6 milionë një vendim, Prokuroria merr të pandehur gjyqtarin Hoxha

Prokuroria për Krime të Rënda i ka komunikuar akuzën dhe merr të pandehur gjyqtarin e Gjykatës së Tiranës, Ibrahim Hoxha. Ai akuzohet për korrupsion, pasi i ka marrë një shtetasi 600 mijë lekë të reja në një proces civil, që drejtohej prej tij. Në këmbim, ai do të vendoste në favor të palës që pagoi paratë.
Së bashku me gjyqtarin, Prokuroria për Krime të Rënda i ka komunikuar akuzën edhe Dritan Jazexhiut dhe Novruz Gajdes. Ky i fundit ishte sekseri mes gjyqtarit dhe biznesmenit Dritan Jazenxhiu. Gjithashtu, është komunikuar akuza edhe për Lejdon Hoxhën, i biri i gjyqtarit. Ai akuzohet për pengim të së vërtetës.
Sipas hetimeve ka rezultuar se, shtetasi Dritan Jazexhiu ishte në një gjyq pronësie me motrën e tij. Ai ka kontaktuar me sekserin Novruz Gajda, i cili ka marrë përsipër të ndikojë tek gjyqtari Hoxha.
Në vijim të veprimeve hetimore, Prokuroria për Krime të Rënda ka zbuluar se, gjyqtari Hoxha ka kërkuar shumën 800 mijë lekë të reja. Nga hetimi është provuar se të pandehurit kishin rënë dakord që pjesa e parë e parave, prej 600 mijë lekë, të jepeshin një ditë para vendimit. Pjesa e mbetur e parave, 200 mijë lekë, do të jepeshin pas dhënies së vendimit.
“Prokuroria për Krime të Rënda i ka komunikuar akuzën dhe merr të pandehurin gjyqtarin e Gjykatës së Tiranës, Ibrahim Hoxha, i akuzuar për “korrupsion pasiv…të gjyqtarëve…”. Ai akuzohet se ka marrë 600 mijë lekë të reja nga një person, palë në një proces gjyqësor civil që drejtohej prej tij”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Së bashku me gjyqtarin, Prokuroria për Krime të Rënda i ka komunikuar akuzën edhe Dritan Jazhexhiut dhe Novruz Gajdes, të akuzuar për “korrupsion aktiv të gjyqtarëve…”. Gjithashtu, është komunikuar akuza edhe për shtetasit Lejdon Hoxha, (i biri i gjyqtarit), i akuzuar për “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”; Altin Malaj, për veprën “Moskallëzim krimi”; dhe Gerald Hoxha, për veprën e “Deklarimeve të rreme…”. Për këtë të fundit ka rezultuar se ka qenë në dijeni të veprimeve të mësipërme dhe ka deklaruar rrethana të rreme para oficerit të Policisë Gjyqësore.
Prokuroria për Krime të Rënda ka zhvilluar hetimet, në bazë të të cilave ka rezultuar se shtetasi Dritan Jazexhiu ishte në një proces gjyqësor civil, i cili zhvillohej në Gjykatën e Tiranës, nën drejtimin e gjyqtarit Ibrahim Hoxha. Jazexhiu, nëpërmjet shtetasit Altin Malaj, është njohur me të pandehurin Novruz Gajdja. Ky i fundit ka marrë përsipër që të ndërhynte te gjyqtari Ibrahim Hoxha, me qëllim që ai të jepte vendim gjyqësor në favor të tij.
Në vijim të veprimeve hetimore, Prokuroria për Krime të Rënda ka zbuluar se gjyqtari Hoxha ka kërkuar shumën e 800 mijë lekë të reja, për të dhënë vendimin në favor të Dritan Jazexhiut. Sipas hetimit, është provuar se të pandehurit kishin rënë dakord që pjesa e parë e parave, prej 600 mijë lekë, të jepeshin një ditë para vendimit. Pjesa e mbetur e parave, 200 mijë lekë, do të jepeshin pas dhënies së vendimit.
Nga ndjekja në dinamikë e hetimit, rezultoi se në dt. 02.05.2016, i pandehuri Novruz Gajdja, bie dakord me gjyqtarin që të realizohej “shkëmbimi” i shumës 600 mijë lekë pasditen e asaj dite.
Të pandehurit kanë qenë nën vëzhgim nga Policia Gjyqësore, me urdhër të Prokurorisë. Pasditen e datës 02.05.2016, i pandehuri Novruz Gajdja, pasi kishte marrë shumën prej 600 mijë lekë nga Dritan Jazexhiu, takohet me djalin e gjyqtarit, Lejdon Hoxha, të cilit i dorëzon shumën e parave.
Menjëherë kanë ndërhyrë forcat e policisë, të cilët kanë realizuar arrestimin në flagrancë të shtetasve Lejdon Hoxha dhe Novruz Gajdja. Po në bazë të veprimeve hetimore në dinamikë, është realizuar edhe arrestimi i gjyqtarit, Ibrahim Hoxha dhe shtetasit Dritan Jazexhiu.
Në përfundim të veprimeve proceduriale, Prokuroria për Krime të Rënda ka marrë të pandehur shtetasit e mësipërm, të cilët gjenden nën masat e sigurimit, si vijon Ibrahim Hoxha, “arrest në burg”, Dritan Jazexhiu, “arrest në burg”, Novruz Gajdja, “arrest në burg”, Lejdon Hoxha, “detyrim për t’u paraqitur”, Altin Malaj, në gjendje të lirë dhe Gerald Hoxha, në gjendje të lirë.

R.POLISI

Artikulli paraprakMeta: Opozita kishte të drejtë për rekomandimin 88
Artikulli tjetërBuquiccio: I lumtur që Venecia rol me rëndësi në këtë proces