Reforma në Drejtësi, kush humbi dhe kush fitoi

Sali BERISHA

Të enjten që kaloi, Reforma në Drejtësi u votua në Parlament me konsensus të plotë, pra me 140 vota. Kjo ishte maratona më e gjatë dhe me konfliktualitet e akuza të ndërsjella më të ashpra, me negociatat më intensive, më të vështira, në nivelet më të larta mes faktorëve politikë shqiptarë, por dhe aleatëve dhe partnerëve të Shqipërisë, përfshirë edhe nivelet e tyre ndër më të lartat në këto dy dekada. Pavarësisht nga të gjitha këto, kjo reformë u miratua me votat e të gjithë deputetëve pra, me konsensusin më të gjerë të mundshëm. Por konsensusi i kësaj reforme nuk ishte konsensus i vullnetit të mirë, konsensus i dëshirës apo i zemrës së të gjitha palëve, siç duhet të ishte.
Jo, ky konsensus i 22 korrikut ishte lens non volens, pra konsensus i imponuar, deri në orën e fundit, nga njëra palë. Konsensusi i vullnetit të mirë është gjithnjë një ëin-ëin story pra, histori ku fitojnë të gjithë, ai udhëhiqet nga shumica, e cila natyrshëm është dhe aksioneria kryesore e tij, por që ka në proporcion kontributin dhe aksionet e pakicës.
Ndryshe është çështja në konsensusin e imponuar apo konsensusin lens non volens. Këtu udhëheq apo bën ligjin ai që arrin t’i imponohet palës tjetër, qoftë dhe ndaj shumicës numerike apo faktorëve të tjerë. Ky është eksepsional, është përjashtimor. Ky ishte ekzakt rasti i konsensusit për Reformën e Drejtësisë në Shqipëri. Në këtë konsensus udhëhoqi opozita, jo me kërcënime, as dhe me milionat e eurove, ndoshta të vjedhura në aeroport, por vetëm dhe vetëm me forcën e pathyeshme të ideve dhe parimeve të drejta që mbronte. Ato çanë çdo rrethim, çdo kurth apo bllokim që u përpoqën t’i bëjnë padrejtësisht asaj. Në këtë konsensus udhëhoqi opozita, edhe sepse një krah i rëndësishëm i mazhorancës ndau dhe mbrojti me opozitën parime dhe vlera që qëndrojnë në themel të një sistemi gjyqësor të pavarur dhe në momente kritike u nda me qeverinë që donte të kapte me çdo kusht sistemin e drejtësisë.
Në këtë lloj konsensusi përsëri fitojnë pothuaj, por jo të gjithë. Këtu, në dallim nga i pari, ka fitimtarë, por ka dhe të humbur.
Kështu që tani, pas finalizimit të reformës me votën unanime të të gjithë  deputetëve, me të drejtë qytetarët, analistët bënë bilancet, shtruan pyetjen legjitime se kush fitoi dhe kush humbi nga ky konsensus. Prandaj le të shohim këtë çështje.

Kush fitoi?

Në rrafshin filozofik fitoi e vërteta, liria, vlerat e saj, dinjiteti njerëzor dhe kombëtar.

Kush humbi?

Humbi gënjeshtra, intriga, nënshtrimi dhe poshtërimi njerëzor dhe kombëtar.

Po në rrafshin social, kush fitoi?

