Pse Hillary Clinton zgjodhi Tim Kaine si zëvendës

Ai nuk është një vullkan që derdh llavë karizmatike. Kështu e prezantoi, një moderator televizioni Tim Kaine, senatorin nga Virginia, të cilin Hillary Clinton vendosi ta ketë zëvendëspresidentin e saj në rast fitoreje. Tim Kaine është një tip i qetë, miqësor, besnik e me integritet. Ai ka përvojë qeverisëse si guvernator, paraqitet si besimtar katolik, madje ka qenë edhe tek jezuitët në Honduras, por megjithatë e mbron abortin për femrat në raste të caktuara. Fryma e kohës i ka rrumbullakosur këndet e besimit – pra një njeri pragmatik.
Hillary Clinton e bëri këtë zgjedhje për dy arsye: Ajo i beson atij. Tjetra: Ajo nuk do rreziqe. Tek 58-vjeçari Kaine ajo e di se cilin person ka zgjedhur. Prej javësh përflitej për këtë. Të dy politikanët i përkasin krahut të moderuar të demokratëve. Kaine punon në Komisionin e Senatit për politikën e jashtme e të sigurisë. Nëse Clinton ulet në Oval Office në vitin 2017, ai do të jetë zëvendësi i saj luajal, me të cilin ajo do të peshojë vendime të rëndësishme.
Shumë ekspertë në Uashington janë të mendimit: Hillary Clinton vendosi për këtë kandidat, sepse ai flet shumë mirë spanjisht dhe me këtë mund të bëjë për vete votuesit latino-amerikanë. Por kjo pakicë e rëndësishme -sipas të gjitha sondazheve- voton për demokratët. Kaine nuk i sjell Clintonit as vota shtesë tek afroamerikanët. Edhe ata shpesh e vënë kryqin për demokratët. Ajo që flet për Kaine janë lidhjet e tij të mira në Wall Street e tek bosët e ekonomisë, dihet që një fushatë zgjedhore në Shtetet e Bashkuara është një ndërmarrje e shtrenjtë. Ai është pro tregtisë së lirë, si Hillary. Kandidatja demokrate shpreson që Kaine të sjellë më shumë vota në Virginia. Qytetarët në këtë shtet federal janë të paparashikueshëm dhe e ndërrojnë votën për partitë.
Nga ky vendim duhet të jetë i zhgënjyer krahu progresist i partisë. Këtu bëjnë pjesë politikanë si senatorja nga Massachusetts Elisabeth Warren apo Bernie Sanders, rivali kokëfortë i Hillary-t në muajt e fundit. Sanders ia doli të mobilizojë miliona të rinj në fushatën e tij. Shumë prej tyre janë të zhgënjyer. Për një zëvendëspresident si Sanders ata do të vazhdonin të luftonin në fushatë, por jo për një Kaine. Por pavarësisht se sa i rëndësishëm është posti i zëvendëspresidentit: Ky vendim personeli nuk e përcakton rezultatin e fushatës zgjedhore në SHBA. Në fund lufta zgjedhore zhvillohet mes Hillary Clinton dhe Donald Trump.

Artikulli paraprakImami i radikalizuar në Kosovë i bashkohet ISIS-it
Artikulli tjetërFranca e paaftë për reformim