Juventusi bën goditjen e madhe në merkato. Bardhezinjtë janë afër firmës me Gonalzo Higuain. Mediat italiane raportojnë se, sulmuesi argjentinas ka kaluar me sukses vizitat mjekësore me bardhezinjtë në një klinikë të Madridit dhe tashmë pret të bëhet zyrtarisht pjesë e kampionëve të Italisë. Marrëveshja mes lojtarit dhe klubit torinez për një kontratë 4-vjeçare me një pagë prej 7,5 milionë eurosh në sezon është arritur prej disa ditësh, ndërsa tashmë Juventusit i mbetet të bindë presidentit e Napolit Aurelio De Laurentis të lejojë largimin e lojtarit.
Për t’ia arritur qëllimit, drejtuesit e klubit janë të gatshëm të paguajnë klauzolën e largimit të El Pipitas që kap shifrën e 94,7 milionë eurove, ndërsa një tjetër e dhënë që e bën akoma edhe të besueshëm transferimin e 28-vjeçarit te kampionët e Italisë gjatë kësaj vere ka të bëjë me faktin se së fundmi Higuain ka blerë shtëpi në Torino. E hëna është dita që 28-vjeçari duhet t’i bashkëkohet Napolit në stërvitje në vendgrumbullimin e skuadrës së kaltër në Dimaro, por diçka e tillë nuk ka gjasa të ndodhë, sepse tashmë Higuain mendon vetëm për Juventusin. Me këtë lëvizje të bardhezinjve duket i sigurtë largimi i Paul Pogba për te Manchester United, sepse pikërisht me paratë që do të përfitojë nga shitja e mesfushorit francez, Juventusi do të paguajë klauzolën e largimit të argjentinasit nga Napoli.
Ndërkohë, turneu veror, International Champions Cup nis me një humbje për Juventusin. Skuadra e Massimiliano Alegrit u mposht në Australi nga Melbourne Victory skuadër tek e cila luan sulmuesi shqiptar Besart Berisha me rezultatin e përgjithshëm 5-4 pas goditjes së penalltive. Bardhezinjtë e nisën sfidën me një formacion të përbërë nga disa lojtarë titullarë, por edhe të rinj premtues. Nga emrat e mëdhenj spikasnin Dybala, Alex Sandro, Hernanes apo edhe Lemina e Asamoah. Pjesa e parë gjithsesi pavarësisht përpjekjeve të Juventusit përfundoi në barazim pa gola.
Në fraksionin e dytë trajneri Alegri hodhi në fushë shumë futbollistë të rinj, ndërkohë që dy blerjet e reja Benatia dhe Pjanic qëndruan në stol gjatë gjithë 90 minutëshit për të qenë gati për takimin e radhës ndaj Tottenhamit. Në minutën e 58-të, futbollisti i talentuar i Juventusit, Moreno Blanco me një goditje nga mesi i fushës realizoi një gol spektakolar, duke i dhënë avantazhin bardhezinjve. Megjithatë, Ingham pak minuta përpara fundit arriti të vendoste sërish baraspeshën në këtë ndeshje, duke ndëshkuar portierin Audero. Për të përcaktuar skuadrën fituese u nevojit goditja e penalltive, dhe aty futbollistët e Melbourne Victory u treguan më të saktë, duke triumfuar 4-3. Besart Berisha, ndërkohë u aktivizua për 65 minuta në këtë ndeshje.