Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Agron Shehaj, vijon të ngrejë hije dyshimi lidhur me tenderin e sistemit elektronik të kontrollit të faturave, që e konsideron si korruptiv dhe me kosto disafish më të lartë se çmimet e tregut për këtë lloj shërbimi.
Në një postim në llogarinë e tij personale në “Facebook”, Shehaj shkruan se kompania “Jehona Softëare shpk”, që u shpall fituese e tenderit prej 150 milionësh që llogaritet të mblidhen në një hark kohor 10-vjeçar, u shit 250 mijë euro vetëm 2 javë para hyrjes në garë.
Më tej, Shehaj ka publikuar edhe disa dokumente, të cilat sipas tij faktojnë po ashtu se kompania e mësipërme është blerë nga dy biznesmenë kroatë, të akuzuar për lidhje me vëllain e ish-kryeministrit kroat Zoran Milunoviç, i cili është këshilltar i kryeministrit Edi Rama.
Ish-deputeti thekson se pas implentimit të sistemit elektronik, çdo biznes në Shqipëri do të paguajë një kosto minimalisht nga 60-80 euro në vit për programin e detyrueshëm kompjuterik, në të cilin do regjistrojë çdo transaksion që kryen, shitje apo blerje.
Postimi i Shehajt:
Jehona Softëare shpk u shit 250.000 euro vetëm 2 javë para se të fitonte një tender me përfitime prej 150 milionë euro në 10 vitet e ardhshme. Jehona sofëëare shpk është blerë nga dy biznesmenë kroatë të akuzuar për lidhje me ish kryeministrin kroat dhe këshilltar të Edi Ramës. Blerja është bërë nëpërmjet një Kompanie kroate fantazmë të sapo krijuar.
Marrëveshja dhe vlera e shitjes prej 250.000 euro është mbajtur e fshehtë në Shqipëri, është raportuar vetëm në Regjistrin Tregtar Kroat (shiko dokumentin, 1.862.484 kuna) Fatura 15.2 milionë euro që Qeveria Shqiptare pagoi për tenderin e faturimit elektronik është vetëm maja e ajsbergut të kostove marramendëse që do paguajnë qytetarët dhe bizneset shqiptare për sistemin e ri.
Pas implentimit të sistemit, çdo biznes në Shqipëri do të paguajë një kosto minimalisht nga 60-80 euro në vit për programin e detyrueshëm kompjuterik, në të cilin do regjistrojë çdo transaksion që kryen, shitje apo blerje.
Sipas dokumentit të tenderit për sistemin e ri të faturimeve, aktualisht në Shqipëri janë 166 mijë kasa fiskale , të cilat do të dalin jashtë përdorimit. Të gjitha bizneset që kanë këto kasa do të detyrohen me ligj të blejnë programin e ri kompjuterik me vlerë minimale 60 deri në 80 euro në vit ( sipas Ministrisë se Financave).
Pra bëhet fjalë për një kosto prej 13 milionë euro në vit, që do të paguhet nga biznesi vetëm për programin kompjuterik të tatimeve. Janë 150 milionë euro vetëm në 10 vitet e ardhshme, por ky biznes do të vazhdojë pafundësisht.
Cdo vit, dhjetëra miliona euro do u merren bizneseve.