Gjyqi publik i Fethullah Gylenit

Kontradiktat fetare Erdogan-Gylen

David Kenner,
“Foreign Policy”

Përshkrimet kontradiktore të Fethullah Gylen shpesh duket sikur përshkruajnë dy burra tërësisht të ndryshëm. Për mbështetësit e tij, imami me rezidencë në Pensilvani është një mendimtar islamik progresiv dhe tolerant, i cili drejton organizatën e tij tepër të shtrirë të njohur me emrin “Hizmet” (shërbim) që i jep prioritet edukimit dhe punon për të mposhtur radikalizimin në botën myslimane. Për armiqtë e tij, Gylen është një lider i errët kulti, mbështetësit e të cilit janë të rrënjosur kudo në policinë, sistemin gjyqësor dhe ushtrinë turke, si dhe kreu i një organizate terroriste të përkushtuar për të rrëzuar qeverinë e Ankarasë.
Në listën e këtyre armiqve përfshihet edhe Kryeministri Recep Tayyip Erdogan, i cili e akuzoi se ka organizuar grushtin e shtetit të javës së kaluar, i cili dështoi në misionin për të rrëzuar qeverinë. Erdogani dhe zyrtarët e tjerë të lartë kanë thënë se do të kërkojnë ekstradimin e Gylenit dhe nëse Shtetet e Bashkuara nuk pranojnë kjo mund të ngrejë pikëpyetje mbi marrëdhëniet dypalëshe të vendeve. Kryeministri Binali Yildirim tha se çdo shtet që do të mbrojë Gylenin “nuk është mik i Turqisë”.
Nëse Shtetet e Bashkuara do të vendosin të dalin kundër Gylenit, varet se cilin përshkrim të klerikut do të marrin përfundimisht në konsideratë. Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry tha se Shtetet e Bashkuara ende nuk kanë marrë një kërkesë zyrtare ekstradimi për Gylenin, por do të marrin në shqyrtim çdo provë të ligjshme që e implikon atë në rast se u vjen një kërkesë zyrtare nga Ankaraja.
Kjo punë do t’i takojë Robert Amsterdamit, avokati që mbron qeverinë turke, i cili do të mbledhë prova që i vërtetojnë Shteteve të Bashkuara krimet për të cilat akuzohet Gyleni. “Ai është një kriminel që merret me pastrim parash”, thotë Amsterdam për “Foreign Policy”. Gylen, vazhdon ai, hiqet tani si një klerik i padëmshëm 70-vjeçar, ndërkohë që në realitet është duke kultivuar një rrjet të fuqishëm politik dhe po krijon qindra shkolla në Shtetet e Bashkuara që indoktrinojnë fëmijët me ideologjinë e tij. “Mashtrimi”, thotë Amsterdam, “është pjesa më e rëndësishme e kultit të tij”.
Zyrat e rrjetit të shkollave të lidhura me Gylenin në Chicago u bastisën nga FBI-ja në vitin 2014 nën akuzën se ishin duke i kanalizuar fondet e taksapaguesve tek njerëzit e brendshëm të besuar të organizatës, në vend që të ndiqnin procesin e ligjshëm dhe të hapur. Amsterdami ka depozituar shumë e shumë ankesa të tjera kundër shkollave të lidhura me Gylenin në të gjithë Shtetet e Bashkuara, duke i akuzuar se kanë kanalizuar gjithashtu fondet publike të shtetit drejt gylenistëve të tjerë, gjë që përbën natyrisht një konflikt të hapur interesi. Ai i ka akuzuar shkollat publikisht për indoktrinim, duke thënë se punojnë për të përhapur mesazhin islamik të Gylenit ndërmjet studentëve.
Në të njëjtën kohë, thotë Amsterdam, ka krijuar me këmbëngulje edhe një rrjet të gjerë mbështetjeje ndërmjet zyrtarëve të Shteteve të Bashkuara në nivel shtetëror dhe federal. Në një investigim të detajuar të BuzzFeed në vitin 2014, thuhej se ishin zbuluar dhjetëra mijëra dollarë donacione nga simpatizantë të lidhur me Gylenin drejt aleatëve të lëvizjes së Dhomës së Përfaqësuesve. Vitin e kaluar, “Usa Today” zbuloi se lëvizja e Gylenit kishte financuar udhëtimet drejt Turqisë të më shumë se 200 kongresmenëve dhe stafit të tyre, në shkelje të plotë të rregullave të Dhomës. Mendohet se po këta aleatë politikë e kanë ndihmuar Gylenin të kanalizojë paratë e taksapaguesve në shkollat gyleniste. Një tjetër investigim i “Chicago Sun-Times” në vitin 2013 raportoi se shkollat e lidhura me Gylenin, pasi fillimisht u ishte refuzuar përkesa për të zgjeruar altivitetin e tyre, arritën me sukses të apelonin përballë kryetarit të Dhomës së Ilinoisit, i cili e rrëzoi vendimin e mëparshëm.
“Gyleni ka bërë një punë të jashtëzakonshme në Shtetet e Bashkuara, aq sa mund të mendohet se ai dhe mbështetësit e tij kanë 200 vjet që jetojnë aty”, thotë Amsterdam. Për qeverinë turke, këto akuza janë vetëm maja e ajsbergut. Erdogani i ka akuzuar gylenistët e fshehur në radhët e policisë për hapjen e një çështjeje hetimore për korrupsion kundër ministrave të tij të lartë në vitin 2013, një lëvizje e përshkruar si tentativë për grusht shteti. Zyrtarët turq tani e akuzojnë Gylenin se po drejton një “shtet paralel” brenda shtetit, në përpjekje për t’i vënë të gjitha institucionet turke nën kontrollin e tij.
Më 26 maj, Këshilli i Sigurisë Kombëtare të Turqisë e emërtoi zyrtarisht lëvizjen gyleniste si Organizata Terroriste Gyleniste, të krahasueshme me armiq të tjerë si Shteti Islamik dhe Partia e Punëtorëve të Kurdistanit (PPK). Në rast se Gyleni ekstradohet drejt Turqisë, si lider i kësaj organizate, ai do të përballej me akuza të terrorizmit.