Në rrafshin social fitoi konsensusi, ujdia shoqërore dhe kombëtare, për rrjedhojë fitoi çdo qytetar shqiptar që kërkon të shohë përfaqësuesit e tij të bashkuar në gjërat më të mëdha!
Fituan të gjithë ata faktorë vendas dhe të huaj që i besojnë konsensusit, vlerave të tij të mëdha dhe luftuan deri në orën e fundit për konsensus, në veçanti fitoi PD, e cila nga e përjashtuara e madhe në fillimet e procesit, dora-dorës arriti të bëhet, me qëndrimet e saj, promotor kryesor i konsensusit të reformës dhe nuk u tërhoq për asnjë çast pavarësisht nga përpjekjet për t’ia përplasur para syve dyert dhe mbyllur ato. Me persistimin e saj stoik në çdo inch, në çdo fjali dhe nen, PD arriti që, një mision që dukej krejtësisht i pamundur, mission impossible, ta realizojë e ta kthejë me sukses të plotë.
Dihet tashmë se PD nisi pjesëmarrjen në këtë proces e dënuar marrëzisht me përjashtim nga konsensusi. E them marrëzisht sepse duhet të jesh i verbuar nga urrejtja për opozitën të refuzosh ofertën e saj për konsensus, ndërkohë që dihet se në këtë rast përfituesi politik kryesor është qeveria dhe dytësore është vetë opozita. Megjithëkëtë qëndrim të Edi Ramës, PD, që nga orët e para të fillimit të punës për Reformën e Drejtësisë deri dhe një orë para votimit të saj, punoi pa u lëkundur, përballoi pa u përkulur të gjitha presionet, kërcënimet primitive dhe qëndroi e gatshme të paguante çdo çmim për konsensusin, jo për atë që i duhej Edi Ramës, por për konsensusin që i duhej Shqipërisë. Partia Demokratike i besoi konsensusit, edhe kur ai dukej i pamundur apo vite drite larg dhe ia doli ta realizojë dhe imponojë atë. Por duhet të them se në këtë mision, në këtë arritje historike të PD, shqiptarëve dhe Shqipërisë, një rol thelbësor ka luajtur mbështetja e fuqishme e qëndrimeve të PD nga nivelet e larta dhe shumë të larta të aleatëve dhe partnerëve tanë, si dhe qëndrimi i vendosur pro konsensus i LSI dhe kryetarit të saj, që është dhe kryetar i Parlamentit, zotit Ilir Meta.
Kështu që në këtë proces padyshim fitoi edhe LSI, që në momente kritike midis konsensusit dhe bashkëqeverisjes, zgjodhi konsensusin. Fituan miqtë e vërtetë të Shqipërisë që donin më të mirën e saj, jo 90 e ca vota të blera, por 140 vota për Reformën e Drejtësisë.
Në këtë proces meritë të veçantë kanë dhe aleatët e PD që qëndruan pa u lëkundur në anën e konsensusit.
Në krye të radhës tre ishin vendimet më të rëndësishme dhe përcaktuese të suksesit të PD, shqiptarëve dhe Shqipërisë.
1- Së pari, vendimi i PD për të marrë pjesë në proces. PD, duke e konsideruar Reformën e sistemit të Drejtësisë si një reformë jetike për liritë dhe të drejtat e qytetarëve, barazinë para ligjit dhe funksionimin e shtetit ligjor, pavarësisht se i mbyllën dyert e konsensusit, ajo vendosi të marrë pjesë e të bëjë gjithçka për të dhënë ndihmesën e vet në këtë reformë.
2- Së dyti, vendimi i saj për të paraqitur si kusht të vetëm, por sine qua non për këtë pjesëmarrje, pranimin nga palët të Komisionit të Venecias si arbitër për Reformën në Drejtësi. Mund të thuhet se në këtë vendim, pas të parit, të lidershipit të PD dhe grupit të saj parlamentar, qëndron fitorja e parë, por dhe përcaktuese për fatin e reformës. Me këtë vendim, PD zgjodhi për reformën arbitrin e pazëvendësueshëm dhe më të mirë të kohërave. PD ia doli të imponojë kushtin e saj edhe falë mbështetjes së plotë të disa institucioneve të vendit, si dhe komunitetit ndërkombëtar që përshëndeti dhe mbështeti kushtin e PD!
Edi Rama fillimisht e pranoi kushtin de juro, por e refuzoi atë de facto. Ai refuzoi ta ftonte duke u fshehur prapa Xhafës, i cili për muaj nuk pranonte të firmoste ftesën drejtuar këtij Komisioni. Pas refuzimesh absurde e malinje të Xhafës dhe denoncimit të opozitës, kryetari i Parlamentit, Ilir Meta deklaroi publikisht se do të niste ftesën siç ishte rënë dakord dhe e nisi atë!
3- Së treti, vendimi i PD ishte për të mbrojtur dhe imponuar me çdo çmim rekomandimet e Komisionit të Venecias, si vijat e kuqe të vërteta e jo si ato të Edi Ramës, si norma jetike dhe vendimtare për një sistem drejtësie të pavarur, transparent, eficent. Ky qëndrim i PD u shndërrua në levën e Arkimedit të fuqisë së saj, u mbështet gjerësisht nga komuniteti ndërkombëtar, mjafton të rikujtoj këtu citimin e Venecias nga sekretari Kerry gjatë vizitës në Tiranë.
Tani le të shohim.

