Alegri: Jam i kënaqur me merkaton

Masimiliano Alegri është i kënaqur me merkaton që ka zhvilluar deri tani Juventusi. Në prag të takimit kundër skuadrës së Totenham, e vlefshme për turneun veror International Championship Cup, trajneri i bardhezinjve nuk ka bërë asnjë koment lidhur me transferimet që janë bërë te Zonja e Vjetër, përfshirë këtu edhe blerjen më të fundit, atë të Gonzalo Higuain. Sidoqoftë Alegri nuk e fsheh kënaqësinë, por përmblidhet me një fjali të vetme, duke deklaruar se drejtuesit e Juventusit po bëjnë një punë të jashtëzakonshme.  Pas humbjes së papritur kundër Melbourne Victory ku luan edhe Besart Berisha pas goditjes së penalltive, tekniku toskan u shpreh se kundër Totenham do të jetë një 90 minutësh ndryshe si në aspektin taktik, por edhe për nga intensiteti i lojës. “Besoj se do të luajmë me katër mbrojtës. Është një test shumë i rëndësishëm për ne dhe do të na ndihmojë të korrigjojmë defektet. Pres një ndeshje komplet ndryshe nga ajo me Melbourne Victory, si në aspektin taktik, por edhe për nga intensiteti i lojës. Benatia, Pjaniç dhe Pereyra do ta nisin takimin që nga minuta e parë. Sigurisht që minuta në dispozicion do të ketë dhe për shumë futbollistë të tjerë”, u shpreh Alegri. Së bashku me trajnerin Alegri në konferncën për shtyp ishte dhe mbrojtësi Benatia, i cili u shpreh se Juventusi këtë sezon i ka të gjitha mundësitë për të fituar çdo kompeticion të mundshëm, ku bardhezinjtë marrin pjesë.

Artikulli paraprakKontrolli i Lartë i shtetit për Aviacionin Civil, raporti: Shkeli ligjin dy herë
Artikulli tjetërNapoli 40 milionë për Icardin, Interi do 60 milionë