Baseli “blindon” Taulant Xhakën. Mesfushori i Kombëtares Shqiptare rinovoi deri në vitin 2021 kontratën që e lidh me Baselin. Ishte vetë klubi zviceran që bëri të ditur nëpërmjet një komunikate në faqen zyrtare se të shtunën Xhaka që kishte një kontratë deri në vitin 2018 me Bazelin, shtoi në të edhe 3 vite të tjera dhe tani marrëveshja e bashkëpunimit mes futbollistit shqiptar dhe 19 herë kampionëve të Zvicrës zgjat deri në 30 qershor të 2021 me opsionin e zgjatjes edhe për një vit tjetër. Edhe pse nuk bëhen të ditur termat financiarë, ky është padyshim një vlerësim nga ana e klubit për 25-vjeçarin me Bazelin që ka vendosur ta mbajë Taulant Xhakën larg tundimit të sirenave të merkatos me një kontratë që skadon kur futbollisti të jetë plot 30 vjeç.
Taulant Xhaka mund të thuhet se është rritur futbollistikisht te Bazeli, pasi ka hedhur hapat e parë në ekipet e të rinjve të klubit të qytetit ku ka lindur dhe ka kaluar aty pjesën më të madhe të karrierës me përjashtim të një huazimi prej një viti e gjysmë në vitin 2012 te Grashopers, ku fitoi menjëherë vendin e titullarit. Mesfushori i Kombëtares Shqiptare ka fituar me fanellën e Baselit 5 tituj kampion i Zvicrës dhe një Kupë të Zvicrës. Sezonin e kaluar ai luajti plot 37 ndeshje me Baselin dhe ishte titullar dhe në ndeshjen hapëse të sezonit aktual të Superligës Zvicerane, duke qenë në fushë për 82 minuta në fitoren 3-0 të skuadrës së tij ndaj Sionit. Në komunikatën e tij FC Basel shpreh publikisht gëzimin që pati mundësinë për të besuar edhe më gjatë në kualitetin e Taulant Xhakës që e përshkruan si një lojtar kyç për skuadrën.