Lionel Messi këmbëngul se nuk është i zhgënjyer me Barcelonën që dështoi ta kthejë Neymarin në klub gjatë afatit kalimtar veror, derisa e pranon se nuk është i sigurt nëse drejtuesit e klubit katalonas kanë bërë çdo përpjekje për ta transferuar brazilianin nga PSG-ja.
Neymar dhe Messi i kaluan plot katër sezone së bashku në Camp Nou, derisa me ardhjen e Luis Suarezit një vjet më vonë, u formua MSN-ja vdekjeprurëse, që theu çdo rekord dhe i ndihmoi Barçës t’i fitojë dhjetëra trofe.
Kjo treshe ia doli ta fitojë La Ligën dy herë në tre vjet së bashku, derisa e fitoi edhe Kupën e Mbretit tri herë dhe Ligën e Kampionëve në sezonin 2014/15.
Por MSN-ja mori fund në vitin 2017, kur Neymar e braktisi Barçën për t’iu bashkuar Paris Saint-Germainit për një shumë rekord botëror, 222 milionë euro.
Neymarit s’i zgjati në Paris, megjithatë, pasi braziliani e kërkoi largimin gjatë afatit kalimtar veror dhe PSG-ja dhe Barça u futen në negociatat të nxehta për kthimin e tij në Katalonjë.
Edhe pse bisedimet zgjaten deri në orët e fundit të afatit kalimtar veror më 2 shtator, nuk u arrit marrëveshje dhe Neymar mbeti në PSG.
Messi duket se është pajtuar me faktin se shoku i tij brazilian nuk ia doli të kthehej në shtëpi.
“Sa do të doja që Neymar të vinte”, tha Messi për Sport.
“Sinqerisht, nuk e di nëse Barça ka bërë gjithçka që është e mundur për ta kthyer atë, por jam i sigurt se bisedimet me PSG-në nuk janë të lehta”, shtoi Messi.
“Nuk jam i zhgënjyer. Ne e kemi një skuadër spektakolare e cila mund të luftojë në të gjitha frontet, edhe pa Neymarin”, tha Messi.