Historia thërret, Shkëndija e Tetovës është gati

Historia thërret. Ndaj çekëve të Mlada Boleslav për të vazhduar ëndrrën dhe për të bërë histori në Europë. Shkëndija e Tetovës nuk kishte arritur të kalonte asnjëherë më parë në historinë e saj si klub dy ture në kompeticionet europiane, por e realizoi një objektiv të tillë këtë verë dhe tashmë e sheh veten në ruandin e tretë kualifikues të Europa League. Por skuadra shqiptare që luan në kampionatin maqedonas nuk dëshiron ta ndalë me kaq misionin e saj në Europë, pasi synon dhe ëndërron kualifikimin në fazën play-off të këtij kompeticioni. Këtë të enjte në stadiumin Philippi 2 në Shkup kuqezinjtë tetovarë do të sfidojnë çekët e Mladës në ndeshjen e parë të ruandit të tretë kualifikues të Europa League me shpresën për të arritur një rezultat të mirë që do t’i jepte mundësi Shkëndijës të tentonte kualifikimin një javë më pas në Republikën çeke. Kundërshtari i radhës ka një nivel më të lartë se polakët e Cracovias dhe azerët e Neftci Bakut, skuadra të cilat Shkëndija i eliminoi në dy ruandet e para.
Por, megjithatë edhe Mlada Boleslav këto vitet e fundit nuk ka patur një ecuri të mirë në kompeticionet europiane edhe pse është kualifikuar pothuajse rregullisht dhe Shkëndija i ka të gjithë mundësitë për t’i mposhtur çekët që drejtohen nga trajneri Karel Jarolim, i cili së fundmi është emëruar edhe si tekniku i kombëtares së Republikës çeke. Në dy raundet e para, Shkëndija edhe pse hyri si inferiore në letër, bindi me lojë dhe rezultat përballë Cracovias dhe Neftchit dhe tani e sheh veten në turin e tretë kualifikues të Europa League. Misioni për të avancuar në play-off nuk do të jetë i lehtë, por as i pamundur për kuqezinjtë. Edhe ndaj Mlada Boleslav, trajneri boshnjak i skuadrës shqiptare Bruno Akrapovic mund të mbështetet te eksperienca dhe klasi i kapitenit Ferhan Hasani te shpejtësia dhe aftësitë teknike të brazilianit Stenio Junior te saktësia përpara portës e Besart Ibraimit, por edhe potenciali i madh që zotërojnë dy talentet Besir Demiri dhe Marjan Radeski.
Me kaq shumë cilësi në skuadër, por edhe me mbështetjen e zjarrtë të tifogrupit Ballistët, Shkëndija do të kërkojë një tjetër fitore në Europa League këtë herë ndaj çekëve të Mlada Boleslav për t’i hapur rrugën një kualifikimi të mundshëm në play-offin e Europa League. Dueli mes kuqezinjëve tetovarë dhe skuadrës çeke do të transmetohet live për të gjithë shqiptarët në Supersport, duke nisur që nga ora 20:00 e kësaj të enjteje.

Artikulli paraprakTrembet Guardiola
Artikulli tjetërNica, Brexit dhe Ankara, çfarë po ndodh me botën?