Të shumtë janë fëmijët që lypin në rrugët e Tiranës, ndërsa autoritetet qendrore dhe ato lokale duket se janë të pafuqishme. Një histori e trishtë është kjo e 14-vjeçares, R. Zotaj. Ajo ka denoncuar nënën e saj Mimoza Zotaj se e detyronte të lypte. E nëse nuk e bënte këtë, ajo e dhunonte në mënyrë barbare. 14-vjeçarja jetonte bashkë me nënën jashtë, në afërsi të ambienteve të “Galerisë se Arteve”.
“Kur zgjohesha në mëngjes mami më thoshte që të dilja e të shkoja për të lypur dhe lekët e mbledhura t’ia dorëzojë asaj, për të ngrënë bukë. Ka pasur raste që edhe duke fjetur, ajo më ka zgjuar duke më dhunuar, duke më goditur nga këmbët, duke më pickuar, duke më kafshuar nga duart”, ka thënë 14-vjeçarja, gjatë denoncimit në polici.
Kështu çdo ditë, R. Zotaj pasi zgjohej në mëngjes, shkonte tek Kisha Katolike për të lypur. Pasi i mblidhte lekët, ajo ia jepte nënës së saj, e cila e priste tek lulishtja e Piramidës ose Taivani. Vajza 14–vjeçare ka treguar se në shumë raste nëna e saj nuk ishte e kënaqur me shumën e mbledhur.
Për këtë histori të trishtë, Mimoza Zotaj, nënë e dy fëmijëve dhe e pamartuar ligjërisht, është dënuar nga Gjykata e Tiranës me një vit e katër muaj burg.