Fundjavë pozitive për kuqezinjtë

Fundjavë pozitive për futbollistët e kombëtares shqiptare që luajnë në Itali. Ledian Memushaj, Rey Manaj, Arlind Ajeti dhe Berat Gjimshiti ishin protagonistë në fitoret që arritën skuadrat e tyre në miqësore. Manaj dhe Memushaj u aktivizuan si titullarë në përballjen që Pescara kishte ndaj Teramos, takim të cilin skuadra e Massimo Oddos e fitoi me rezultatin 2-0. Më shumë minuta në fushë qëndroi Rey Manaj, i cili pati edhe disa mundësi të mira shënimi në këtë ndeshje, por nuk arriti të gjente dot rrugën e rrjetës. Golat për Pescarën u realizuan nga Caprari me penallti në të 53-ën dhe Benali, 1 minutë më pas.
Luajti për një pjesë loje në këtë ndeshje edhe mbrojtësi i talentuar shqiptar Maloku. Në fitoren 4-2 që Torino ndaj Renates skuadër që luan në Lega Pro, Arlind Ajeti e nisi ndeshjen nga stoli kjo për faktin se trajneri Mihajloviç në pjesën e parë u dha mundësi të luanin futbollistëve rezervë. Me hyrjen e titullarëve në fraksionin e dytë përshirë këtu edhe Ajetin skuadra Granata arriti të përmbyste disavantazhin 0-2 duke fituar në fund 4-2. Tjetër paraqitje e mirë e Arlind Ajetit, i cili me formën dhe lojërat e tij po bind gjithnjë e më tepër trajnerin serb Mihajloviç, i cili për momentin e konsideron një titullar të padiskutueshëm kuqeziun.
Paraqitje pozitive edhe ajo e Berat Gjimshitit, i cili hyri në fushë në minutën e 56-të në miqësoren që Atalanta fitoi me shifrat 5-3 ndaj Lummezanes. Me mbrojtësin shqiptar në fushë skuadra bergamaske nuk pësoi asnjë gol madje arriti të përmbyste disavantazhin 2-3 falë golave të Paloschit, Petagnas dhe Mochanellos. Në Kroaci për javën e dytë të kampionatit u luajt derbi i shqiptarëve mes Lokomotivës së Zagrebit dhe Rnk Spilitit, sfidë që nuk nxorri asnjë fitues, pasi përfundoi në barazim pa gola.
Nga njëra anë e nisën titullarë Herdi Prenga e Eros Grezda, ndërsa në radhët e Rnk Splitit, Amir Rrahmani e Elis Bakaj. Endri Çekiçi futbollisti tjetër i kombëtares së 21-vjeçarëve të Shqipërisë u hodh në fushë nga trajneri i Lokomotivës, Mario Tokiç vetëm në minutën e 77-të, duke zëvendësuar pikërisht Eros Grezdën.

Artikulli paraprakAnglezi Oliver do të drejtojë sfidën
Artikulli tjetërBaseli “blindon” Taulant Xhakën