesi i Helsinkit, ka qenë historikisht një fanar për shpresat e njerëzve, që të drejtat e tyre njerëzore të respektohen, që demokracia të përparojë.
Dhe, që një vend të kryesojë OSBE-në, ai duhet t’i mishërojë disi këto parime të Helsinkit për demokracinë, të drejtat e njeriut, dhe për sigurinë e vërtetë të përgjithshme. Kjo nuk do të thotë se çdo vend duhet të jetë si Norvegjia, ku gjithçka duket gjithmonë shumë paqësore shumë e qetë dhe shumë demokratike.
Por një vend duhet të priret në drejtimin e duhur dhe pikërisht këtu ka disa shqetësime, për shembull në media, në trajtimin e gazetarëve investigativë dhe ndoshta në dëshirën për të gjobitur njerëzit për atë që publikojnë në internet. Kreut të zyrës së OSBE-së do t’i duhet të shkojë në vende si Moska, ose Bakuja, apo vende të Azinë Qendrore, dhe të kërkojë një respektim më të madh të të drejtave të njeriut, të kërkojë lirimin e të burgosurve politikë, zgjedhje të lira e të ndershme, ose norma demokratike.
Është e vështirë ta bëjë këtë një vend kur nuk ecën në drejtimin e duhur. Kjo është një nga sfidat me të cilat do të ndeshet Shqipëria në 2020, po nuk ndryshoi kurs duke ecur në një drejtim më pozitiv.