Altmaier ka bërë të ditur se, bëhet fjalë për të mbledhur dhe vlerësuar të gjitha informacionet. “Ne jemi të vendosur, të bëjmë gjithçka me qëllim terrori dhe dhuna përbuzëse ndaj njeriut, të mos kenë asnjë shans në Gjermani”, deklaroi politikani i CDU-së. Ministri i Brendshëm, De Maiziere ndërpreu pushimet e sapofilluara nga SHBA dhe u kthye në Gjermani.
“Ajo që ndodhi në Mynih është e tmerrshme dhe tërësisht e papërfytyrueshme”, deklaroi politikani i CDU-së. “Ne mbajmë zi për viktimat dhe jemi me mendimet tona tek të afërmit e viktimave”, tha De Maiziere që viziton të shtunën Mynihun. Ministri i Brendshëm shpalli vendosjen e flamujve në gjysmështizë në të gjithë Gjermaninë. Kjo bëhet “për të shprehur ngushëllimet pas aktit të neveritshëm të dhunës”, bën të ditur Ministria e Brendshme.
Politikanë brenda dhe jashtë Gjermanisë kanë reaguar të tronditur pas dhunës në Mynih. Presidenti gjerman, Joachim Gauck deklaroi se, “sulmi vrastar në Mynih e ka tronditur dhe shokuar thellësisht. Jam me mendje tek viktimat dhe të gjithë ata që kanë humbur njerëzit e dashur. Po ashtu ndjehem i lidhur me të gjithë ata që janë në këtë aksion për të mbrojtur apo shpëtuar jetët e njerëzve”.
Presidenti francez, Francois Hollande bëri fjalë për “një akt terrorist”. Bëhet fjalë për një “akt të neveritshëm me qëllimin për të ngjallur frikë edhe në Gjermani, krahas vendeve të tjera”, deklaroi Hollande. Gjermania mund të mbështetet tek Franca, tha Hollande. Ndërsa Presidenti amerikan, Barack Obama u shpreh se ai i ofron Gjermanisë, “një nga aleatët tanë më të ngushtë”, të gjithë mbështetjen e nevojshme. Edhe Presidenti rus, Vladimir Putin i ka dërguar Kancelares Merkel dhe Kryeministrit bavarez, Horst Seehofer ngushëllimet e tij për humbjen e jetëve të njerëzve në Mynih. Ky është sulmi i tretë brenda pak ditësh në Europë, thuhet nga agjencia ruse e lajmeve.
Në Teheran një zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme deklaroi se qeveria iraniane e dënon “vrasjen e njerëzve të pafajshëm të pambrojtur”. Nuk ka alternativë tjetër për “luftën e plotë dhe pa dallim” kundër terrorizmit. Qeveria iraniane i shpreh “popullit dhe qeverisë gjermane solidaritetin e saj”. Ministri i Jashtëm gjerman, Frank-Walter Steinmeier shprehu falënderimet e tij pas shprehjes së solidaritetit nga e gjithë bota. “Në këto orë është një ndjesi e mirë të dish, se miqtë tanë europianë dhe partnerët ndërkombëtare qëndrojnë në anën tonë”, tha politikani i SPD-së.