Kush humbi?

Në rrafshin social humbi përçarja, konflikti social i shoqërisë tonë. Humbën të gjithë ata shqiptarë dhe të huaj, sado jo të shumtë, por që ishin dhe janë kundër konsensusit në shoqërinë shqiptare, janë për provokacionin, përçarjen dhe konfliktualitetin e saj.
Humbësi më i madh është Edi Rama, që dy vite më parë bindi njerëzit rreth tij, por dhe të huaj, se në Shqipëri fjala dhe nocioni konsensus nuk njihen, nuk kanë ekzistuar kurrë dhe nuk ekzistojnë dhe bazuar me këtë qëndrim përçarës, përjashtoi që ditën e parë PD nga pjesëmarrja konsensuale në reformë. Mbi këtë qëndrim thellësisht jo demokratik, por dhe antishqiptar, Edi Rama bëri gjithçka kundër konsensusit. Jo në një, por në dhjetëra raste, deri dhe një orë para votimit të reformës, ai i bëri gropën konsensusit, por në të gjitha rastet pa përjashtim ai ra vetë brenda në gropën që bëri dhe dështoi!
Humbësi më i madh dhe më i turpshëm është Edi Rama, i cili për të bllokuar dhe shkatërruar konsensusin përdori çdo mjet, nga të gjitha llojet e mashtrimeve, kurtheve dhe trillimeve deri tek përdorimi i vrasësve dhe hanxharëve të krimit, përdori miliona e miliona euro për të groposur konsensusin dhe sipas mendjes së tij të sëmurë, së bashku me të edhe PD dhe për të votuar me votat e krimit antireformën e tij! Verbëria, urrejtja dhe tërbimi ndaj PD e shtynë Edi Ramën që, pikërisht ditën që Kancelarja Merkel, komisioneri Hahn, zëvendëssekretarja e Shtetit Nuland, kryetari i radhës së BE, ministri i Jashtëm i Sllovakisë Lajçak, Presidenti i PPE, Jozef Daul, kryetari i Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian, Elmar Brok, kryetari i delegacionit të PE dhe reporteri i tij për Shqipërinë, përkatësisht deputetët Eduard Kukan dhe Knut Fleckenshtain i telefonuan, i dërguan letra dhe mesazhe kryetarit të PD, zotit Lulzim Basha duke e përgëzuar për rolin e tij qëndror në arritjen e konsensusit, ndërsa Edi Rama me Xhafën e drogës do të kapnin kazmat për të varrosur konsensusin. Për këtë qëllim, ai do të përmbyste marrëveshjen gentelman të konfirmuar me dëshmitarë, siç do të pohonte ministri Manjani, midis Bylykbashit dhe Agaçit, për të përdorur të njëjtën praktikë për emërimet si në rastin e Komisionit të Vetting-ut ashtu dhe në forumet e reja të emërimeve në sistemin gjyqësor propozuar nga projekti hibrid mbështetur fuqishëm nga zonja Nuland. Rama futi në paketën e reformës propozimin, sipas të cilit, drejtuesit në këto institucione me rëndësi vendimtare për emërimet në piramidën e drejtësisë do të zgjidheshin me votë të transferuar, e refuzuar kjo në mënyrë kategorike nga opozita si një praktikë lehtësisht e korruptueshme. Dhe jo vetëm kaq, por për të qenë 100% i sigurt në kapjen e plotë të këtyre institucioneve, opozita, sipas propozimit famëkeq të drogës, opozita detyrohej të zgjidhte përfaqësuesit e vet (më së shumti një të vetëm) ekskluzivisht nga propozimet e njerëzve më të ngushtë të Ramës si Sokol Sadushi, Artan Hoxha, Maks Haxhia, pra institucionet që ata drejtojnë!
Rama me tellallët e tij përhapi kudo lajmin e rremë, për të nxirë kundërshtarin, se Basha u tërhoq nga marrëveshja. Por vërtet shpejtësia me të cilën përhapet gënjeshtra është shpejtësi drite, mirëpo nga ana tjetër drita e të vërtetës shkrin gënjeshtrën njëlloj si bryma para rrezeve të diellit.
Fillimisht dhe gjatë gjithë ditës ishte ndërhyrja e fuqishme e palëkundur e kryetarit të Parlamentit që bllokoi me qëndrimin e tij këtë akt të papërgjegjshëm të Edi Ramës. Ishte ndërhyrja e prerë e niveleve të larta e më të larta të Ëashingtonit dhe Brukselit që groposën Ramën dhe përpjekjen e tij për të kapur drejtësinë, pikërisht në gropën që hapi vetë.
Kështu pra, para kartonit të kuq jo vetëm u tërhoq, por në panik e sipër Edi Rama pranoi praktikën e vendeve të rezervuara për opozitën për zgjedhjen e përfaqësuesve të saj, të cilën personalisht e kishte kundërshtuar me dhjetëra herë në mënyrë kategorike në rastin e Komisionit të Vetting-ut!
Humbën gjithashtu ata pak të huaj, që për qëllime apo ndjenja të mbrapshta ndaj tyre, iu deklaruan shqiptarëve se për Reformën në Drejtësi nuk duhet marrëveshja, ndërkohë që Europa e bashkuar është ndërtuar e tëra mbi marrëveshjen e mbi konsensusin!

