Nga Red VARAKU
Opozita po bën ndoshta një ndër betejat më të rëndësishme dhe më heroike që ka bërë ndonjëherë. Një betejë, që mund të krahasohet për nga përmasat e saj legjendare, vetëm me betejën e Opozitës së 1990.
Sepse, si asnjë herë tjetër në historinë e saj ajo ka përballë një kryeministër që i ka kapur të gjitha pushtetet. Një kryeministër që jo vetëm nuk e respekton Opozitën, por përkundrazi e urren atë. Një kryeministër që nuk harxhon asnjë minutë për të qeverisur vendin, por harxhon të gjitha energjitë për të shkatërruar kundërshtarin. Një kryeministër që bën gjithçka për pushtet. Thyen çdo premtim, shkel çdo parim.
Një kryeministër që kështu ka qeverisur Tiranën, kështu po qeveris PS-në, kështu po qeveris edhe Shqipërinë. Një njeri që e tremb kundërshtari, e tremb konkurrenca, e tremb normaliteti, ndaj ka tiparet e përkryera të frikacakut që sulmon pa parime.
Një njeri që në të gjithë përvojën e tij politike,ka investuar gjithçka për të kontrolluar opozitën dhe ta ketë atë një lodër në duart e tij. Një njeri që nuk qeveris dot me opozitë.
Natyra e tij as nuk e pranon dhe as nuk e duron dot atë. Për të edhe vetë ekzistenca e Opozitës është problem, ndaj bën gjithçka për ta shfarosur atë.
Opozita po bën betejë heroike sepse përballë nuk ka një parti politike, por profilet kriminale më të rrezikshme që ka parë historia e krimit në Shqipëri. Njerëz që kanë nën administrim miliona euro, qindra automjete të blinduara dhe mijëra ushtarë dhe vrasës me pagesë.
Ajo po bën një betejë me klane kriminale, që përbëhen nga individë jo thjesht me ndikim lokal, por që kanë peshë kriminale në rang europian dhe botëror, sipas Departamentit Amerikan të Shtetit, të cilët me bekimin politik që po i jep Rama, janë kthyer në pole qëndrore të shoqërisë në çdo qytet, duke i kthyer kështu në njerëz tepër të rrezikshëm.
Përgjatë këtyre viteve Edi Rama, i ktheu këta individë, në njerëzit më të rëndësishëm të shoqërisë duke i dhuruar një pushtet të jashtëzakonshëm.
Tek këta individë ndërthuren sot interesat e të gjithë qytetarëve. Ai i bekoi ata me një fuqi politike dhe ekonomike të jashtëzakonshme. Duke e bërë praktikisht të pamundur rrëzimin e tyre.
Por, megjithë këtë përbindësh mafioz dhe politik përballë, Opozita shqiptare e kreu me sukses detyrën me të rëndësishme që ka një Opozitë. Duke thënë të vërteta ulëritëse, ajo arriti ta delegjitimojë kryeministrin Rama dhe t’ia heqë vezullimin arritjeve të tij. Ajo arriti t’ia rrëzojë makiazhin propagandistik dhe tashmë të gjithë i dallojnë qartë vrragat e shëmtuara të korrupsionit mbi fytyrën e qeverisë shqiptare.
Aksioni i opozitës ka arritur suksesin më të madh të mundshëm të saj, pasi ka bërë aleatë në çështjen e opozitës shqiptare personalitetet më të larta të SHBA dhe Bashkimit Evropian. Një sukses tjetër i rëndësishëm i betejës së opozitës është dekurajimi i frymës antiopozitare në vend, e cila kishte kapur nivele alarmante, ku kryeministri kishte shkuar deri aty sa e shantazhonte hapur Opozitën me arrestime dhe burg.
Prej ditës së bekuar të djegjes së mandateve, kjo betejë nxorri në pah fuqinë e shoqërisë shqiptare. Ajo tregoi se është vigjilente ndaj çdo elementi autoritarist dhe nuk fal askënd, kur vjen çështja tek demokracia dhe vlerat perëndimore, ndaj u derdh shesheve si asnjëherë më parë. Pas djegjes së mandateve pamë se si rilindën metodat e harruara të Partisë Komuniste në përpjekje për të izoluar jehonën e betejës së Opozitës dhe për ta denigruar atë.
Pamë diarre ta pashembullta shpifjesh dhe fyerjesh personale ndaj gjithë faktorëve opozitarë në vend. Pamë dhunë dhe shantazhe të pacipa mbi Opozitën dhe Presidentin e Republikës. Pamë se si e braktisi populli shqiptar në 30 Qershor në përpjekjen e tij për të shkatërruar një nga arritjet më të mëdha, vlerat perëndimore të demokracisë dhe pluralizmin politik. Por, më në fund ai dështoi përballë kauzës së drejtë të Opozitës.
Por, arritja më e rëndësishme , është fakti që Opozita arriti ta kthejë betejën e saj në një betejë për vlerat europiane të Shqipërisë.
Lajthitjet e Ramës, se protestat e Opozitës duan të izolojnë Shqipërinë nga Europa, apo se Ilir Meta ka frikë nga SPAK tani duken thjesht qesharake. Beteja e opozitës ringjalli vlerat perëndimore në Shqipëri dhe e ka kthyer tashmë çështjen e Opozitës në çështje të SHBA dhe Bashkimit Evropian. Lëvizjet e fundit të ndërkombëtarëve e dëshmojnë këtë fakt. Deklarata e djeshme e Kukan, paralajmëronte se integrimi i Shqipërisë rrezikonte të bllokohej nëse nuk zgjidhej kriza.
Kjo deklaratë, bashkë me deklaratat e komisionerit Johannes Hahn dhe Mathew Palmer gati një muaj më parë, janë një kambanë alarmi për ata që nuk e pranojnë krizën.
Janë një kambanë alarmi për sjelljen politike të Edi Ramës, i cili ka gati një vit që përpiqet ta injorojë këtë krizë, e cila realisht ka paralizuar demokracinë shqiptare.
Gjunjëzimi i Ramës para presionit amerikan dhe europian, dorëheqja e tij dhe ulja e tij në tryezë për të zgjidhur krizën me Opozitën pritet të ndodhë ditët në vijim dhe do të sjellë më pas zgjedhjet e parakohshme dhe hapjen e negociatave.
Kjo do të jetë arritja e tretë e madhe drejt integrimit europian, që Partia Demokratike po u dhuron shqiptarëve, pas hyrjes në NATO dhe liberalizimit të vizave. Do të jetë hapi më i rëndësishëm drejt integrimit të Shqipërisë në Europë, do të jetë hapi që do të çojë në pranga zyrtarë dhe kriminelë, do të jetë kapërcimi i madh që do t’i japë fund tranzicionit të gjatë shqiptar dhe këtë tashmë nuk mund ta ndalë më askush.