Andi Lila mund të ndërrojë skuadër, por jo kampionat. Futbollisti i kombëtares shqiptare kërkohet nga Asteras Tripolis, madje drejtuesit e kësaj skuadre sipas asaj që raportojnë mediat greke i kanë bërë një ofertë prej 180 mijë eurosh Pas Janinës për kartonin e 30-vjeçarit. Vlera e Andi Lilës sipas faqes së specializuar për transferimet e futbollistëve, “transfermarkt” kap shifrën e 700 mijë eurove, por duke qenë se kuqeziu ka vetëm një vit kontratë me Pas Janinën është kjo arsyeja kryesore që oferta e drejtuesve të Asteras Tripolis ka qenë kaq ulët sepse në verën e vitit 2017, Lila mund të largohet me parametër zero.
Megjithatë presidenti i Pas Janinës, Giorgios Christovasilis ende nuk u ka kthyer një përgjigje drejtuesve të Asteras, kjo për vetë faktin se Andi Lila është një futbollist shumë i rëndësishëm për skuadrën dhe trajneri Petrakis ka nevojë për shërbimet e tij në dy përballjet për turin e tretë kualifikues të Europa League ndaj holandezëve të Azeta Alkmaar. Mbetet për t’u parë se çfarë do të ndodhë me të ardhmen e 30-vjeçarit pas këtyre dy ndeshjeve. Andi Lila ishte pjesë e Shqipërisë në Euro 2016. Ai u aktivizua si titullar nga trajneri De Biasi në takimet ndaj Francës dhe Rumanisë, me ish-lojtarin e Parmës që bëri dy paraqitje me të vërtetë shumë pozitive.