65 vjet nga Konventa e Gjenevës për Refugjatët

“Marrëveshja për të Drejtat e Refugjatëve” u miratua më 28 korrik 1951 në Konferencën e jashtëzakonshme të OKB-së në Gjenevë dhe ajo hyri në fuqi më 1964. Në vitin 1967 Konventa për Refugjatët u plotësua me “Protokollin për Refugjatët”.

– DW: Çfarë rëndësie ka Konventa e Gjenevës për Refugjatët e vitit 1951 sot?
Hendrik Cremer: Konventa për refugjatët ka qenë dhe është me rëndësi të jashtëzakonshme. Ajo është baza e së drejtës ndërkombëtare për refugjatët dhe së drejtës europiane për refugjatët.

– Çfarë të drejtash kanë refugjatët sipas Konventës së Gjenevës, cilat janë parimet kryesore të saj?
Parimi më i rëndësishëm është ndalimi i dëbimit në kufi, pra ndalohet kthimi i njerëzve në shtete, ku ata i kërcënon rreziku për jetën, në vende ku ata përndiqen. Ky është parimi themelor i Konventës së Gjenevës për Refugjatët.
Një tjetër rregull i rëndësishëm parashikon, që njerëzit, të cilët kërkojnë mbrojtje dhe azil dhe ata që përndiqen, nuk duhet të sanksionohen. Këta njerëz normalisht udhëtojnë jo legalisht, e në këtë pikë Konventa përcakton, që pikërisht për këtë arsye këta njerëz nuk duhet të ndiqen penalisht. Krahas këtyre ka edhe një sërë rregullash të tjera.

– Më 1951 Konventa për Refugjatët vlente vetëm për refugjatët europianë pas Luftës së Dytë Botërore. Më vonë ajo u zgjerua gjeografikisht në vitin 1967 me një protokoll shtesë. Për kë vlen kjo konventë sot?
Që pas Luftës së Parë Botërore ka pasur nismat e para për të vendosur rregulla për mbrojtjen e refugjatëve dhe pas Luftës së Dytë Botërore u vendosën këto rregulla. Në fillimet e veta mbrojtja e refugjatëve gjithmonë kufizohej gjeografikisht, pra ajo vlente gjithmonë për refugjatë të caktuar, që për arsye të ngjarjeve të caktuara ata ishin kthyer në refugjatë. Edhe në Konventën e Gjenevës për Refugjatët mbrojtja është e kufizuar në kohë dhe gjeografikisht. Vetëm përmes protokollit shtesë më 1967 u shfuqizuan kufizimet, çka do të thotë që Konventa vlen për të gjithë refugjatët. Pavarësisht sa shumë vetë kanë marrë arratinë, konventa vlen në mënyrë universale për të gjithë refugjatët.

– Sa vende i janë bashkuar sot kësaj Konvente dhe Protokollit të saj, dhe çfarë do të thotë kjo për refugjatët, nëse vendet nuk e kanë nënshkruar as Konventën dhe as Protokollin?
148 vende marrin pjesë në Konventë ose në Protokoll, pjesa më e madhe e vendeve i kanë pranuar të dyja. Vendet anëtare të BE-së janë të gjithë anëtarë të Konventës së Gjenevës dhe kjo Konventë në mënyrë eksplicite krijon edhe bazën për të drejtën europiane të azilit. Bazuar në nenin 18 të Kartës së BE-së ka një të drejtë për azil sipas parimeve të Konventës së Gjenevës për Refugjatët. Kjo do të thotë, që Konventa e Gjenevës luan një rol të rëndësishëm dhe shërben si bazë thelbësore për të drejtën europiane të azilit.
Për shtetet që nuk e kanë nënshkruar Konventën dhe Protokollin, kjo nuk do të thotë që ato s’kanë detyrime. Në marrëveshje me Komisariatin e OKB-së për Refugjatët (UNHCR) është i ndaluar kthimi i njerëzve në vendet ku ka përndjekje, kjo është komponente e së drejtës ndërkombëtare. E përveç kësaj ka edhe të tjera rregulla në mbrojtje të të drejtave të njeriut, si Pakti Ndërkombëtar për të drejtat sociale dhe civile ose Konventa kundër Torturës, që i detyrojnë shtetet t’i respektojnë rregullat përkatëse.

– A është edhe sot aktuale Konventa e Gjenevës, i përgjigjet ajo realitetit të sotëm apo duhet përshtatur me rrethanat e reja?
Mendoj, se Konventa e Gjenevës është absolutisht e përshtatshme me kohën dhe ajo mbetet e nevojshme për mbrojtjen e refugjatëve. Edhe nëse ndryshon situata e refugjatëve dhe migrantëve, ajo vazhdon të ketë rëndësi të jashtëzakonshme.
Ka natyrisht edhe pika, ndaj të cilave mund të lindë pyetja, nëse ofrojnë mbrojtje sa duhet. Kjo prek për shembull, numrin në rritje të njerëzve, që si pasojë e ndryshimeve të klimës marrin arratinë, sepse atyre u kërcënohet baza e ekzistencës. Një rast i tillë nuk është i parashikuar në Konventën e Gjenevës.
Por ka edhe për shembull, refugjatët e brendshëm, që qarkullojnë, por mbeten brenda vendit të tyre. Konventa vlen edhe tani për refugjatët e brendshëm, edhe mandati i UNHCR-së vlen shpesh edhe për refugjatët brenda vendit. Këtu shtrohet pyetja, nëse mund të përmirësohet mbrojtja e refugjatëve.

Artikulli paraprakNica, Brexit dhe Ankara, çfarë po ndodh me botën?
Artikulli tjetërFiladelfia, pas tensioneve rishfaqet uniteti në Kuvend