Laporta: Mesin duan ta largojnë nga Barcelona

Joan Laporta thumbon Josep Maria Bartomeun. Ish-presidenti i Barcelonës, i cili humbi në zgjedhjet e fundit ndaj kreut aktual të Barçës, Josep Maria Bartomeu në një prononcim për mediat ka akuzuar në mënyrë të drejtpërdrejtë drejtuesit e klubit blaugrana për faktin se disa prej tyre dëshirojnë të largojnë Lionel Mesin nga skuadra. Sipas Laportës në kastën drejtuese të Barçës është një dorë e zezë, e cila nuk dëshiron që ylli argjentinas të qëndrojë në “Camp Nou”. “Ekziston një strategji e qartë e disa drejtuesve për të larguar Mesin nga Barcelona”, theksoi Joan Laporta në fjalën e tij. Deklarata të forta këto të ish-presidentit të klubit katalanas në drejtim të numrit 1 të Barçës, Josep Maria Bartomeu.
Gjithsesi deri tani duken të pabaza sepse Lionel Mesi aktualisht është shumë i lumtur te Barcelona dhe as që ka ndërmend të largohet nga ekipi. Pavarësisht interesimit të Manchester City-t dhe Chelsea-t, dëshira e 5 herë fituesit të Topit të Artë është ta mbyllë karrierën te Barcelona. Dëshira e Mesit për Barcelonën është aq e madhe saqë Leo, i cili së fundmi ka ndryshuar look duke u kthyer në biond, ka përfunduar përpara kohe pushimet për t’iu bashkuar skuadrës blaugrana në stërvitje në përgatitjet që Barcelona po bën në prag të sezonit të ri futbollistik 2016-2017.
Lionel Mesi i është bashkuar skuadrës për parasezon. Ylli i Barcelonës, së bashku me bashkëlojtarët dhe gjithë stafin e katalunasve, janë nisur për në Angli, atje ku do të zhvillojnë disa ndeshje miqësore. Me të arritur në aeroport, vëmendja ishte e gjitha te Leo Mesi, për shkak të stilit të ri të flokëve.

Artikulli paraprakNapoli 40 milionë për Icardin, Interi do 60 milionë
Artikulli tjetërVjen Frank de Boer?