Manaj: Do shënoj shumë gola te Pescara

Rey Manaj po e shijon në maksimum aventurën e tij të re. Disa javë më parë sulmuesi i talentuar shqiptar u transferua nga Interi te Pescara në formë huazimi dhe deri tani Manaj është përshtatur shumë mirë te skuadra e drejtuar nga trajneri Massimo Oddo. Në ndryshim nga Interi te formacioni abrucez në sezonin e ri 19-vjeçari pritet të ketë shumë më tepër mundësi aktivizimi.
Për të fituar eksperiencën e nevojshme që një ditë të jetë sërish gati të mbajë veshur fanellën e Interit, klubit që zotëron kartonin e tij, Manaj dëshiron të japë më të mirën nga vetja te Pescara, aty ku shok skuadre ka një tjetër futbollist të kombëtares kuqezi, pikërisht Ledian Memushaj, i cili është edhe kapiteni i ekipit të sapongjitur në Serinë A. Manaj, i cili është pjesë e përfaqësues Shpresa të Shqipërisë, ndërsa me kombëtaren e drejtuar nga Gianni de Biasi debutoi me gol në vëllazëroren ndaj Kosovës, në këto javë të para është përshtatur shumë mirë te formacioni abrucez.
Shqiptari realizoi dy gola në miqësoren e parë sezonale, ndërsa në fitoren 2-0 ndaj Teramos dha një asist. Djaloshi i lindur në Lushnjë në një intervistë për mediat përtej Adriatikut u shpreh se është shumë i kënaqur që është bërë pjesë e Pescarës. “Jam i lumtur që ndodhem këtu, jemi një grup i ri futbollistësh, por në të njëjtën kohë një skuadër shumë e fortë, djemtë nuk ndihen të plotësuar dhe kanë shumë dëshirë për të bërë mirë edhe në Serinë A. Impresionet e para janë me të vërtetë pozitive”, deklaroi Rey Manaj.
Më tej kuqeziu shtoi se, “trajneri Oddo në ndeshjet miqësore po më provon si sulmues të parë dhe objektivi im është të realizoj sa më shumë gola, se sa nuk mund t’ua them”, nënvizoi në përfundim Manaj. Te Pescara 19-vjeçari shqiptar ka marrë në skuadër vendin e lënë bosh nga Gianluca Lapadula, i cili në merkaton kësaj vere u transferua te Milani.

Artikulli paraprakBERZH, Matteo Colangeli do të jetë drejtori i ri për Tiranën
Artikulli tjetërAsteras ofertë zyrtare për Andi Lilën