Prokuroria e Krimeve të Rënda ka dyshime të forta për implikimin në aferat korruptive në tenderat e ushqimit në burgje, dhe të drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, Artur Zoto. Në dosjen hetimore, ndodhen dhjetëra procesverbalë me biseda të transkiptuara, të cilat tregojnë se drejtori Zoto, tashmë i dorëhequr ka qenë në dijeni të këtyre aferave korruptive, dhe se Iljaz Labi nuk bënte asnjë hap, pa miratimin e Zotos. Ndaj këtij të fundit, Prokuroria nuk lëshoi asnjë urdhër-arresti.
Por dy ditë pas operacionit të arrestimit të zëvendësit të tij, Iljaz Labi dhe katër biznesmenëve Elidjan Laskaj, Ylber Kalaja, Shemsi Sinani e Nexhmi Balla, drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve ka dhënë dorëheqjen, duke ja justifikuar largimin ministrit të Drejtësisisë Manjani nëpërmjet një letre, ku i shkruante se ishin motivet personale dhe familjare të tij, që e çonin në largimin nga kjo detyrë. Por në një seri bisedash të përgjuara, mes të tjerave pasqyrohet dhe një bisedë mes biznesmenëve Nexhmi Balla dhe Elidjan Laskaj, ku Nexhmiu e pyet Elidjanin se çfarë kishte bërë. Nga ana tjetër, Elidjani i thotë se sa kishte dalë nga Drejtoria e Burgjeve. “Ai”, i kishte thënë se do ta çonte lart dhe do t’i kthente një përgjigje.
Por sipas dy bashkëbiseduesve nuk e kishte çuar akoma, sepse ai i madhi (Për Drejtorin) ishte në Lezhë. Elidiani i thotë Nexhmiut se çdo gjë i kishte thënë atij se çdo gjë e kishte me Bertin. Më tej, në përgjimet e bisedave mes biznesmenëve tregohet qartë se, thuajse të gjithë drejtuesit e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve janë të krimbur në korrupsion, aq sa pronari i kompanisë “Vllaznia” Ylber Kalaja nuk pranon të shkojë në katin e dytë të Drejtorisë, pasi thotë se fillon xhelozia me ata të katit të parë, dhe kërkojnë të gjithë pastaj.
Më tej nga përgjimet tregohet se zyrtarët e Burgjeve kërkojnë 20 milionë lekët, sapo nënshkruhej kontrata me kompanitë ose kur kryhej arkëtimi i parave nga llogaria e Drejtorisë së Burgjeve në llogarinë e kompanisë kontraktuese.