Barbara Wesel
Muaj protestash në rrugë, muaj grindjesh politike brenda tek qeveria socialiste, bllokadë nga opozita – e në fund u mbars mali ligjvënës e polli një mi. Madje edhe kjo është e ekzagjeruar: Sepse ajo që doli në fund pas përpjekjeve kaotike për reformimin e tregut të punës të ngurtë, ishte thjesht një plesht. Një ndryshim ligjor i vogël, që as nuk krijon vende të reja pune dhe as hap shanse të reja.
Sindikatat franceze kanë kërcënuar që nga pranvera me greva, pamë edhe protesta të dhunshme për të frenuar Presidentin Hollande. Të gjitha këto vetëm sa i dhanë goditjen e fundit tentativës së paguximshme për reforma. Pjesën kryesore të reformës e eliminoi vetë partia qeverisëse, krahu i majtë i së cilës këmbënguli aq shumë për ndryshime, saqë reforma jo u zbut, po u qullos e gjitha. Por edhe pas kësaj Presidenti ishte i detyruar ta fuste reformën pa miratim në Parlament. Kjo është e mundur në bazë të ligjit francez, por një shenjë dramatike e dobësisë së qeverisë. Tani javës 35-orëshe të punës në Francë i shtohen edhe ca orë, mbrojtja ligjore për vendin e punës zbutet disi, edhe ca ujdi tarifash brenda firmave bëhen pak a shumë të mundura. Kaq.
Pas reformës gjysmake të tregut të punës fshihet një problem më i thellë. Sindikatat e majta franceze nuk njohin partneritetin social, por vetëm luftën dhe këtë për anëtarët e tyre. Vërtet prej kohësh ato përfaqësojnë vetëm një minoritet, por ende kanë aq fuqi sa ta trembin qeveritë. Retorika e tyre klasore të kujton vitet ‘20 të shekullit të kaluar. Por ende ata kanë përkrahje tek krahu i majtë i socialistëve.
Të dyja palët kërkojnë rrugën më të rehatshme. Në vend që të vrasin mendjen se si të pajtohet globalizimi dhe trysnia e konkurrencës me standarde të mira sociale, ato luftojnë për qëndrimin “Përpara si dikur”. Nëse nuk ka vende të mjaftueshme pune, sindikatat i drejtohen qeverisë të krijojë të reja. Nëse shërbimi publik i tejfryrë nuk ka më fonde, atëherë le të bëhen më shumë borxhe – po pastaj? Kjo pyetje nuk merr përgjigje nga dogmatikët.
E majta tradicionale në Francë po eliminon vetveten këto kohë. Në zgjedhjet e ardhshme ajo do të pësojë një goditje rrënuese, sepse qeveria e Hollande kishte mandatin të reformonte vendin dhe nuk ia doli dot. Kjo ka të bëjë edhe me grindjet brenda kësaj partie e luftën e brendshme. Realitetmohuesit brenda partisë po i çojnë socialistët në vetëvrasje politike nga frika e vdekjes. E njëjta gjë vërehet tek Partia Laburiste në Britaninë e Madhe.
Francois Hollande është një President i dobët, edhe sepse nuk ia doli dot të bashkonte partinë. Në zgjedhjet e ardhshme timonin do ta marrë e djathta dhe Franca mund të jetë me fat, nëse në krye dalin republikanët konservatorë dhe jo Fronti National. E majta franceze ka tani ndoshta shansin e fundit të modernizohet ose të fundoset. E në këtë rast nuk ndihmon dot as britaniku Jeremy Corbyn dhe as Bernie Sanders nga Maerika. Burrat e së djeshmes për fat të keq nuk japin dot përgjigje për problemet e të sotmes.