Kush është Fethullah Gylen?

Nëse qeveria e Kryeministrit turk, Recep Tayyip Erdogan rrëzohet, një pjesë e mirë e fajit ose e meritës në varësi të këndvështrimit, do të bjerë mbi këtë klerik mysliman dhe perandorinë e tij të errët të përhapur në të gjithë botën. Gjatë dekadës së fundit, Erdogani së bashku me Partinë për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) ka qenë në një luftë të përheshme me ndjekësit e Gylenit mbi kontrollin e politikës islamiste të vendit. Kjo është një luftë që ka ndodhur pas dyerve të mbyllura, por që tashmë ka dalë në dritë.
Si lojtar kyç i politikës turke, Gylen ka fituar shpesh vëmendjen e zyrtarëve amerikanë, si në Washington ashtu edhe në Turqi. Siç është bërë publike nga 155 dokumente diplomatike të prezantuara nga WikiLeaks, të cilat përmendin Gylenin. Zyrtarët amerikanë janë përpjekur ta kuptojnë këtë figurë, por shkrimet e mbledhura mbi të paraqesin vetëm majën e ajsbergut përsa i përket penetrimit të tij dhe ndjekësve në shtetin turk. Duket qartë që Gylen paraqet një kërcënim serioz për qeverinë e Erdoganit.
Lëvizja Gylen pretendon gjithnjë se nuk është organizatë politike, por është mëse e qartë se ndjekësit e Gylenit përfaqësohen në radhët e Policisë Kombëtare të Turqisë. Një dokument i vitit 2009 i ambasadës amerikane thekson se, “fakti që Policia Kombëtare e Turqisë (PKT) kontrollohet më shumë nga gylenistët është i pamundur për t’u konfirmuar, por kemi zbuluar se askush nuk e mohon dhe kemi dëgjuar të dhëna se aplikantëve për t’u punësuar në PKT, që qëndrojnë në pensionet gyleniste, u jepen paraprakisht përgjigjet e testimit zyrtar të policisë”.
Në vitin 2005, dy vjet nga mandati i Erdoganit si Kryeministër dhe në faqen e parë të zhgënjimit të gylenistëve ndaj AKP-së, një investigim i imtësishëm për korrupsion nga ana e PKT-së filloi të vinte nën shënjestër të gjithë zyrtarët e partisë. Qeveria e Erdoganit ndërhyri duke e transferuar kreun e zyrës së krimit të organizuar të PKT-së në një post rajonal dhe duke ia hequr të drejtat mbi investigimin.
Sipas një dokumenti të muajit korrik 2005 të ambasadës amerikane, “transferimi ishte orkestruar nga ministri i Brendshëm, Abdulkadir Aksu, i cili njihej për favorizimin e kurdëve, për lidhje me tregtimin e heroinës, për parapëlqimin e vajzave adoleshente, si dhe për lidhjet e djalit të tij me mafian, fakte që e bënin natyrisht një hallkë të dobët brenda kabinetit”. Teksa akuzat për korrupsion janë duke vënë përsëri nën shënjestër liderët e AKP-së, Erdogani i është kthyer përsëri manualit të vitit 2005, duke transferuar dhe dëbuar një nga një të gjithë hetuesit e korrupsionit brenda Policisë Kombëtare të Turqisë.
Pas investigimit të vitit 2005 për korrupsion, presioni i gylenistëve mbi AKP-në duket sikur u zhduk, pasi të dy forcat u përballën përsëri me armikun e tyre të përbashkët: shtetin brenda shtetit. Ky është një term që në Turqi përdoret tipikisht për komplotet dhe intrigat e një sërë nacionalistëve laikë tepër të pushtetshëm, kryesisht nga radhët e ushtrisë, të cilët historikisht janë përpjekur të dëbojnë qeveritë me tendenca islamike në Ankara. Si AKP-ja, ashtu edhe Lëvizja Gyleniste kanë qenë dikur nën shënjestrën e trupit laik të Turqisë. Gylenistët e PKT-së e kanalizuan vëmendjen e tyre drejt forcave antidemokratike brenda ushtrisë turke dhe siç shkruhet edhe në dokumentet e ambasadës amerikane, në vitin 2008 filluan të lëshonin padi kundër subjekteve të shtetit brenda shtetit. Dokumentet që tregojnë planet e një grushti shteti për të dëbuar AKP-në dhe për të shkatërruar lëvizjen u publikuan në gazetën gyleniste, e cila paraqiti të gjithë historinë. Kjo çoi drejt një gjuetie shtrigash me gjyqe që dënuan rreth 330 zyrtarë të ushtrisë.