Kjo ishte në rrafshin social, po në rrafshin parimor?

Në dy vite për Reformën për Drejtësinë u përballën dy qëndrime diametralisht të kundërta. Qëndrimi i Edi Ramës dhe PS për një drejtësi dege ekzekutivi fund e krye në duart e tij dhe qëndrimi i PD dhe Lulzim Bashës për një drejtësi të pavarur, eficente, transparente, të standardeve europiane, të bazuar rigorozisht në rekomandimet e Komisionit të Venecias. Dua të theksoj këtu se në mënyrë të pavarur, një qëndrim të tillë do të mbante, pas rrëzimit nga Komisioni i Venecias i projektit Rama-Xhafa të shtatorit të kaluar, edhe Lëvizja Socialiste për Integrim duke bërë kështu të pashpresë përpjekjen donkishoteske të Edvin Kristaq Ramës për t’u bërë kryegjykatës, kryeprokuror, kryehetues i këtij vendi. Ndaj dhe le të shohim.

Kush fitoi?

Fituan parimet dhe vlerat bazë që qëndrojnë në themel të një shoqërie të lirë, vlerat dhe parimet themelore të sanksionuara edhe në rekomandimet e Venecias për një sistem të pavarur eficent dhe transparent drejtësie, vendimtar për ekzistencën për funksionimin e shtetit ligjor dhe ekzistencën e një shoqërie të lirë!
Fituan pra, të gjithë qytetarët shqiptarë, që me sistemin e ri të drejtësisë do të mund të kenë më të sigurta, më të garantuara liritë dhe të drejtat e tyre themelore, zbatimin e ndershëm të ligjit!
Fitoi PD, aleatët e saj dhe forca e tjera që u besojnë këtyre parimeve dhe vlerave, që i kanë në themel të programeve të tyre dhe që i mbrojtën ato me vendosmëri dhe konsekuencë të jashtëzakonshme.
PD, lidershipi dhe ekspertët e saj, që në fillim, për t’i qëndruar me konsekuencë thirrjes së vet për konsensus, nuk hartuan një projekt të tyre të ri të veçantë, por vendosën që të dërgonin në Komisionin e Venecias oponencat për projektet e shtatorit, janarit dhe marsit te “Rama-Xhafa”. Këto oponenca rezultuan se ishin në sintoni të plotë me parimet e Venecias. Komisioni i Venecias rrëzoi dhe bëri copë-copë projektin “Rama-Xhafa” të shtatorit dhe më vonë edhe atë të shkurtit dhe marsit. Ky Komision gjeti të drejtë oponencën e PD dhe rrëzoi në 38 nene projektin “Rama-Xhafa” si një projekt antidemokratik, antikushtetues, antieuropian duke legjitimuar kështu këto akuza të oponencës së opozitës ndaj projektit të qeverisë.
Fitoi dhe LSI, e cila pas rrëzimit të plotë të projektit të shtatorit u nda nga mazhoranca dhe bazuar në rekomandimet e Komisionit të Venecias, me ekspertë të vet hartoi një projekt solid, të cilin e dërgoi paralel me projektin e dytë të Ramës në Komisionin e Venecias. Me këtë akt ju bëri me dije anëtarëve të Komisionit se, në rast se një pjesë e qeverisë kishte si qëllim kryesor kapjen e drejtësisë, pjesa tjetër e qeverisë nuk ndante një qëndrim të tillë, por ishte për një reformë që të bazohej në standardet më të mira të Venecias dhe rekomandimet e saj. Tani le të shohim:

