Bild shpërfill avokatin e Ramës, nuk i kthen përgjigje

Peter Tiede, gazetari gjerman që publikoi përgjimet për blerjen e votave në Durrës dhe Dibër, pohoi për Exit.al se gazeta Bild e ka shpërfillur dhe nuk i ka kthyer përgjigje një kërkese dërguar redaksisë nga avokati i Edi Ramës.

Tiede publikoi një seri audio-përgjimesh ekskluzive muajt e fundit, në të cilat dëgjohen Kryeministri Edi Rama, ministra dhe zyrtarë të lartë të qeverisë teksa flisnin për blerje votash, korrupsion dhe frikësim të votuesve për t’i detyruar të votonin kandidatët socialistë në zgjedhjet në Dibër dhe Durrës.

Në audio-përgjime, Rama dhe të tjerët dëgjoheshin teksa bashkëpunonin për të siguruar që Partia Socialiste të fitonte zgjedhjet. Në përgjime dëgjoheshin dhe biseda mes politikanëve dhe trafikantëve të drogës, ku kuptohet se ata do të siguronin vota në favor të PS-në në shkëmbim të favoreve.

Megjithëse Rama pranoi se ishte zëri i tij në ato përgjime, dhe se ai i kishte bërë ato biseda, ai tha se kishte punësuar avokatin gjerman Matthias Prinz për të paditur BILD-in dhe gazetarin Peter Tiede.

I kontaktuar nga Exit.al, Peter Tiede pranoi se redaksia e BILD-it ka marrë një letër nga ana e përfaqësuesve ligjorë të Ramës, por redaksia ka vendosur ta injorojë atë.

Avokati i punësuar nga Rama është i specializuar për menaxhimin e reputacionit dhe rastet e shfipjes. Më herët ai ka mbrojtur dhe Familjen Mbretërore Suedeze, Sulltanin e Bruneit, futbollistin e famshëm David Beckham dhe kompaninë Volkswagen.

Ai paguhet rreth 750 euro në orë – një shumë e lartë për një kryeministër që fiton rreth 1400 euro në muaj. Postimit të Ramës në Twitter, ku ky lajmëroi se kishte punësuar një avokat kundër tij, gazetari Tiede iu përgjigj duke shkruar: “Për cfarë po akuzohem? Se paskam publikuar audio-përgjime të vërteta?”

Më vonë Tiede tha se duhet të ishte ai vetë që duhej ta padiste Ramën për akuzat ndaj tij dhe BILD-it, “nëse do të kisha qenë lule-mos-më-prek si ai”. Më pas ai shtoi se “Kush është i zhytur në m…, natyrisht që gjuan me m…”.

Marrja e masave ligjore nga Rama kundër Tiedes ëshë dënuar gjerësisht nga organizatat ndërkombëtare që mbrojnë të drejtat dhe lirinë e medias, sipas të cilave Rama “i kupton çuditshëm demokracinë dhe të drejtat e njeriut.” Ata i kanë kërkuar Ramës që të tërhiqet nga nisma për të paditur gazetarin dhe gazetën BILD.

Duket se përpjekja e Ramës për të frikësuar BILD-in dhe Tieden ka pasur pak ndikim tek ata, pasi nuk duket se po e marrin seriozisht kërcënimin për ndjekje ligjore. Në fakt, kohët e fundit po qarkullojnë thashetheme se gazeta BILD do të publikojë përgjime të reja në shtator.

Artikulli paraprakLigji për mafien nuk ekziston, zaptohet edhe deti tek Currilat
Artikulli tjetërArrestohen 4 pronarë të transportit publik në Tiranë, miliona lekë të përfituara me bileta urbani të falsifikuara