Perandoria e fshehtë

Në zemër të Lëvizjes Gyleniste qëndron vetë Gyleni, një klerik dhe ish-anëtar i trupit fetar profesional të mbështetur dikur nga shteti turk, Diyanet, i cili në vitet 1980 ra në kundërshtim me qeverinë për shkak të predikimeve që zyrtarët laikë menduan se ishin të tepërta. Fethullah Gylen u akuzua kështu sipas ligjit për antiterrorizmin në Turqi, për disa komente që u konsideruan të papërshtatshme. Predikimet e këtij lloji ishin: “Miqtë tanë, të cilët mbajnë pozicione drejtuese në institucionet legjislative dhe administrative të vendit, duhet të mësojnë medoemos detajet dhe të bëhen vigjilentë gjatë gjithë kohës në mënyrë që ta transformojnë burokracinë dhe të jenë më frytdhënës kundrejt islamit për të bërë të mundur fillimin e një restaurimi të plotë mbarëkombëtar”. Zyrtarët laikë në atë kohë, kishin frikë se predikime të tilla i afroheshin së tepërmi, madje sugjeronin infiltrimin dhe transformimin e shtetit laik të Turqisë.
Dokumentet e ambasadës amerikane të publikuara nga WikiLeaks, në të cilat citohen burime të brendshme turke të lëvizjes, vlerësojnë se gylenistët mund të kenë nga 2 milionë deri në 5 milionë anëtarë. Pjesa më e madhe e tyre janë të pajisur mirë, mbajnë poste të rëndësishme publike ose punojnë në sistemin policor dhe gjyqësor. Organizata gyleniste mbështet një numër të jashtëzakonshëm sipërmarrjesh dhe pjesa më e madhe e pasurisë së saj buron nga konglomerate të ndërlidhura biznesi dhe shoqëri tregtare. Pasuria e lëvizjes pretendohet të jetë një pasuri e konsiderueshme, por madhësia e saktë e saj maskohet nga një shumëllojshmëri interesash bamirësie nëpërmjet të cilave filtrohet.
Biznesmenët gylenistë kanë ecur përpara me fisnikëri, duke ngritur një rrjet gjigant shkollash të përqendruara ndaj shkencës në të gjithë botën, veçanërisht në Azinë Qendrore, Ballkan, Afrikë, por edhe në Shtetet e Bashkuara.
Mbështetësit e shkollave gyleniste kanë thënë se edukimi bazohet në mësimet e Gylenit. Mësuesit e shkollave Gylen në Ankara kanë theksuar për zyrtarët e ambasadave se, “shkollat nuk janë lëvizje politike”. Ata madje pretendojnë se shkollat i bazojnë mësimet e tyre në fjalët e urta të Gylenit, i cili thotë: “Njerëzit që nuk janë kudo, nuk janë askund” apo “njerëzit duhet të globalizohen që të lokalizohen”.
Megjithatë, kjo është e vështrirë të besohet, veçanërisht duke patur parasysh deklaratat e mëparshme të gylenistëve në lidhje me disa momente të rëndësishme për lëvizjen. Rasti më evident është kur kreu i një shoqate gazetarie të lidhur ngushtë me gylenistët, Fondacioni i Gazetarëve dhe Shkrimtarëve, njohu publikisht meritat e Fethullah Gylenit për vizionin largpamës të hapjes së shkollave në vendet e Azisë Qendrore menjëherë pas rënies së Bashkimit Sovjetik.
Arsyeja e marrjes së kësaj iniciative ishte mëse e qartë: Azia Qendrore duhet të mundte Iranin nëpërmjet “buzëqeshjes islamike” të stilit turk. Deklarata të tilla i kanë shqetësuar gjithnjë vendet e Azisë Qendrore dhe përhapja e jashtëzakonshme e shkollave që ushqejnë këtë frymë tek studentët, ka qenë gjithnjë shkak mosmarrëveshjesh në marrëdhëniet e Turqisë me rajonin.

