Partia Socialiste ka përfunduar mbledhjen e kryesisë ndërsa ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati duke analizuar rastin e Valdrin Pjetrit, theksoi para mediave se ky fenomen duhet të çrrënjoset dhe të gjitha subjektet politike duhet t’u japin qytetarëve të saj emrat më të mirë.
Në një komunikim me mediat pas daljes nga selia e PS, ish ministri i jashtëm u shpreh se, forca politike që ai përfaqëson vazhdon të ketë probleme me të kaluarën kriminale të kandidatëve të saj.
“Ne morëm një vendim kohë më parë, duke i ndërprerë mandatin personave që në të shkuarën kishin probleme me ligjin. Morëm mbështetjen dhe përshëndetjet nga SHBA, ndërsa tani në tryezat tona kemi të njëjtat probleme”, u shpreh Bushati.
Sipas tij, PS është një familje e madhe që bashkë me partitë e tjera suhet të reformohen brenda tyre, për ti dhënë zgjidhje njëherë e mirë problemeve me dekriminalizimin. “Ne nuk jemi prokurori dhe as gjyqtarë, por kemi përgjegjësinë tonë për vendimmarrjet e gabuara”, shtoi Ditmir Bushati.
“Çështja e diskutimit ka qenë edhe situata në Shkodër, e krijuar pas zgjedhjeve në 30 qershor. Mendoj që me rastin e fundit në Shkodër, kemi para nesh pikën e derdhjes, një fenomen që duhet ta trajtojmë me seriozitetin e duhur.
Të gjithë faktorët politikë duhet t’i ofrojmë qytetarëve njerëzit më të mirë. Tani kjo është një çështje që shkon përtej mureve të një organizate politike, por në fund të ditës ne jemi politikanë.
Kemi nevojë për një reformë politike, që të sjellë një sistem të ri llogaridhënës, PS duhet të jetë parti e progresit dhe e komunitetit. Ne na takon që të njohim realitetin dhe përgjegjësinë politike dhe të themi na falni për rastin në fjalë.
Jam krejt i bindur, që ne jemi një familje e madhe politike dhe askush nuk duhet të jetë i ligështuar, ne kemi përgjegjësinë e madhe për ta shfarosur këtë fenomen. Unë besoj se PS është partia e progresit, intelektit dhe komunitetit”-tha ai.
Fjala e plotë e Ditmir Bushatit:
Çfarë diskutuat në mbledhjen e kryesisë së PS?
Bushati: Çështja që kemi diskutuar sot në Kryesinë e PS ka qenë edhe situata në Shkodër e krijuar pas 30 Qershorit. Unë i kam bërë një letër Kryesisë së PS, ku kam ngritur disa shqetësime për situatën atje. E vërteta është se që me delegimin tim në 2016 në Shkodër, disa fenomene shqetësuese kam pasur mundësi për t’i trajtuar vijimësisht brenda strukturave të PS-së, sepse tek e fundit jemi një familje politike dhe është e hijshme që këto çështje të trajtohen fillimisht brenda forumeve.
Por, mendoj që me rastin e fundit në Shkodër, kemi mbërritur në pikën e derdhjes për një fenomen të cilin duhet ta trajtojmë në mënyrën me agresive të mundshme. Sepse 30 vjet pas shembjes së komunizmit besoj fuqimisht që PS dhe të gjithë faktorët e tjerë politike kanë mundësi t’i ofrojnë qytetarëve të zakonshëm të këtij vendi njerëzit më të mirë.
Natyrisht kjo nuk është një çështje që mund të trajtohet thjesht dhe vetëm në mënyrë ligjore e procedurale. As me zhvendosje vëmendje me shkarkime në masë të njerëzve që s’kanë asnjë lidhje dhe asnjë fajësi për situatën e krijuar.
Mendoj që tani kjo është një çështje që shkon përtej mureve të një organizate politike, sepse në fund të ditës na takon ne, në radhë të parë si politikan, sepse s’jemi gjyqtarë e as prokurorë e s’mund të japim vendime për të shkuarën e një personi të caktuar, apo disave, por kemi përgjegjësinë për të hapur një debat dhe për të trajtuar rrënjët e këtij fenomeni dhe jo thjesht për të menaxhuar pasojat.
Rrënjët e këtij fenomeni mendoj se kanë lidhje me nevojën për një reformë politike brenda partive tona. Një reformë politike që të sjellë një kulturë të re politike, një sistem të ri llogaridhënës ku PS është dhe duhet të jetë partia e intelektit, progresit dhe pse jo partia e komuniteteve.
Në rast se përgjegjësia për të kaluarën e secilit është një përgjegjësi individuale dhe ligjore, ne na takon që të njohim realitetin dhe përgjegjësinë politikë, të themi edhe na falni për rastin në fjalë dhe për komunitete te caktuara dhe të propozojmë reforma politike që ndërtojnë sisteme imunitare për një jetë tjetër politike.
Cili ishte reagimi i kryetarit Rama?
Bushati: Unë po flas vetëm për çështje që kam adresuar. Jam krejt i bindur edhe nga kontaktet që kam pasur me njerëz të zakonshëm, socialistë, progresistë se ne jemi një familje e madhe politike e askush s’ka pse të ndihet i ligështuar qoftë edhe për shkak të vendimmarrjeve të gabuara që ne mund të kemi marrë në këtë drejtim.
Ne kemi përgjegjësinë e madhe për ta trajtuar këtë fenomen dhe për ta shfarosur atë. Sepse unë besoj fuqimisht që PS është partia e intelektit e progresit, e komuniteteve dhe ato gabime që kemi bërë në të shkuarën kur njerëz me të kaluar të dyshimtë, i përjashtuam nga radhët tona, u përshëndetëm publikisht nga SHBA, fatkeqësisht u rikthyen në tryezat tona vendimmarrëse.
Dhe sot na duhet të administrojmë pasojat e këtyre gabimeve. Faleminderit! Jam përpjekur të jem korrekt me ju. Do vijojmë të mbetemi në komunikim.