Departamenti i Antikorrupsionit, Aksesit në shërbime dhe Transparencës në PD ka bërë një analizë të thellë të projekteve korruptive që bëhen në zyrat e qeverisë shqiptare.
Zbulimi i radhës i zyrës Antikorrupsion është fakti që Aeroporti i Vlorës do ta realizojë studio e preferuar e Edi Ramës, e arkitektit italian Casamonti, i arrestuar për korrupsion, ARCHEA, e cila realizoi edhe stadiumin me kullë: Arenën Kombëtare.
Denoncimi i plotë
Dje, siç e ka zakon, kryeministri na bëri me dije se sot do të bëhej paraqitja e projektit të Aerportit të Vlorës, për projektimin e të cilit na qenkan angazhuar, ndër të tjera dhe mbi të gjithë studio e famshme ARCHEA.
Në janar të 2018, në mënyrë të ngjashme kryeministri na vuri përpara faktit të kryer se Aerportin e Vlorës do ta projektojë, ndërtojë dhe operojë konsorciumi i tri kompanive turke. Për këtë objekt, qeveria nuk hezitoi as të kërkojë miratimin me ligj të veçantë, njësoj si me ligjin “Fusha”, negocimin me këtë konsorcium. Kjo pa asnjë sqarim, transparencë dhe bazë ligjore për përzgjedhjen e kompanive.
Procedurat nuk iu nënshtruan asnjë tenderimi, por u vulos me ligj të posaçëm atë çfarë kryeministri dhe ish ministri Gjiknuri kishin biseduar në takime jo-formale me miqtë e vëllait të madh Erdogan.
Siç edhe më në fund e pranoi dje, negociatat me turqit, të cilët aq shumë u pompuan nga kryministri e ministri, dështuan. Asnjë sqarim përse dështuan! Pavarësisht se parlamanti u angazhua me ligj për këtë aferë të radhës, asnjë fjalë rreth fatit të ligjit që sot është ende në fuqi, pavarësisht se afatet kanë përfunduar.
Por kryeministri nuk di të veprojë ndryshe. Si deja vu’, jemi para faktit të kryer se projektimin e Aeroportit të Vlorës e paska bërë dikush tjetër tashmë. Se me cilën procedurë u përzgjodh ky dikushi, sërish asnjë fjalë. Në fakt, nuk mund të ndodhte ndryshe. Kur ka ndodhur që këto vepra të bien në dorën e kujt caktojnë procedura të rregullta ligjore dhe konkurruese gjatë qeverisjes Rama?! Ky dikushi, i famshëm sa dhe kompanitë turke, nuk është as më shumë e as më pak se studio-kliente e vjetër e Ramës, Archea Associati. Dhe kjo studio na risjell në skenë mjeshtrin e madh Mario Casamonti-n.
Bëhet fjalë për studion e cila projektoi kullën ende gërmadhë pranë Gjykatës së Lartë gjatë mandatit të Ramës si kryebashkiak i Tiranës. Është studio të cilës duhet “t’ia dijmë për nder” projektimin e stadiumit kombëtar me kullë gjatë mandatit të parë të Ramës si kryeministër. Edhe këtu, procedura e përzgjedhjes mbetet pa asnjë sqarim publik.
Rama duhet të sqarojë procedurat e ndjekura për përzgjedhjen e kësaj studioje. Kjo është as më shumë e as më pak se e njëjta skemë e ndjekur nga kryeministri si tek ajo e projektit të teatrit kombëtar, ku na bëri me dije për projektuesin e famshëm, klientin e tij të vjetër e të preferuar.
Mediat kanë hulumtuar edhe mbi të shkuarën e arkitetit, Marco Casamonti, i cili rezulton si i përfshirë në një skandal korrupsioni në Itali në vitin 2008. Casamonti akuzohej për korrupsion në projektin për urbanizmin e një kështjelle në Firence të Italisë, akuzë për të cilën ai u arrestua në 11 dhjetor të 2008, për t’u lënë i lirë në 2 janar të 2009-ës.