Kush humbi?

Humbi përpjekja e të gjithë atyre shqiptarëve, por dhe të huajve, për të kapur drejtësinë dhe shndërruar atë, me projektin famëkeq të shtatorit 2015 dhe projektet e tjera në vazhdim të qeverisë, nga pushtet i pavarur, në një degë të ekzekutivit shqiptar.
Humbësi më i madh është Edi Rama dhe ekipi i tij që, me projektin e tij të Xhafës së drogës, donte të kapte për fyti drejtësinë, të emëronte vetëm me votat e mazhorancës së qelbësirave të gjithë piramidën e sistemit të saj. Në këtë projekt Rama donte që, njëlloj si në republikën e Old Mayerit, t’u mohonte qytetarëve shqiptarë të drejtën e ankesës dhe procesit gjyqësor të garantuara në Kushtetutë dhe Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut. Old Mayer Rama donte që Xhafa, ministri i tij i drejtësisë, të ishte anëtar, pa përjashtim në katër forumet e drejtimit të sistemit gjyqësor, ndër të tjera edhe në Tribunalin Disiplinor të gjykatësve dhe prokurorëve të Shqipërisë që do të paraqiteshin para këtij Tribunali. Kurse me Byronë Kombëtare të Hetimit (BKH) ala Rama, hetimi në Shqipëri vendosej nën Edvin Kristaq Ramën, në vartësi të Drejtorisë së Policisë së Shtetit, pra të çunave të krimit.
Humbës të turpshëm janë dhe ekspertët e nivelit të lartë të Edvin Kristaq Ramës që, në projektin famëkeq të shtatorit, vendosën në Kushtetutën e vendit nene për të sanksionuar pushtetin e tyre personal.
Pasi u diskreditua me përpjekjet e tij të verbëta për kapjen, shndërrimin e sistemit gjyqësor në një degë të ekzekutivit të tij, duke vendosur hetimin në vartësi të Drejtorisë së Policisë, vendosur ministrin në të gjitha forumet drejtuese, të emërimit, të ndëshkimit të prokurorëve dhe gjykatësve të vendit, Edi Rama luajti letrën e fundit, letrën e turpit, përpjekjen për të kapur sistemin e drejtësisë nëpërmjet të huajve! Duke dëshmuar kështu se, për të shpëtuar lëkurën e tij nga drejtësia, ai ishte i gatshëm, njëlloj si etërit e tij, të bënte çdo tregti e çdo pazar. Këtu Edi Rama mendoi se gjeti pikën e kthimit të botës kundër PD. Po përsëri:

Kush fitoi?

Fitoi dinjiteti i çdo shqiptari dhe dinjiteti i vetë Shqipërisë. Gjykatësit dhe prokurorët e saj, nuk do t’i emërojnë të huajt si në vendet protektorate të OKB, por vetë shqiptarët, si zyrtarë të një vendi të lirë e sovran! Miqtë, partnerët do të asistojnë!
Fitoi Partia Demokratike, si parti e palëkundur e interesit kombëtar, që me vendosmëri absolute nuk pranoi që gjykatësit dhe prokurorët e këtij vendi t’i emërojnë të huajt. Në qëndrimin e saj të palëkundur, PD gjeti mbështetje maksimale nga qendrat kryesore në Washington, Bruksel, Berlin dhe miqtë e partnerët e tjerë që e duan Shqipërinë si vend të lirë sovran, të pavarur dhe respektojnë dinjitetin njerëzor dhe kombëtar të shqiptarëve.

