Enver Bytyçi
Doni ta dini se sa humane dhe idealiste është një parti politike, sidomos në qeverisje? Shihni sa kriminelë kandidon ajo si përfaqësues të saj në parlament ose në krye të pushtetit lokal, apo sa prej tyre i angazhon në administratën publike! Një institut kërkimesh në Prishtinë njoftoi sot se në listën e kandidatëve për deputetë për parlamentin e Kosovës që do të dalë nga zgjedhjet e 6 tetorit gjenden jo pak persona të implikuar dhe akuzuar për vepra kriminale të natyrave të ndryshme. Rekordin e kandidimeve e mbajnë PDK-ja, AAK, Nisma, por edhe AKR-ja e Behgjet Pacollit. Lidhja Demokratike kishte nominuar një kandidat problematik në listën e saj, e megjithatë ajo reflektoi menjëherë, duke premtuar rishikimin e kësaj kandidature. Por LDK dhe VV u paraqitën me listat më të mira për deputetë.
Në Shqipëri është bërë normë modeli i sjelljes në pushtet të njerëzve që kanë probleme me ligjin dhe drejtësinë. Ky virus i kandidimit të vampirëve dhe përbindashave politikë në legjislativin e Shqipërisë duket se ka prek edhe spektrin politik të Kosovës. Ligji i dekriminalizimit, i sponsorizuar nga Partia Demokratike dhe Lulzim Basha, zbuloi faktin se në parlamentin shqiptar ishin ulur 19 deputetë të inkriminuar, shumica dërmuese e të cilëve i përkisnin Rilindjes së Edi Ramës ose aleatëve të tij. Të paktën 25 përqind e numrit të përgjithshëm të deputetëve të Rilindjes u detyruan të lënë mandatet nën akuzën e veprimtarisë së tyre kriminale në kohë të ndryshme të jetës së tyre. Sa e sa kryebashkiakë rilindas u listuan si njerëz të botës së krimit, ende nuk dihet, sepse procesi vazhdon. Dhe fatkeqësisht e njëjta gjë po shfaqet në Kosovë.
Kush janë këta politikanë nga bota e krimit, të cilët duan imunitetin e deputetit apo kryetarit të komunës ose bashkisë? Në Kosovë janë ndarë në dy kategori: Politikanë që janë implikuar në krimin e vrasjes dhe që gjenden në listat e gjykatave ndërkombëtaret për këtë lloj krimi, gjenden gjithashtu në listat e deputetëve të ardhshëm. Këtu nuk përjashtohet as Vetëvendosja. Këta politikanë, të akuzuar për vrasjen e së paku 200 kundërshtarëve politikë, kryesisht përkrahës të Ibrahim Rugovës, duan të na shfaqen në sallën e parlamentit si ‘të besuarit dhe zgjedhurit’ e sovranit.
Kategoria tjetër e kandidatëve të inkriminuar vjen nga radhët e të akuzuarve për korrupsion dhe afera të tjera gjatë periudhës së qeverisjes. PDK largoi Adem Grabovcin, të cilit nuk ia dha mundësinë ta prekë karriken e deputetit të Kuvendit të Kosovës. Por ky akt ishte thjesht një marrëveshje xhentëlmenësh midis Grabovcit dhe Kadri Veselit e Hashim Thaçit. Qëllimi: Të krijohet përshtypja e rreme se PDK do ta luftojë korrupsionin. Por PDK nuk është pjellë e Grabovcit, përkundrazi, Grabovci është pjellë e PDK-së dhe ish-liderit të saj, Hashim Thaçit! Vetëm nëse PDK ia heq Thaçit karriken e presidentit dhe e dënon hapur e publikisht për krimet që ai ka bërë e ka nxit kundër Kosovës e qytetarëve të saj, vetëm nëse PDK deklarohet zyrtarisht kundër praktikave korruptive e nepotiste të themeluesit të saj, vetëm atëherë mund ta rigjenerojë pjesërisht imazhin e saj.
Partitë politike sidomos ajo e Rilindjes në Tiranë, oseajo e Thaçit dhe Veselit me emrin PDK në Prishtinë duket se janë ngjizur me krimin dhe kriminelët. Si të tilla, këto lloj partish politike, kur vijnë në pushtet ushqejnë arrogancën, korrupsionin, bashkëpunimin me krimin dhe bandat e krimit dhe krijojnë kushtet ligjore e extra-ligjore që pasuritë kombëtare t’i përdorin për interesat vetjake, të partisë ose oligarkëve financiarë në shërbim të tyre.
Kësisoj qeverisja në raste të tilla shndërrohet në një qeverisje anti-humane, anti-njerëzore, dhe anti-kombëtare. Në vend të vizionit dhe ideve për qeverisje në të mirë të qytetarëve dhe të vendit, qeverisja krijon një model sundimi gati mizor. Sipas këtij modeli ajo dhunon të drejtat e pakicave të margjinalizuara dhe favorizon sundimtarët politikë e financiarë. Shteti e largon shoqërinë nga modeli i konkurrencës dhe iniciativa së lirë, sepse mungojnë shanset e barabarta. Punëdhënësi merr modelin e shtetit arrogant dhe dhunon të drejtat e punëmarrësve. Krerët e institucioneve, përfshirë dhe institucionet akademike, dhunojnë në mënyrë flagrante të drejtat e punonjësve dhe stafeve akademike.
Shoqëria shndërrohet gradualisht në një shoqëri në depresion dhe humbet çdo ndjesi humane. Dhe në fund të ditës fillojmë e debatojmë pse ndodhin vrasjet, pse ndodh dhuna në familje, pse diskriminohen vajzat dhe gratë, pse nuk ka kujdes për njerëzit me aftësi ndryshe, pse rrënohen bizneset e ndershme, pse në universitete merren si punëdhënës analfabetë e jo studiues dhe profesorë të mirëfilltë, pse… pse?! Të gjitha këto ndodhin se parlamentin e sundojnë kriminelët, se vendin e sundojnë të pashpirtët, se postet i marrin të korruptuarit! Eshtë momenti që Kosova dhe Shqipëria këtyre vampirëve e përbindëshave t’u tregojë vendin, fillimisht me votë, më pas duke bërë drejtësi!
Tiranë, më 10.09.2019