Dosja e plotë/ PD i dërgon Prokurorisë provat e dënimit të Kajmakut në Greqi

Partia Demokratike i ka dërguar Prokurorisë të dhëna konkrete mbi të kaluarën kriminale të Agim Kajmakut, kandidat për Kryetar të Bashkisë Vorë, pasi prokuroria kërkoi të dinte hollësi mbi informacionin që posedonte Partia Demokratike. Të dhënat i janë dërguar prokurorisë, përmes dy letrave të ndryshme, njëra ditën e djeshme me dokumentat e bëra publikë sipas vendimeve të Prokurorisë dhe Gjykatës greke, tjetra me dokumentin e nxjerrë nga TIMS që tregon se Agim Kajmaku është i njëjti me personin Jorgo Toto, i arrestuar në Greqi në 2003 dhe me numër pasaporte Z 0148497.

Të dyja letrat, ajo e djeshmja dhe e sotmja i janë dërguar prokurorisë nga Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi, i cili shpjegon të gjithë informacionin e bërë publik nga Partia Demokratike dhe shpreh shqdetësimin e thellë të PD për procedurën antiligjore që po ndjek prokuroria për marrjen e shenjave të gishtërinjve.

“Agim Kajmaku alias Jorgo Toto, i datëlindjes 1971, banues në Tiranë Shqipëri, është arrestuar në flagrancë në shtetin grek, në zonën e Janinës, më datë 14.01.2003 për veprën penale “Përdorim dhe shpërndarje kartmonedhash të falsifikuara”. Ai është arrestuar në flagrancë, duke u arratisur nga territori i shtetit grek.

Krimi është kryer gjatë një transaksioni për blerjen e fidanëve dhe bimëve të tjera, dhe Agim Kajmaku ka përdorur identitetin e rremë Jorgo Toto, me atësi Thanas dhe amësi Parashivi. Pasi dosja është përcjellë në prokurori, Prokuroria e Janinës ka konstatuar se jemi përpara një krimi të nivelit të parë (shkalla më e rëndë e klasifikimit të veprave penale), dhe nga provat e administruara ka vlerësuar se rezultonte e provuar që krimi ishte kryer nga shtetasi Agim Kajmaku alias Jorgo Toto.

Krimi i kryer nga Agim Kajmaku alias Jorgo Toto, sipas prokurorisë greke, duhet të dënohej me jo më pak se 10 vjet burgim. Për këtë arsye, Prokuroria ka urdhëruar arrestimin e tij të menjëhershëm dhe ka përcjellë dosjen në gjykatë. Gjykata ka pranuar kërkesën e prokurorisë dhe ka vendosur “arrest me burg” dhe marrjen të pandehur të shtetasit Agim Kajmaku alias Jorgo Toto, për fallsifikim parash, si dhe dërgimin e çështjes për gjykim. Vendimi i gjykatës për arrestimin e Agim Kajmakut nuk është ekzekutuar, për shkak se gjatë periudhës së shqyrtimit gjyqësor, ai ishte larguar menjëherë nga territori i shtetit grek dhe ka ardhur në Shqipëri. Këtu ka ndryshuar menjëherë edhe identitetin, nga Jorgo Toto, në Agim Kajmaku”, thuhet në informacionin që PD i ka dërguar Prokurorisë ditën e djeshme.

Informacioni është pasuruar sot me dokumentin e nxjerre nga TIMS, i cili vërteton në mënyrë të pakundërshtueshme se Agim Kajmaku i Bashkisë së Vorës është Jorgo Toto i arrestuar në Greqi në 2003 dhe që ka mashtruar autoritetet greke për atësinë dhe amësinë, por nuk ka mundur ta çojë mashtrimin deri në fund për shkak të pasaportës”.

“Jorgo Toto, i arrestuar në tentativë për t’u arratisur pas krimit nga territori grek, ka patur me vete pasaportën e tij, e cila ka një numër unik identifikimi. Sipas vendimit të drejtësisë greke që ju është përcjellë edhe ju zyrtarisht dje, në faqen 13 të tij, pasqyrohet se shtetasi i arrestuar dhe që ka kryer krimin, është shtetasi Jorgo Toto që posedon pasaportën me nr. Z 0148497.

Sipas sistemit shtetëror TIMS, Agim Kajmaku (që është personi në foto), kur ka patur emrin Jorgo Toto, i datëlindjes 06.07.1971, i biri i Imer dhe Maxhe, ka qenë posedues ekzaktësisht i pasaportës me Nr. Z 0148497. Kjo është një provë e pakontestueshme që Jorgo Toto i arrestuar në Greqi me pasaportën me nr. Z 0148497, është Jorgo Toto që shfaqet në fotën e sistemit TIMS, me pasaportën me nr. Z 0148497, dhe që sot mban emrin Agim Kajmaku”, thuhet në informacionin e ri të PD-së.

PD i ka kërkuar prokurorisë të veprojë me shpejtësi për zbardhjen e të vërtetës, dhe vënien përpara përgjegjësisë penale të shtetasit Agim Kajmaku për krimin e kryer në Greqi dhe për krimin e falsifikimit të Formularit të Dekriminalizimit. Gjithashtu, PD ka shprehur shqetësimin e thellë për procedurën e dyshimtë dhe të paligjshme që po ndjek prokuroria, edhe në rastin e verifikimit të Agim Kajmakut, të cilit i ka kërkuar të depozitojë gjurmët e tij daktiloskopike pranë Institutit të Policisë Shkencore.

“Pra organi i prokurorisë të përzgjedhurve të Edi Ramës, Valdrin Pjetrit dhe Agim Kajmakut, u kërkon që të depozitojnë gjurmët daktiloskopike tek vartësit e Edi Ramës dhe Sandër Lleshajt, pa asnjë prani të përfaqësuesve të organit të prokurorisë. Kjo procedurë, përveçse e paligjshme, ngre dyshime të forta për manipulimin e këtij procesi, nëpërmjet dhënies së gjurmëve të falsifikuara”, shprehet sekretari i Përgjtihshëm i PD, Gazment bardhi, i cili sjell në vëmendjen e prokurorisë se  pika 6 e nenit 8 të ligjit të dekriminalizimit detyron prokurorinë që “në çdo rast verifikimi të përdorë gjurmët daktiloskopike dhe çdo të dhënë tjetër biometrike, që ruhet në bazat e të dhënave të identifikimit të shtetasve shqiptarë”.

“Procedura e ndjekur nga ana juaj, përveçse shkakton vonesa të panevojshme në procesin e verifikimit, ngre edhe dyshimin e arsyeshëm për një tentativë të mirëorganizuar për manipulimin e rezultatit të verifikimit. Çdo vonesë e pajustifikuar për rezultatin e këtij verifikimi apo tentativë për manipulimin e saj, përveçse do të dështojë, përbën edhe një konfirmim të rreshtimit në anën e krimit të organizuar dhe promovimit të tij në funksione të larta publike”, thuhet në letrën informuese të Sekretarit të Përgjithshëm të PD, Gazment Bardhi.

Në emër të PD, ai i kërkon zyrtarisht organi i prokurorisë që të informojë PD dhe opinionin publik mbi arsyet e ndjekjes së një procedure të paparashikuar nga ligji, si dhe të veprojë me efikasitet dhe shpejtësi në zbardhjen e të vërtetës.

2 20

Toto

69582093 677469849432548 9216354416775397376 n

Artikulli paraprakZëri i Amerikës: Akuzat ndaj Kajmakut të pakontestueshme, alibitë kanë rënë!
Artikulli tjetërKryebashkiaku i vdekjeve!…