Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj ka mbajtur një konferencë për media, ku ka folur për propagandën serbe për tërheqjen e njohjeve të shtetit të Kosovës.
Haradinaj ka thënë se kjo nuk është diçka e re është një përpjekje e vazhdueshme e Serbisë.
“Ne nuk varemi nga Serbia, dhe nuk na duhet amini i Serbisë për asnjë çështje të brendshme të Kosovës”, ka thënë Haradinaj, transmeton Telegrafi.
Kryeministri në detyrë ka folur edhe për shkarkimin e këshilltarit për siguri kombëtare të presidentit Trump, John Bolton.
Haradinaj ka thënë se Uashingtonit i shkuan sugjerime të gabuara nga Ballkani.
“Kam shumë respekt për ambasadorin Bolton, ai ka qenë një njeri i linjës parë për Amerikën. Sa i përket çështje së Ballkanit dhe Kosovës mendoj që gabimet kanë ndodh në Ballkan e jo në Uashington, pra i kanë shkuar sugjerime të gabuara prej udhëheqësve të Ballkanit, kuptohet prej presidentit Vuçiq por janë bërë gabime edhe prej tjerëve”, ka thënë Haradinaj.
Ai ka thënë se institucionet e sigurisë të Amerikës e mbrojnë Kosovën, pasi që Kosova është vijë e frontit për ta me influencat amerikane-ruse. “Jam i bindur se Amerika çdo herë do të jetë me Kosovën”, u shpreh Haradinaj.
I pyetur se kush nga Kosova i ka dërguar sugjerime të gabuara Uashingtonit, Haradinaj tha se kemi dëgjuar shumë deklarata të zyrtarëve tanë, se si nuk na duhet Leshaku e Veriu ose si na ka dhanë Rankoviqi veriun.
Haradinaj theksoi se askush në Amerikë nuk është për ndarje të Kosovës.