Kush humbi?

Humbën ata pak shqiptarë apartidë dhe të huaj albanofobë, që donin që në Shqipëri të huajt të bënin ligjin e drejtësisë, donin që Parlamenti shqiptar të votonte listat dhe raportet që do t’i paraqisnin të huajt, të veshur tani me pushtet kushtetues të njëjtë me atë të Presidentit të Republikës apo Kryeministrit të vendit, paçka se ata nuk kishin asnjë përgjegjësi para ligjit dhe Kushtetutës së Shqipërisë. Madje, marrëzia e tyre dhe e Edi Ramës kulmoi deri aty saqë u kërkua që edhe në mungesë të të dhënave, fakteve dhe provave, pra kritereve ligjore, por bazuar thjesht në opinione, të huajt të hiqnin dhe të vinin apo damkosnin cilindo gjykatës e prokuror të këtij vendi!
Ky ishte poshtërimi më i madh që Edi Rama dhe jo vetëm ai, ju bënte shqiptarëve, të cilët tani, njëlloj si në kohërat e tyre më të zeza, do të dënoheshin tani vetëm pa fakte, prova, të dhëna, por vetëm me opinione të të “pagabueshmëve”, kësaj radhe jo shqiptar, por të huaj!
Humbësi më i madh dhe i turpshëm është Edvin Kristaq Rama që, për gjashtë javë me radhë, disa herë në ditë, ju deklaronte shqiptarëve se unë emërimin e vetorëve, të gjykatësve dhe prokurorëve të vendit, do t’ua besoj të huajve dhe vetëm atyre dhe se kjo ishte një vijë e kuqe për të, ndaj dhe opozita nuk ka punë me këtë proces. Por përsëri, edhe këtu dështoi për shkak të kundërshtimit kategorik të prerë të opozitës, por edhe të LSI dhe aleatëve dhe partnerëve tanë, të cilët i nxorën përsëri kartonin e kuq Edi Ramës dhe vijës së tij të kuqe dhe vijën e tij të kuqe e shndërruan në këpucën e tij të kuqe.
Kjo sepse, ky qëndrim dhe vijë e kuqe e tij, vinte në kundërshtim flagrant me rekomandimet e Komisionit të Venecias, të cilat në nenin e famshëm 88, sanksiononin të drejtën e opozitës për të patur përfaqësim të rëndësishëm në procesin e emërimeve të anëtarëve të të gjitha forumeve kryesore të sistemit të drejtësisë. Po këto rekomandime përjashtonin preras rolin vendimmarrës të të huajve në këto emërime, pasi ata mbanin përgjegjësi ligjore dhe kushtetuese vetëm para shteteve të tyre dhe jo shtetit shqiptar.
Pasi dështoi në këtë përpjekje të turpshme, Edi Rama nisi të deklaronte çdo ditë se ai dorëzonte sovranitetin e vendit personave të huaj pa asnjë përgjegjësi para këtij vendi, ai i dorëzonte atyre emërimin e gjykatësve dhe prokurorëve. Edi Rama dhe jo vetëm ai, por dhe albanofobët që e mbështetën në këtë tezë, barazonin Shqipërinë me vende që kishin kaluar luftëra të gjata civile, si Liberia, Sri Lanka, Bosnje-Hercegovina dhe ishin bërë të pavarura pasi kishin qëndruar disa vite si protektorate të OKB.
Kështu, ky njeri antishqiptar, njëlloj si etërit e tij bllokmenë hoxhistë që, për karrigen e vet ishin gati të shisnin çdo gjë, dëshmoi se për pushtetin e tij, për të shpëtuar lëkurën e tij nga megaaferat dhe lidhjet e krimit, duke kapur drejtësinë, është i gatshëm të shesë çdo gjë, qoftë edhe thelbin e sovranitetit të këtij vendi! Por përsëri PD, si parti e interesit kombëtar, qëndroi e palëkundur ndaj të gjitha presioneve, kërcënimeve dhe me besim plotë te miqtë dhe partnerët tanë se ata nuk do të pranonin kurrë një poshtërim të tillë për Shqipërinë. Opozita nuk gaboi. Nga Washingtoni, Brukseli, Berlini u pranua plotësisht qëndrimi i saj për rolin vetëm rekomandues non binding të të huajve në procesin e Reformës së Drejtësisë!
Kështu që, pa dyshim, humbës këtu janë edhe ata të huaj që harruan se përfaqësonin qeveritë e tyre demokratike dhe jo qeveritë e dikurshme perandorake dhe u apasionuan pas ofertës së një njeriu pa dinjitet, apartid që, pasi dështoi në kapjen me mënyra të tjera të sistemit të drejtësisë, i keqpërdori ata duke i mikluar me pushtetin kushtetues të emërimit, gjithnjë për llogari të tij, të gjykatësve dhe prokurorëve të një vendi tjetër. Madje, për të nxjerrë më lehtë listat që donte Rama, ai iu akordoi atyre të drejtën që ato lista të mund t’i formulonin bazuar vetëm, natyrisht jo në fall, por në opinionin e tyre të “pagabueshëm”, vetëkuptohet, në opinionet e vetë Ramës!
Edi Rama humbi se, edhe pasi dështoi të kapte drejtësinë shqiptare me mashën e të tjerëve duke e barazuar Shqipërinë me vendet e varura nga OKB, ditën e fundit nxori fytyrën e tij së bashku me Xhafën e drogës, mohoi “marrëveshjen xhentelmen”, midis Bylykbashit dhe Agaçit, sipas të cilës të gjithë drejtuesit, të gjithë anëtarët e forumeve e piramidave gjyqësore do të votoheshin sipas formulës së dakordësuar për Komisionin e Vetting-ut. Njëlloj si i mbyturi që kapet në fijen e kalbur të barit, ai u lumturua dhe mashtroi veten duke menduar se mund të kapte të gjitha institucionet e tjera. Edhe këtu, duhet të theksoj se kryetari i Parlamentit luajti një rol jashtëzakonisht pozitiv dhe të vendosur, edhe këtu, qendrat e mëdha e kuptuan se kush ishte njeriu që donte të kapte drejtësinë dhe përsëri i nxorën kartonin e duke e bërë të tërhiqej me bisht nën shalë.
22 korriku është një ditë unike në historinë e këtij vendi për faktin se, për herë të parë, një konsensus i diktuar nga opozita votohet nga 140 vota. Por dhe sepse për herë të parë kryetari i opozitës, njeriu që e nxori prej leckash nga bashkia Edi Ramën dhe që s’ka burrëri të ballafaqohet ndonjëherë me të, iu ul aty ballë për ballë, karshi dhe shqiptarët panë njeriun që vjen i gëzuar, i qeshur dhe i sinqertë për shërbimet që i bëri PD dhe ai vendit dhe njeriun që ikën, i cili sa nuk ia mbathi me vrap për t’u larguar nga mediat.