Lufta ideologjike

Kur AKP-ja u zgjodh për t’u ngjitur në pushtet në vitin 2002 dhe 2003, e bëri me mbështetjen e Lëvizjes Gyleniste dhe disa prej figurave më të spikatura gyleniste iu dhanë poste të rëndësishme në qeverinë e re të Turqisë. Po në të njëjtën kohë, në mars të vitit 2003, Gyleni u shfajësua nga të gjitha akuzat për terrorizëm që rëndonin mbi të, edhe pse kishte zgjedhur të qëndronte përsëri në Shtetet e Bashkuara që në vitin 1999, kur u largua për herë të parë për të kërkuar trajtim mjekësor.
Në fillim, bashkëpunimi mes dy forcave të mëdha politike u duk shumë i fortë. Gjatë muajve të parë të qeverisë së APK-së në pushtet, politikanët filluan të diskutonin një projekt, i cili do t’i bënte shkollat private gyleniste, të aksesueshme për një numër akoma më të madh studentësh.
Por, politikanët gylenistë brenda partisë duket se i bënë presion qeverisë që të ndërmerrte reforma të reja mbi moralin. Një nga këto reforma ishte edhe ligji i shumëdebatur mbi ndalimin e tradhtisë bashkëshortore, por lidershipi i AKP-së nuk ishte ende gati për një lëvizje të tillë. Deri në fund të vitit 2004, politikanët gylenistë filluan t’i tregonin zyrtarëve amerikanë se ndiheshin “të dyzuar” në lidhje me qëndrimin e Erdoganit dhe AKP-së.
Një lider gylenist, i cili thuhej se kishte influencë mbi më shumë se 60 për qind të anëtarëve të Parlamentit të AKP-së, shprehu atëherë shqetësimin e tij para zyrtarëve të ambasadës amerikane dhe tha se gylenistët po bindeshin se Erdogani nuk mund ta duronte dot presionin. Më pas, erdhi edhe hetimi i korrupsionit i vitit 2005 nga ana e Policisë Kombëtare të Turqisë mbi anëtarët e AKP-së. Gylenistët dhe lidershipi i AKP-së arritën t’i sheshonin disi kontradiktat, pasi duhet të përballeshin së bashku me ushtrinë laike të vendit, por ishte mëse e qartë se aleanca dikur e volitshme ishte duke përfunduar.
Edhe pse si AKP-ja ashtu edhe gylenistët pretendojnë se janë lëvizje politike islamike të moderuara, është e qartë që frymëzimi i tyre buron nga tradita ideologjike të kundërta. Lidershipi i AKP-së aderon në një besim tërësisht të ndryshëm i njohur si Milli Gorus ose “Këndvështrimi Kombëtar”, një ideologji e trashëguar nga ish-Kryeministri turk i dëbuar, Necmettin Erbakan, i cili përshkruhet si “versioni turk i islamit politik me ngjyrime antiperëndimore dhe panislamike”.
Besimet e Gylenit bazohen në punën shekullore të dijetarit kurd Sufi, Bediuzzaman Said Nursi dhe i japin më shumë rëndësi përhapjes kulturore të islamit nëpër botë. Ndërkohë që ndryshimi mund të duket thjesht një nuancë për njerëzit e jashtëm, ndarja ideologjike ka qenë një hendek gjigant për AKP-në që në fillim dhe lidershipi Milli Gorus në parti i ka sulmuar gjithmonë gylenistët e qeverisë.
