Basha përkujton 70 vjetorin e Masakrës së Qafë-Valmirit: Edhe sot mundohen të mbajnë gjallë aparteidin ndaj kësaj zone

Kreu i opozitës, Lulzim Basha përkujton 70 vjetorin e Masakrës së Qafë-Valmirit. “U varën e u pushkatuan 14 mirditorë, si pjesë e strategjisë së terrorit ndaj një zone që nuk i ishte nënshtruar asnjëherë diktaturës. Edhe sot shohim se si mundohen të mbajnë gjallë aparteidin ndaj kësaj zone, me mënyra të ndryshme, duke vënë në krye e si përfaqësues të saj zyrtarë gjakshprishur e përfaqësues të krimit”, shkruan ndër të tjera Basha.

Postimi i poltë i kryetarit Basha

70 vjet më parë diktatura komuniste e angazhuar në një betejë të egër për të thyer rezistencën e Mirditës, në një shfaqje publike të terrorit, vari në litar dhe pushkatoi 14 nga bijtë më të shquar të krahinës, në Masakrën e Qafës së Valmirit.

Duke ndjekur porositë e vetë diktatorit gjakatar, “kapni, arrestoni dhe ekzekutoni njerëz me ndikim që të bëhen shembull për të tjerët, këto bëjnë përshtypje në popull”, veglat e verbra të Sigurimit Komunist varën 4 mirditorë dhe pushkatuan 10 të tjerë 17 gushtin e 1949-s, si një akt raprezalje pas vrasjes së Bardhok Bibës, ku rezultoi se nuk ishte i përfshirë asnjëri prej tyre, dhe si pjesë e strategjisë së terrorit ndaj një zone që nuk i ishte nënshtruar asnjëherë diktaturës.

Masakra u krye në prani të mijëra banorëve, të cilët u detyruan përdhunshëm ta ndiqnin këtë makabritet. Në raportimet e Sigurimit të Shtetit, thuhet se bashkë me varurit dhe të pushkatuarit, ishte vënë në zbatim një valë e gjatë arrestimesh e internimesh, që do të përfshinin banorë të 24 fshatrave të Mirditës, nga rreth 32 që kishte zona në atë kohë.

Kështu Masakra e Qafës së Valmirit sëmboi drejtpërdrejt në familjet e rreth 90 % të fshatrave të zonës, dhe jehona e masakrës u përhap në të gjithë vendin. Me sjellje të pastra racizmi krahinor e fetar, vetë hierarkët komunistë e kishin deklaruar me dhjetëra herë se “të gjithë ata që kanë qenë kundërshtarë të politikës sonë, ne i konsideronim armiq dhe përpiqeshim t’i zhduknim nga faqja e dheut, edhe pse asnjë s’meritonte të vritej”.

Masakra e Qafës së Valmirit është një prej akteve më makabre terroriste që diktatura komuniste kreu ndaj Mirditës. Ata ju turrën asaj si bisha të tërbuara për ta gjunjëzuar, copëtuar, shpërbërë, e për t’ia thyer krenarinë që i buronte nga historia e saj e lavdishme.

Mirdita, kjo trevë vitale, kompakte, katolike e antikomuniste nuk nënshtrohej kollaj, prandaj edhe kjo zonë ka përqindjen më të lartë të të vrarëve, të burgosurve dhe të të internuarve nga diktatura. I gjithë vendi, por edhe vetë demokracia shqiptare i është borxh Mirditës për çmimin e lartë të sakrificës që ajo pagoi për 50 vjet që të mbahej gjallë ideali i lirisë dhe dinjitetit të njeriut.

Në këtë zonë duhet të kishte patur për 30 vjet me radhë politika të diskriminimit pozitiv, jo vetëm për të rehabilituar numrin e lartë të të persekutuarve nga diktatura, por edhe për investime që do të rrisnin numrin e të arsimuarve, një mollë e ndaluar për shumicën e popullsisë së zonës gjatë 50 viteve diktaturë, do të rrisnin numrin e bizneseve të reja, do të ndihmonin fshatrat të rimëkëmbeshin dhe zonën të rigjallëronte traditat e veta të shkëlqyera, por në fakt këto politika kanë munguar.

Masakra e Qafës së Valmirit ka 70 vjet që dëshmon për këtë aparteid që është një mëkat i shtetit shqiptar. Për ushtrimin e këtij aparteidi s’kemi dëgjuar asnjë ndjesë, përkundrazi, kemi parë se si mundohet të mbahet gjallë me mënyra të ndryshme, duke vënë në krye e si përfaqësues të zonave zyrtarë gjakshprishur e përfaqësues të krimit.

Megjithëkëto, Mirdita ka vijuar me stoicizëm të japë dëshmitë e saj se beteja me të keqen më në fund do të fitohet, se do të mposhten dishepujt e sotëm të tezave raciste e të aparteidit shtetëror ndaj pjesëve të ndryshme të vendit e ndaj Mirditës posaçërisht.

Nderim përjetë martirëve të Mirditës!
Zoti e bekoftë Shqipërinë!

69211149 2568191516565347 2089434489229934592 n

Artikulli paraprakBasha publikon emrat e kriminelëve e hajdutëve me të cilët Rama ka zaptuar çdo pushtet për të vjedhur Shqipërinë
Artikulli tjetërBanda i sulmon makinën qytetarit nën hundën e policit, reagimi i fortë i Berishës