Ditën e djeshme ish-kryeministri Sali Berisha ka bërë publik një mesazh të mbërritur në adresë të tij, përmes të cilit tregonte se, me datë 18 Gusht në qytetin bregdetar të Durrësit është bërë një tentativë për vrasjen e djalit të deputetit socialist, Spartak Braho.
Ndërkohë që janë zbardhur edhe detaje të reja në lidhje me autorin që kanosi djalin e Spartak Brahos. Lajden Kadilli është 26 vjeçari, që u përfshi në një sherr me djemtë e deputetit socialist, që degjeneroi në kanosje me armë.
Bëhet e ditur se Kadilli rezulton me precedentë penalë në të shkuarën. Gjatë ditës së sherrit me djemtë e deputetit socialist më 18 gusht, ai ka qenë bashkë me babain, Arjan Kadilli, të cilët kanë kërcënuar me armë Kreshnik Brahon.
Kadilli është shpallur në kërkim nga policia pas kanosjes me armë zjarri. Sherri ka lindur për shkak të një parkingu në pallatin ku banon djali i Brahos në qytetin e Durrësit. Lajden Kadilli ka lënë një motor në vendin e parkingut dhe pas sherrit, ai është rikthyer i armatosur duke kanosur 35 vjeçarin.
Mësohet gjithashtu se Lajden Kadilli ka qëlluar me qytën e automatikut xhamin e makinës ku ndodhej Kreshnik Braho dhe ky i fundit është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.
Ndërkohë, policia sqaron se ishte proceduar penalisht djali tjetër i deputetit socialist, Arbër Braho, pasi kishte goditur me sende të forta forta shtetasit A. K., 58 vjeç, dhe L.K., 30 vjeç duke i shkaktuar dëmtime trupore.
Pas denoncimit tek Berisha, ka reaguar edhe Policia e Durësit e cila ka nxjerr dy njoftime njëri pas tjetrit ku tregon detajet e ngjarjes.
Në njoftimin e parë thuhet se është shpallur nga ana e saj në kërkim dhe po punohet për kapjen e shtetasit L.K., 26 vjeç, banues në Durrës pasi për motive të dobëta dyshohet se ka kanosur me armë zjarri dhe i ka thyer xhamat e 2 mjeteve shtetasit K.B., 35 vjeç, banues në Durrës
“Durrës/ Specialistët për Krimet në Komisariatin e Policisë Durrës kanë shpallur në kërkim dhe po punojnë për kapjen e shtetasit L.K., 26 vjeç, banues në Durrës pasi për motive të dobëta dyshohet se ka kanosur me armë zjarri dhe i ka thyer xhamat e 2 mjeteve shtetasit K.B., 35 vjeç, banues në Durrës.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme për veprat penale ” Kanosja “, ” Shkatërrimi i pronës ” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve , armëve shpërthyese dhe e municionit” parashikuar në nenet 84, 150 dhe 278 të Kodit Penal”, thuhet në këtë njoftim por inicialet nuk përputhen me emrin që ka treguar Berisha të djalit të Brahos.
Në këtë komunikatë thuhet se është kanosur me armë zjarri shtetasi me inicialet K.B., ndërsa në denoncimin e Berishës për djalin e Spartak Brahos thuhet se quhet Arbër Braho. Pra sipas këtij versioni mund të arrihet në përfundimin se Arbër Brahotë cilin e denoncon edhe qytetari tek Berisha, ka shkuar për t’u hakmarrë ndaj autorëve të atentatit që është bërë vëllait të tij, K.B për të cilin burimet thonë se quhet Kreshnik Braho, transmeton fax ëeb.
Ndërsa në njoftimin e dytë, thuhet:
“Durrës/Më datë 19.08.2019 filloi procedimi penal për shtetasin A.B., 38 vjeç, banues në Durrës, sepse më datë 18.08.2019, në lagjen Nr. 4 Durrës, pas një konflikti për motive të dobëta ka goditur me sende të forta shtetasit A. K., 58 vjeç, dhe L.K., 30 vjeç duke i shkaktuar dëmtime trupore. Neni 89 i K.P.”.
Pra ashtu sikurse e ka shprehur edhe “qytetari dixhital” tek Berisha se djali i deputetit ka shkuar për t’u hakmarrë ndaj personave që i bënë atentat, edhe Policia jep të njëjtin version në këtë rast, përfshirë edhe inicialet “A.B-38-vjeç”.