Pavarësisht faktit që ka jetuar në Shtetet e Bashkuara për më shumë se një dekadë, dokumentet sekrete të ambasadës amerikane në Ankara, të publikuara nga WikiLeaks, tregojnë qartë se qeveria amerikane përpiqet prej vitesh të kuptojë më mirë motivet dhe interesat e Lëvizjes Gylen, madje edhe qëllimet e vetë Fethullah Gylenit.
“Ai ka lindur diku mes viteve 1938 dhe 1942”, thuhet në një dokument, pasi data ekzakte e lindjes së tij është e panjohur. Në një tjetër dokument të ambasadës thuhet se, pavarësisht përpjekjeve të shumta, nuk është arritur të gjendet informacion i saktë dhe asnjë përgjigje e saktë lidhur me gjendjen civile të Gylenit. Pra, ç’është gjithë ky mister?
Një pjesë e fshehtësisë dhe sekreteve të organizatës mund të shpjegohet deri diku me kujdesin që është mësuar të tregojë në kohën e persekutimit të saj nga ana e autoriteteve laike të Turqisë gjatë viteve 1990. Megjithatë, ky justifikim nuk i ka qetësuar aspak zyrtarët amerikanë. Në maj të vitit 2006, konsullata e Shteteve të Bashkuara në Ankara përpiloi një dokument të gjatë sekret ku përshkruhej imtësisht fshehtësia dhe mjegulla që karakterizon aplikimin për vizë të gylenistëve. Në dokument thuhej gjithashtu se gylenistët ishin trajnuar mirë si për të fshehur përkatësinë e tyre në organizatë ashtu edhe për të qenë sa më të suksesshëm në aplikimin e tyre për vizë në konsullatë.
Fshehtësia e jashtëzakonshme me të cilën operon Gylen ka qenë shpeshherë burim për teori konspirative. Disa nga kritikuesit e tij islamikë pretendojnë se Gyleni është një fraksion i financuar nga Shtetet e Bashkuara brenda institucionit fetar, i cili përpiqet të çorientojë radhët politike të islamit nga brenda. Laikët, nga ana tjetër, kanë frikë se Lëvizja Gyleniste mund të jetë një intrigë djallëzore e Mullahëve, të cilët duan ta kthejnë Turqinë në një shtet islamik të drejtuar nga ligjet sharia, shumë të ngjashëm me Iranin.
Duhet thënë se as miqtë e Lëvizjes Gyleniste nuk i besojnë plotësisht motivet e tij. Në publik, Gyleni ka shprehur besimin e tij ndaj një shoqërie të hapur, gjithëpërfshirëse dhe demokratike dhe lëvizja ruan lidhje të ngushta me komunitetin ortodoks dhe çifut në Turqi. Por, kur Gyleni kontaktoi me rabinin e Stambollit në vitin 2005 nëpërmjet një letre mbështetjeje për të zgjatur qëndrimin e tij në Shtetet e Bashkuara, rabini i tha privatisht zyrtarëve amerikanë se ishte dyshues lidhur me motivet e Lëvizjes Gyleniste për të ardhmen e Turqisë.

Përgatiti:
KLARITA BAJRAKTARI

Artikulli paraprakKu gaboi Melani?
Artikulli tjetërEros Grezda, pasuesi i Pjacas te Dinamo Zagreb?