Jo pak por 1.4 milion euro në vit do iu merren banorëve të Qarkut të Kukësit nga koncesionari, i cili tashmë është përcaktuar nga Ministria e Transporteve për Rrugën e Kombit. Ky është konkluzioni që është nxjerrë nga ekspertë të fushës në Kukës, të cilët përmes shoqatës “Biznesi për Biznesin” kanë kundërshtuar me forcë dhënien me koncesion të kësaj rruge, e cila që nga viti 2009 është konsideruar si arteria kryesore që shkurton distancën mes Kukësit dhe Tiranës, por ishte kthyer edhe në një arterie shumë të rëndësishme të lidhjes së Shqipërisë me Kosovën dhe vendet e tjera të rajonit. Në një deklaratë të shpërndarë për mediat, kjo shoqatë i bën apel qeverisë dhe Ministrisë së Transporteve që të përjashtojë banorët e Qarkut të Kukësit nga kjo pagesë, pasi Kukësi nuk e meriton një penalizim, siç e quajnë ata dhënien e Rrugës së Kombit me pagesë. Sipas ekspertëve, dhënia me koncesion e kësaj rruge do të varfërojë akoma më shumë banorët e Kukësit, Hasit e Tropojës ndërkohë që i bëhet thirrje banorëve që të kundërshtojnë me forcë pagesën e kësaj takse që pritet të vendoset në zbatim në pranverën e vitit të ardhshëm. “Koncesioni i Rrugës së Kombit dhe ndikimi në ekonominë e varfër të rajonit të Kukësit. Pas njohjes me tarifat që do të aplikohen në Rrugën e Kombit, shoqata “Biznesi për Biznesin” bëri një matje në rrugë. Në dy orare të ndryshme trafiku, u numëruan sasia e mjeteve me targa të Shqipërisë, kryesisht nga rajoni i Kukësit, që lëviznin në njërin drejtim të rrugës (saktësisht nga Kukësi për Tiranë) dhe na rezultoi se në orën e parë 08:00–09:00 kaluan 31 mjete, ndërsa në orën e dytë 16:00–17:00, kaluan 28 mjete. Po të nxjerrim një mesatare matematikore, kemi 29.5 mjete ose për lehtësi llogaritje 30 mjete në orë. Nëse këtë orar kur ne kemi bërë matjet e llogarisim si orar piku, atëherë do të parashikojmë se në 10 orë piku lëvizje do të kemi 30 x 10 = 300 mjete. Në pjesën tjetër, pra në 14 orët e mbetura, referuar informacioneve që ne morëm për lëvizjet në total, mund të llogarisim se do të lëvizin edhe 100 mjete të tjera, që nënkupton se, mesatarisht në këtë aks, në njërin drejtim lëvizin afërsisht 400 mjete në ditë nga Kukësi për Tiranë. Nëse në këtë llogaritje e përfshijmë edhe korsinë tjetër, pra kthimin (e kjo ndodh patjetër) atëherë do të kemi dyfishim të kësaj shifre, pra janë rreth 800 mjete që lëvizin nga Kukësi për Tiranë e kthim. Tashti të dalim te thelbi i problemit: 800 mjete x 5€ = 4,000.00 € në ditë që do të fluturojnë prej xhepave të kuksianëve. 4,000.00 € x 30 ditë = 120,000.00 € në muaj, që do të fluturojnë prej xhepave të kuksianëve. 120,000.00 € x 12 muaj = 1,400,000.00 € në vit, që do të fluturojnë prej xhepave të kuksianëve. Pra, e thënë më shkurt e qartë: 1.4 milion € në vit do të varfërohet ky qark për shkak të këtij koncesioni. Përveçse kësaj “përkujdesjeje” për t’i marrë këto shuma nga xhepat e kuksianëve nëpërmjet këtij koncesioni, a ka ndonjë përkujdesje se si do t’i kthehet kjo vlerë rajonit më të varfër të vendit? Ndër të tjera, këtij rajoni prej shumë vitesh po i grabiten edhe pasuritë nëntokësore e mbitokësore. Ndërsa grabitja e fundit, siç e konsiderojmë koncensionin në fjalë, përmbush dy penalitete që qeveria i vendos rajonit: Së pari, autostrada është ndërtuar me buxhet publik, prandaj nuk ka argument bindës për një taksë të tillë. Së dyti, me ndërtimin e autostradës nuk u ndërtuan edhe rrugët alternative për komunitetet që i përshkon. Shqipëria e ka tashmë një përvojë negative me koncesionin, siç është ai i Rinasit që bllokoi Aeroportin e Kukësit, ku pasojat edhe këtu po i vuan Kukësi. Në përfundim të këtij reagimi nënvizojmë vendosmërinë për ta kundërshtuar me çdo mjet demokratik taksën e rrugës për komunitetin e rajonit të Kukësit” thuhet në reagimin për mediat.
Kryesore
Continue to the categoryNga Besart Logu: Mesazhi që përcolli vendimi i Gjykatës Kushtetuese!
Nga Besart Logu
Për vendimin e Gjykatës Kushtetuese mbi ligjshmërinë e masave të sigurimit ndaj Sali Berishës, ishte dikush tjetër më i intetesuar se vetë...