Shifra të frikshme! 285 mijë shqiptarë planifikojnë të ikin, 40% të rinjve duan të largohen nga vendi

Sipas një anketë të fondacionit gjerman Friedrich Ebert për Edukimin e të rinjve në Europën Juglindore që u publikua këto ditë, 285 mijë shqiptarë planifikojnë të ikin nga vendi në vitet në vijim, shumica prej të cilëve janë të rinj. 26 për qind kanë pohuar se dëshirojnë të emigrojnë në Gjermani, 18 për qind në Britani, 16% në Itali dhe pjesa tjetër në vende të tjera.

Si numër, shqiptarët janë të dytët që duan të ikin, pas rumunëve (358 mijë), por në raport me totalin e të rinjve që duan të emigrojmë zëmë rekord, me 40% të të rinjve që preferojnë të largohen nga vendi (shih grafikun).

auto image1 3

Studimi për edukimin e të rinjve vë në dukje se vala e emigracionit ndër të rinj ka nisur rënien në shumë vende të Europës Juglindore, por ai mbetet i lartë në rajonin e Ballkanit dhe sidomos në Shqipëri.

Faktorët ekonomikë dhe perceptimi negativ i situatës në vendin e lindjes janë faktorët më të fortë motivues për emigracionin e të rinjve.

Por ndërkohë emigrimi i trurit ndryshon ndjeshëm nga vendi në vend. Ky fenomen është shumë agresiv në Shqipëri dhe Mali i Zi, ndërsa në Bullgari dhe Maqedoni, të rinjtë e shkolluar kanë më pak prirje të emigrojnë.

Të rinjtë nga rajoni EJL shfaqin një nivel të lartë të gatishmërisë për tu integruar në strukturën e shoqërive ku emigrojnë dhe kjo demonstrohet nga gatishmëria e tyre për të mësuar gjuhën e vendit pritës.

Anketa vë në dukje se kanë prirje për të emigruar më së shumti të rinjtë që nuk janë të punësuar. Të rinjtë që nuk janë në punë planifikojnë të ikin në periudhë të afërt prej gjashtëmuajsh.

Të rinjtë me prindër me nivel të ulët arsimor dhe ekonomik janë më shumë të prirur të largohen dhe gjithashtu të rinjtë që banojnë në zonat rurale kanë më shumë tendenca të largohen.

Studimi u rekomandon vendeve që të përmirësojnë politikat e trajtimit te të rinjve sidomos në drejtim të punësimit dhe edukimit të cilat çojnë në frenimin e emigrimit. Zhvillimi i politikave të tilla duhet të përvetësojë një qasje integrale, të shumanshme, duke synuar pasigurinë ekonomike, mundësitë e dobëta të punësimit dhe perspektivat e karrierës, si faktorët kryesor motivues të emigracionit.

/MONITOR

 

Artikulli paraprakSi shpëtoi “peshku” i madh i kontenierëve me kokainë në portin e Durrësit
Artikulli tjetërUshtria rrethon Pashalimanin, nuk lejohen 200 punonjës të shkojnë për të punuar në bizneset e tyre