Opozita do japë çdo kontribut për zbatimin e Reformës

– Zoti Berisha, erdhët me një fjalim të mirëpërgatitur sot…
Të garantoj që çdo fjalë që mbaj aty ka një përgatitje, përveç momenteve të replikave. Unë kam qenë pedagog dhe nuk kam shkuar kurrë me leksion të vjetër tek studentët, pa rifreskuar njohuritë dhe problematikën.

– E ka fituar PD betejën për Reformën në Drejtësi apo është lojë politike?
Unë kam thënë të vërtetat më të padiskutueshme, ky ishte konsensusi lens non volens…

– Do të japë konsensus opozita edhe për 7 ligjet që duhen?
Opozita do të japë çdo kontribut që i takon të japë për zbatimin sa më të shpejtë, sa më të mirë të kësaj reforme.

– Folët për një krisje të mazhorancës…
Jo nuk u mora me atë. Unë fola për rolin e padiskutueshëm që ka luajtur LSI sepse LSI çoi draftin e vet në Venezia.

– Ka një bashkëpunim midis PD dhe LSI?
Ju garantoj se qëndrimet e LSI kanë qenë tërësisht të pavarura. Duhet t’i shohim mirë gjërat. Pasi erdhën rekomandimet e Venezias, LSI nxori shënimet e veta.

Artikulli paraprakBasha-Buquicchios: Mirënjohje Venecias për Reformën në drejtësi
Artikulli tjetërPse Rama nuk e mohon skandalin?