Nga Red VARAKU
Presidenti Ilir Meta do të jetë tani e tutje protagonist i vetëm i debatit politik në vend dhe kjo me urdhër të strategëve të propagandës së kryeministrit Rama. Rama po bën ç’është e mundur ta mbajë atë si ‘armikun’ më të madh para shqiptarëve, që nga momenti që dolën përgjimet.
Për të arritur këtë qëllim ngriti dhe komisionin hetimor, i cili nuk është gjë tjetër, vetëm se një kllounadë, vetëm një mënyrë për ta kthyer ‘betejën’ kundër Presidentit, në qendër të vëmendjes së opinionit publik , duke ushqyer kështu fabulën tashmë të diskretituar të Reformës në Drejtësi.
Deri para publikimit të përgjimeve dhe djegjes së mandateve, Presidenti vazhdonte i qetë në detyrën e tij. Në fakt nuk kishte arsye se përse nuk duhet të ishte i qetë, nëse merr në konsideratë, që ai u zgjodh president nga vetë socialistët. U zgjodh në një kohë kur kryeministri Rama ishte në buzë të greminës për shkak të presionit që erdhi nga protesta e ‘Çadrës’.
Asokohe z. Meta i bëri një shërbim shumë të madh z.Rama, duke i dhënë oksigjenin e duhur për ta tejkaluar atë krizë. Nëse ju kujtohet, ishte koha kur PD e priti për tre muaj me rradhë Ilir Metën, që ai të braktiste Ramën dhe t’i bashkohej Opozitës. Nëse Ilir Meta do ta braktiste Ramën në atë moment, rrëzimi i Ramës ishte i pashmangshëm dhe sot nuk do të ishim në këto kushte. Pra, Ramën ‘peshqesh’ e kemi nga Ilir Meta. Këtë përgjegjësi e ka pranuar edhe vetë kryetarja e LSI-së.
Prej Janarit, Edi Rama , e ka kthyer në taktikën kryesore të propagandës sulmin kundër Ilir Metës. E cila, kulmoi në momentin kur Meta, zhdekretoi datën 30 Qershor, si datë zgjedhjesh lokale, duke i bërë ato praktikisht të paligjshme. Nga ai moment, sulmi kundër Presidentit është bërë frontal nga propaganda e Edi Ramës.
Të gjithë pinokët e tij politik të propagandës Elisa, Spartaku, Taulanti, Ulsiu, janë hedhur në një sulm të mirëkoordinuar kundër Ilir Metës. Ndërkohë, Mero dhe Sokoli, po projektojnë rrëzimin e Bashës, dhe po ia shesin Ramës dy gomerët e opozitës së Opozitës, Rudinën dhe Murrizin si kuaj të kalibrit botëror.
Sot, nesër, pasnesër dhe në ditët në vazhdim do të ketë ngjarje të tjera në këtë vend. Por, ju nuk duhet të çuditeni që çdo gjë e keqe tani e tutje do të lidhet vetëm me një emër, Ilir Metën dhe Reformën në Drejtësi. Nëse tokës rastësisht i afrohet ndonjë meteor, nëse ka korrupsion apo nëse ndodhin krime, nëse ka rritje vrasjesh dhe vetëvrasjesh, fajtor do të jetë ai, Ilir Meta.
Strategët e propagandës së Edi Ramës kanë vendosur se deri në një datë të re zgjedhjesh, z. Rama duhet të sulmojë vetëm një armik. Armiku i ri është njeriu që atë e bëri kryetar bashkie në Tiranë, njeriu që e bëri kryetar partie, njeriu që e bëri kryeministër në 2013, njeriu që nuk e rrëzoi përtokë në momentin më të vështirë të tij në katër vjeçarin e parë, kohën e Çadrës. Armiku i ri është vetë ai, z. Ilir Meta.
Por çfarë fshihet në të vërtetë pas këtij sulmi kundër Ilir Metës?
Ndër taktikat e tij politike prioritet për të kaluar këtë krizë të rëndë mbetet përralla e Reformës në Drejtësi. Një përrallë që po ushqehet pikërisht nga sulmi që i bëhet Ilir Metës. Mendjet naive dhe të pastërvitura bien lehtësisht prè e kësaj strategjie.
Marifet tjetër është edhe përçarja e kundërshtarëve të tij, dhe meqë tani ata janë shtuar shumë, ai kërkon të neutralizojë së paku njërin prej tyre.Debati që me djallëzi po provokon Rama nuk lidhet me postin e Presidentit në vetvete, por thjesht me përçarjen e Opozitës. Në fakt, ai e di mirë që nuk ka asnjë mundësi apo shans të shkarkojë Ilir Metën, nga pikëpamja kushtetuese, por ama duhet pranuar, që taktika e përzgjedhur prej tij është gjeniale.
Është një marifet gjenial, sepse me këtë sulm, së pari ai mendon se mund të defaktorizojë dhe dobësojë Opozitën. Sepse, duke fabrikuar një kundërshtar tjetër, dhe duke i drejtuar të gjitha bateritë e propagandës kundër tij, faktori opozitar çorientohet.
Së dyti, duke ia ofruar këtë post më pas ndokujt brenda Opozitës, siç flitet nën zë për Jozefinën, a ndoshta dikë tjetër, ai i fryn përçarjes brenda Opozitës. Sepse, duke ringjallur disa skuthë pro tij brenda opozitës, tē cilëve mund t’i jenë premtuar poste në emër të opozitës, ai mendon se dëmton klimën brenda saj.
Por, edhe pse nga pikëpamja propagandistike sulmi ndaj Ilir Metës është gjenial, nga pikëpamja politike ai është një sulm i dështuar, sepse dalja e përgjimeve dhe zgjedhjet pa Opozitën, i kanë djegur çdo alibi politike për dështimin spektakolar dhe për izolimin e Shqipërisë.
Ai po ashtu nuk do të ketë asnjë shans të ketë vëmendjen e opozitës dhe faktorit ndërkombëtar për ta zhvendosur debatin nga përgjimet dhe paligjshmëria e 30 Qershorit tek Ilir Meta . Edi Rama nuk shpëton dot nga e vërteta e patolerueshme e kësaj ngjarjeje katastrofike . Sepse, Opozita po thotë të vërteta të cilat nuk mund të mbyten dot, as me sulme banale ndaj Presidentit, as me shpifje e as me sharje ndaj Opozitës, as me karagjozllëqet e tellallëve të pushtetit pinok.
Por, mbi të gjitha, kjo strategji tregon se ai ka një problem me realitetin. Ai duket sikur i beson edhe vetë ato që thotë.Ai nuk e ka kuptuar që kjo nuk është thjesht një krizë politike, por është një krizë e thellë sistemi, e cila nuk zgjidhet me makiazh politik, sado gjeniale qoftë propaganda. Sepse, në të vërtetë, pas daljes së përgjimeve atij nuk i ka mbetur më asgjë në dorë, veçse të japë dorëheqjen dhe të bashkëpunojë me opozitën për një qeveri reformash dhe zgjedhje të parakohshme.