Përfaqësues të partive të vogla të opozitës nënshkruan një marrëveshje me qeverinë në Ministrinë e Jashtme në Caracas. “Liria e të gjithëve dhe paqja janë qëllimet më të larta. Ne jemi ngritur kundër urrejtjes dhe zemërimit,” tha deputeti Timoteo Zambrano. Ai tha se ka filluar “Raundi Kombëtar i Bisedimeve për Venezuelën”.
Siç informon portali kritik i qeverisë “Tal Cual”, marrëveshja parashikon që partia socialiste në pushtet PUSV të kthehet në Asamblenë Kombëtare të kontrolluar nga opozita. Për më tepër, duhet të riorganizohet Komisioni i Zgjedhjeve CNE dhe të lirohen të burgosurit politikë.
“Të gjitha partitë politike që dëshirojnë, mund të marrin pjesë në negociata,” tha Ministri i Informacionit Jorge Rodríguez.
Shumica e kundërshtarëve të qeverisë i refuzojnë bisedimet
Presidenti i përkohshëm i vetëshpallur Juan Guaidó e përshkroi marrëveshjen si të papërgjegjshme. Ai tha se një zgjidhje për krizën e brendshme do të ishte e mundur vetëm me zgjedhje të lira dhe me shkarkimin e kryetarit të shtetit Nicolas Maduro.
Edhe kundërshtarë të tjerë të qeverisë e kritikuan nismën e deputetëve që duan të përfshihen në negociata. Shumica e opozitarëve i kundërshtojnë bisedimet e reja.
“Bashkimi Sovjetik dhe Kuba kanë krijuar edhe opozitën e tyre të bindur. Ky bashkëpunim dështon gjithmonë,” shkroi në Twitter deputeti me ndikim Julio Borges . “Ai që e vë veten në dispozicion për këtë manovër, nuk përfaqëson popullin e Venezuelës. Qëllimi ynë mbetet i qartë: fundi i diktaturës”.
Deputeti Carlos Berrizbeitia tha se marrëveshja “refuzohet nga forcat demokratike dhe i gjithë vendi, sepse vetëm garanton që Maduro të mbetet në pallatin presidencial të Miraflores”. Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Kristiane Demokratike Copei, Robert García, tha se Venezuela ka “vetëm dy institucione legjitime: Asamblenë Kombëtare dhe Presidentin e përkohshëm Juan Guaidó.”
Negociatat dështuan pas sanksioneve amerikane
Guaidó, i cili së fundi arriti të mbledhë pas vetes opozitën e përçarë tradicionalisht, deklaroi se negociatat me qeverinë kishin dështuar pasi Maduro bojkotoi një raund të ri bisedimesh në mesin e gushtit. Më parë, SHBA patën vendosur sanksione të reja ekonomike ndaj vendit të Amerikës së Jugut. Maduro e akuzoi pas kësaj Guaidón se i kishte organizuar masat ndëshkuese.
Opozita e krahut të djathtë dhe qeveria e Venezuelës po zhvillojnë që nga fillimi i vitit një luftë të paepur për pushtet. Kundërshtarët e qeverisë nuk e njohin mandatin e dytë të Maduros, sepse zgjedhjet u zhvilluan pa kandidatët me shanse të opozitës. Presidenti i Parlamentit, Juan Guaido pas kësaj bëri betimin si president i përkohshëm.
Shumë vende e njohin tashmë atë si një president të përkohshëm, por në Venezuelë, Maduro ka edhe më tej pozita të forta. Vendi dikur i pasur ndodhet më tej në një krizë serioze furnizimesh. Rreth tre milionë vetë janë larguar nga Venezuela në dy vitet e fundit.